U fol publikisht për 100 gjyqtarë që mbajnë peng të ardhmen tonë. “Çuditërisht” pasoi heshtja konsensuale
Çuditë zgjasin tri ditë në Shqipëri, por ndonjëherë nuk zgjasin fare. Madje kështu edhe ndoshta bëhen të tilla. Ky është rasti i deklaratës më të fundit të ambasadorit britanik në Tiranë, Nicholas Canon, bërë pikërisht tri ditë më parë gjatë një seminari në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Canon foli për një klikë në gjyqësorin shqiptar e cila “përdor sistemin e drejtësisë si një biznes fitimprurës duke blerë dhe shitur drejtësi”. Sipas tij bëhet fjalë për rreth 100 persona që siç u shpreh ai “mbajnë peng të ardhmen e një kombi”. Ka mes tyre që janë në pozicione kyç, që emërojnë dhe transferojnë kolegët, duke vështirësuar ndërkohë punën e policisë dhe të prokurorëve, vendas e të huaj. Deklarata u bë, por askush nuk reagoi. U përcoll gjerë e gjatë në media, por të gjithë heshtën. Fjala është edhe për ata 3-4 politikanë kryesorë, që nuk rrinë dot pa folur për çdo gjë. Nëse në gjyqësor qenkan 100 që bëjnë klikën, në politikë janë vetëm 3-4 vetë që vendosin për çdo gjë.
Në deklaratën e Canon lihet të kuptohet se ndonjë nga këta gjyqtarë është edhe në KLD, e cila meqë ra fjala drejtohet nga Presidenti i Republikës. I cili edhe ky nuk u ndje pas kësaj deklarate. Nuk është fare normale që ambasadori i një vendi të huaj flet hapur që në gjyqësor keni ca hajdutë dhe garipa që po na rrjepin të gjallë dhe askush nuk flet. Kjo po që është çudi. Po nuk ndjehet çuditërisht as Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, i cili nuk mungon të shfaqet sa herë dikush nga politika hedh ndonjë fjalë jo të mirë për gjyqtarët. Ja, foli kryeministri për gagarelë, u dha unioni me të shpejta: “Me keqardhje të thellë konstatojmë se, kohët e fundit përfaqësues të lartë të politikës po bëjnë deklarata dhe ndërmarrin veprime, të përsëritura, duke anatemuar në mënyrë të përgjithëshme dhe pa dallim gjithë gjyqtarët dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e tij të thellë për këtë fenomen dhe bën thirrje për ndaljen e tij pasi, nuk ndihmon në rritjen e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, forcimin e pavarësisë së vendim-marrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë në vend”, thuhej në deklaratë. Të gjithë po flasin për demokracinë dhe thjesht sa po i bëjnë topin demokracisë. Në Shqipëri, Maliqi i lë dhe i heq mustaqet sa herë do, pa folur këtu për shkopin që e drejton nga të dojë. Të kujtojmë rastin “Beccheti” i cili u kopsit sa hap e mbyll sytë. Madje për këtë rast, ish-kryeministri Sali Berisha kishte kohë të fliste edhe në intervistën e orës 2 të mëngjesit me Sokol Ballën. Foli edhe kryeministri madje. Çështje prioriteti, madje mbi zgjedhjet. Ndaj mund të pyetet natyrshëm: Pse vallë po anashkalohet kjo akuzë e atyre që thirren partnerë, që po nënvizojnë se Shqipëria e ka derën të mbyllur në Europë nëse nuk ndëshkon gjyqtarët e korruptuar? Mund të perceptohet se gjyqësori, ose një pjesë e tij, janë stacioni më i rëndësishëm i këtij ekuilibri të brishtë politik, ku ndikimet dhe influencat mund të lexohen shpejt. Sidomos kur presidenti deklaron në mbledhjen e KLD-së, se “ne do të rezitojmë”. Shtatori nuk është larg dhe me reformën që po përmbyllet sinjalizohen edhe veprimet e para. Por që të mos duken si gjobvënie e njërës palë mbi tjetrën do të ishte e udhës që më parë të gjente një zgjidhje çështja e kandidatëve kriminelë, që fituan në zgjedhje, e që edhe për ta mbahet heshtje. Por mesa duket heshtja dëshmon rëndësinë.
s.z
Add new comment