Panairi i Librit, parë nga stenda e harruar e leximeve të dikurshme

Ka një stendë në Panairin e Librit, diku në nivelin e dytë, në pjesën që lidh katet dhe jo në sallat e mëdha, shkurt në një kthinë, e cila megjithatë të tërheq me përzinë e saj: është stenda e botimeve të vjetra. Janë botime të ‘8 nëntorit’ apo ‘Naim Frashërit’; i dallon nga formati dhe ngjyrat e kursyera të kapakëve, se i përkasin asaj kohës tjetër kur libri ishte e vetmja dritare për tek bota. Ja për shembull ‘Eskili në prozë’, një libër që i përthyente figurat komplekse të zotave grekë për sytë e pastërvitur të lexuesve fillestarë. Një pjesë e librave që gjenden në këtë skutë mund edhe të jenë ribotuar e të zbukurojnë stendat plot shkëlqim të shtëpive botuese atje matanë ku ekspozohen kapakët, po aq vezullues, mbushur me gërma të florinjta. Por ja edhe ndryshimi i madh: librat e vjetër te stenda e strukur mund t’i marrësh pa u menduar shumë. Ata te stendat vezullimtare duhet t’i hetosh në fillim: të ndalesh te emri i përkthyesit, e nëse s’ta mbush mendjen, të lexosh nja ca faqe për ta çertifikuar dyshimin e për të mos hedhur lekë për karton kur ke shkuar të blesh libër. Nuk ka nostalgji për atë kohë këtu. Është thjesht një vëzhgim; një këndpamje e botës së librit nga kthina e librave të dikurshëm.
Alfred Lela
Add new comment