Marifeti për fryrjen artificiale të shifrës për rritjen ekonomike

Debatet rreth projekt-buxhetit të vitit 2012 u fokusuan kryesisht në nivelin e borxhit publik (http://www.respublica.al/artikuj/2011/11/10/opozita-borxhi-e... ) dhe pak në parashikimin e rritjes reale ekonomike, e cila është në themel të llogaritjes së të ardhurave të pritshme buxhetore në çdo vend me ekonomi tregu. Ministria e Financave të Shqipërisë, kur paraqiti projekt-buxhetin për vitin 2012, u bazua në një parashikim të rritjes reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 4.3%. Por ç’është rritja reale e PBB-së? Thënë me fjalë të thjeshta (se llogaritjet janë disi të komplikuara), është rritja në përqindje e vlerës së mallrave e shërbimeve të realizuara në vend, pasi i është zbritur asaj rritja në përqindje e çmimeve me shumicë të tyre.
Sipas Ministrisë së Financave, rritja nominale e PBB-së do të jetë 5.4% në 2012-ën. Kjo do të thotë se, në qoftë se vlera e mallrave dhe shërbimeve të realizuara në vend këtë vit është 100 lekë, në vitin 2012 do të jetë 105.4 lekë. Për të ardhur te vlera reale e rritjes së PBB-së, duhet zbritur rritja mesatare e çmimeve me shumicë, që quhet deflator ose “çfryrës” i PBB-së. Ministria e Financave e parashikon këtë deflator në nivelin 1.1%. Pra, mbërrijmë kështu tek rritja reale e PBB-së prej 4.3%, e cila është përdorur për të parashikuar të ardhurat buxhetore të 2012-ës.
Por problemi është se deflatori i PBB-së ka qenë rreth 3% në vitet e mëparshme. Çfarë do ta bëjë atë të zbresë në nivelin 1.1%??? Zakonisht, deflatori i çmimeve me shumicë ka ndjekur nivelin e inflacionit të çmimeve me pakicë (si në Shqipëri edhe gjetkë). Dhe sipas Ministrisë së Financave, inflacioni i çmimeve me pakicë nga 3.5% do të zbresë vetëm në 3%. Pra, përvoja empirike (por edhe logjika ekonomike) na tregon se deflatori i PBB-së duhet të jetë diku te 3 përqindëshi dhe jo te 1.1 përqindëshi, siç e ka parashikuar Ministria e Financave. Dhe në këtë rast rritja reale e PBB-së nuk do të jetë 4.3% por 2.4%. Një diferencë e madhe që mund të përkthehet në miliarda lekë...
E.Zaloshnja
Comments
Sa duhet te jete rritja
<p>Sa duhet te jete rritja ekonomike ne menyre qe qeveria te mbaje borxhin ne te njejta nivele (per 2012)?</p>
Me nivelin e shpenzimeve qe
<p>Me nivelin e shpenzimeve qe ka parashikuar qeveria ne projekt-buxhet, rritja reale ekonomike duhet te jete rreth 4.5%, ne menyre qe borxhi te mebtet ne te njejtin nivel edhe ne 2012-en. Perndryshe, ose duhen rritur taksat, ose do te rritet borxhi. </p>
Add new comment