Thirrje e hapur: Albanologjia në rrezik!

Postuar në 27 Korrik, 2015 14:32

Ardian Marashi, Rektor i Qendrës ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike, ka shpërndarë sot një letër të hapur, (lexuar në takimin e organizuar nga Presidenti në kuadër të diskutimeve pë ligjin e ri për arsimin e lartë) ku apelon për situatën ku ndodhen institucionet e kërkimit shkencor dhenato të albanologjisë. Më poshtë letra e plotë:

Shkëlqesi të nderuar. I nderuar publik.
Më datë 21 korrik 2015 Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin e ri “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. Nuk kemi marrë përsipër të flasim, këtu, për filozofinë e ligjit dhe as për përmbysjen revolucionare që ai do të sjellë në sistemin shqiptar të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Këtu do të flasim për përmbysjen definitive që sjell ky ligj në Qendrën ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike (QSA), duke kërkuar ndihmën dhe solidaritetin tuaj për normalizimin e situatës.
Pasoja e parë e drejtpërdrejtë që solli ky ligj, madje përpara se të nisë të implementohet, është mohimi i statusit të QSA dhe nxjerrja e këtij institucioni jashtë kornizës ligjore. Qysh nga krijimi i tij dhe deri dje, ky institucion ishte pjesë e sistemit shqiptar të arsimit të lartë dhe shkencës dhe rregullohej me ligjin që u abrogua. Sot, ai nuk është më i tillë dhe as ligji i ri, ashtu si dhe asnjë akt ligjor a juridik, nuk e njeh më këtë institucion. Nesër, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ky institucion publik, i braktisur nga ministria e linjës, mbyll derën. Për t’ia dorëzuar çelësat kujt?
Senati Akademik i QSA ka kërkuar me ngulm dhe në mënyrë të përsëritur, pranë Ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe pranë Komisionit parlamentar për edukimin, që ligji i ri t’i njohë QSA-së statusin që ia njihte ligji paraardhës, atë të një institucioni ekuivalent me një universitet publik, të profilizuar në kërkimin shkencor dhe në formimin e thelluar. Në kundërshtim me kërkesën e argumentuar të Senatit Akademik për të ruajtur statusin institucional të njohur me ligj, u realizua çudia më e pabesueshme për një legjislacion modern: institucionit jo vetëm që nuk iu njoh statusi i fituar më herët, por ai u përjashtua nga ligji i ri në mënyrë arbitrare, për t’u gjendur aktualisht pa status ligjor. Asnjë akt rregullator nuk u shpall nga qeveria përpara se institucioni të mbetej pa status dhe as deri tani. Si pasojë, QSA është kthyer, de facto, në një institucion fantazmë.
Sigurisht, nxjerrja jashtë këtij ligji e Qendrës së Studimeve Albanologjike është një vendim i politikbërjes dhe ne duam të besojmë se QSA do të jetë sërish pjesë e një vizioni politik zhvillimor largpamës. Por, deri atëherë, QSA gjendet pa mbrojtje ligjore e pa status:kjo për ne është alarmuese! Alarmi shtohet kur mendojmë se prej dy vjetësh QSA vuan pasojat e një fati politikbërës tekanjoz, në vend që ta shohë veten në qendër të vëmendjes së politikave arsimore e shkencore të shtetit. Sidoqoftë, me gjithë vështirësitë e shkaktuara nga ndërhyrja e politikës, QSA mbijetoi denjësisht, pavarësisht konfiskimit të gjysmës së ambienteve vitin e kaluar e pavarësisht reduktimit disafish të buxhetit operativ për këtë vit. Mirëpo sot, në kushtet e nëpërkëmbjes së sigurisë juridike, ky institucion publik po përjeton gjendjen e falimentimit të pashpallur.
Sot, shkëlqesi të nderuar dhe i nderuar publik, studiuesve albanologë nuk u mbetet tjetër liri, përveç të flasin të lirë për lirinë akademike dhe standardet demokratike të autonomisë së institucioneve në këtë qoshk të Ballkanit. Sot, ashtu si pareshtur përgjatë dy viteve të fundit, arkeologët, historianët, antropologët, gjuhëtarët, kritikët e artit e të letërsisë, enciklopedistët e botës shqiptare, ata që me shumë vështirësi e ngritën dhe e zhvilluan këtë institucion, përsërisin pyetjen: Kur do të dilet nga qarku i mbyllur shqiptar, ku institucionet autonome detyrohen, me ligj, t’i gjunjëzohen politikës?
Kur flasim për Qendrën e Studimeve Albanologjike, flasim për detyrimin që ka shteti shqiptar të mbrojë, me ligj të mirë dhe me financa të mira, jo vetëm trashëgiminë shkencore, po sidomos trashëgiminë shpirtërore e materiale kombëtare(Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 59/1/g),pasi një pjesë e qenësishme e saj ruhet, administrohet e vitalizohet në këtë institucion. Fondi Kombëtar i Arkeologjisë dhe Muzeu Arkeologjik, pranë QSA, ruajnë dëshmitë e patjetërsueshme të rrugëtimit mijëravjeçar të këtij vendi e të këtij populli.Kabineti Kombëtar i Numizmatikës, pranë QSA, administron thesarine monedhave antike të gjetura gjatë një shekulli gërmimesh arkeologjike në mbarë territorin e Shqipërisë së sotme. Fondi Kombëtar Etnografik, pranë QSA, përbën, me objektet e tij të paimitueshme, kujtesën e gjallë artistike e krijuese të kombit. Kartotekat gjuhësore, pranë QSA, numërojnë disa milionë skeda, në të cilat gjallon çdo fjalë e njohur e shqipes qysh para Buzukut. Arkivii Historisë Kombëtare, pranë QSA, aii shkruar dhe së fundmi ai elektronik, dëshmon, përmes miliona faqesh, se cilët kemi qenë, se cilët jemi, se pse kemi qenë pikërisht ashtu e jemi pikërisht kështu në rrjedhë të qindvjetshave të historisë së dokumentuar. Arkivat shkencore të Audiotekës, të Videotekës, të Fototekës, të Skicotekës, të letërsisë gojore dhe të gjuhës e të letrave shqipe, pranë QSA, i japin albanologjisë peshën që meriton në studimet kombëtare e ato ndërkombëtare, të sotme e të ardhme. Kur flasim për QSA, flasim patjetër edhe për Bibliotekën Shkencore Albanologjike, e dyta për nga rëndësia pas Bibliotekës Kombëtare. Të gjitha këto janë ngritur me shumë mund e me shumë përkushtim nga brezat e intelektualëve, të albanologëve, të patriotëve e të shtetarëve shqiptarë, përpara se të themeloheshin institucione qendrore të tilla si Universiteti i Tiranës, Kinostudioja, Akademia e Shkencave, Muzeu Historik Kombëtar, pa të cilat sot, me të drejtë, nuk konceptohet dot kultura jonë kombëtare.
I renditëm këto, pa folur për shumë të tjera, për të theksuar se ligjvënësi lipset të qe treguar veçanërisht i kujdesshëm, i përgjegjshëm e serioz për çdo vendim që lidhet, nga larg a nga afër, për të sotmen a për të ardhmen, me Qendrën e Studimeve Albanologjike,me institutet e saj kërkimore, me fondet e arkivat e saj të specializuara. Nuk është ky institucion si të tjerët! Me këtë nuk duam të themi se ky institucion paska më shumë vlera se një institucion tjetër, por duam të ngulisim në vëmendjen e ligjvënësit se secili institucion publik ka vlerën e vet, të përkthyer në investime publike shumëvjeçare, jo vetëm të karakterit financiar, po sidomos intelektual, kulturor, arsimor, shkencor, për çka çdo institucion duhet ruajtur e zhvilluar. Pesha specifike e instituteve të QSA nuk përkthehet në vlerë monetare, pasi kujtesa e popullit shqiptar, thesaret që ai ka krijuar përgjatë mijëvjeçarëve e që studiohen dhe u transmetohen brezave nga ky institucion, vlejnë shumë më tepër se një bankë moderne, madje edhe në kohë krize si kjo e sotmja.
Ky institucion ka nevojë për qëndrueshmëri, të përkthyer në siguri juridike e financiare.Ka po kaq nevojë edhe për autonomi të mirëfilltë, pa të cilën s’ka liri akademike as kërkim shkencor të besueshëm. Ky institucion kërkon sot t’i rikthehet statusi ligjor, pra tepër pak për aq shumë sa ai ofron! U mbyllën vitin e kaluar disa universitete private dhe sistemi nuk e ndjeu mungesën e tyre. Nesër, nën efektin e “konkurrencës së hapur” që nxit ligji i ri, universitete shtetërore mund të mbyllen, të falimentojnë, ose të kthehen në fondacione. Por, po të ndahen, po të shkrihen, po të mbyllen a të tjetërsohen institutet kërkimore të albanologjisë, ky do të ishte falimentim i paralajmëruar dhe një humbje kombëtare që nuk do ta zëvendësojnë shekujt!
Duam të besojmë se ky parashikim i përzishëm nuk ka gjasa të ndodhë në shtetin tonë modern. Por njerëzit e librave, pasi deshifrojnë ca shenja kuptimplote të mëhershme, i tremben asaj më të keqes, prandaj janë dyshues, e prandaj u vjen të lëshojnë thirrje patetike. Me shpresën se në këtë vend ka ende shtetarë që dinë të dëgjojnë, se ka publik që di t’i bëjë shtetarët të dëgjojnë, se ka institucione europiane që e duan Shqipërinë të jetë njëmend shtet modern.
Ardian MARASHI
Drejtor / Rektor i Qendrës ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.