BE: Ne nuk detyrojmë askënd të importojë plehra

Që BE-ja nuk mund të detyronte Shqipërinë të miratonte një ligj që do të mundësonte importimin e plehrave, kjo ka qenë një gjë e kuptueshme. Mirëpo më se njëherë njerëz të maxhorancës (kryeministri i pari) kanë thënë, në përpjekje për të justifikuar ligjin dhe luftën ndaj presidentit Topi që e ktheu ligjin mbrapsht për ridiskutim, se miratimi i këtij ligji, tok me nenin mbi importimin e plehrave, është një detyrim që vjen prej BE-së.
Top-channel-i nuk ka hequr shumë për të gjetur një njeri në Bruksel që do të mund ta hidhte poshtë këtë idiotësi. Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin Peter Stano, i intervistuar nga ky televizion, thotë: “Ajo çfarë duhet të kemi parasysh është që Bashkimi Evropian nuk inkurajon dhe as nuk detyron ndokënd që të importojë mbeturina. Ne nuk vendosim rregulla se çfarë ju duhet të importoni dhe në çfarë mënyre t'i importoni. Ne as inkurajojmë dhe as detyrojmë njeri që të importojë ndonjë gjë, sepse kjo është diçka që varet nga autoritetet shqiptare; u takon atyre të vendosin se mbi çfarë kushtesh do të ketë import, apo mundësitë për të importuar plehra.”
Re.Pu.
Add new comment