Stefan Fule: Presidenti duhet të jetë i gjithë shqiptarëve

Postuar në 30 Prill, 2012 12:58

Stefan Fule vjen nesër në Tiranë, dhe do të ketë një seri takimesh pasnesër. Në një intervistë për Top-channel-in dhënë gazetares Arta Tozaj, ai shpjegon qëllimet e pritmëritë e kësaj vizite:

TCH: Përveç reformave politike, sa të rëndësishme janë rezultatet në drejtim të shtetit ligjor, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit, për marrjen e statusit kandidat?
Fule: “Mendoj se ju përmendët çështjet më të rëndësishme, sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, forcimi i demokracisë. Këto nuk mendoj se janë të rëndësishme vetëm për të lëvizur përpara me axhendën e zgjerimit, por ato janë elementët më të rëndësishëm për transformimin e vendit.
Ne kemi realizuar se me proçesin e zgjerimit, e në veçanti me negociatat për anëtarësim, mund të ndihmojmë shumë vendin për proçesin transformues. E për këtë arsye, Komisioni pati këtë qasje të re, në fund të vitit të kaluar, për dy nga 35 kapitujt e negociatave.
Kjo nuk do të thotë se disa kapituj janë më të rëndësishëm se të tjerët, por duke u marrë që në fillim, e jo në fund  të proçesit, me kapitujt 23 e 24 që kanë të bëjnë me gjyqësorin, drejtësinë, sigurinë, liritë e të drejtat themelore, kjo i lejon vendit që jo vetëm të miratojë legjislacionin e të ngrejë institucionet, por shkon në përfitim të qytetarëve që të garantohet me gjurmë provash dhe kjo do të jetë një prej çështjeve më të theksuara të negociatave për anëtarësim, ndaj ka kaq shumë rëndësi e fokus nga Komisioni në diskutimet me përfaqësuesit shqiptarë”.
Mbi zgjedhjen e presidentit, komisioneri pret që partitë politike të bien në ujdi.  
“Ata nuk do të mund të dëgjojnë prej nesh se çfarë duhet të bëjnë ekzaktësisht. Ne nuk kemi për qëllim që të imponojmë këtë apo atë rrugëdalje. Gjithësesi, ajo që do të nënvizoj në Tiranë është që roli i presidentit është i rëndësishëm, madje edhe me sistemin shqiptar. Ai duhet të jetë president i gjithë shqiptarëve. Ai është garanti, jo vetëm i kushtetutshmërisë, por reflekton gjithashtu këndvështrimet, apo shqetësimet jo vetëm të elektoratit të një partie, por të gjithë shqiptarëve. Ai duhet të jetë një element i rëndësishëm në kuadrin gjithëpërfshrës për reformat e hapat e ardhshëm që lidhen me zgjerimin. Ndaj, shpresoj shumë se të gjitha palët e interesuara, të gjitha partitë politike do të bëjnë një ujdi të tillë që të garantojnë se Presidenti i ri shqiptar do të reflektojë pritshmëritë“, ka theksuar Fule.
TCH: A mendoni se deri në vjeshtë mbetet kohë mjaftueshëm për Shqipërinë që të japë rezultate të tilla për të fituar rekomandimin për statusin kandidat?
Fule: “Ka një përgjigje të shkurtër e të qartë për këtë pyetje. Po. Absolutisht, po. Nëse ekziston vullneti, ekziston dhe mënyra. Ne jemi të vendosur për të asistuar Shqipërinë që të përshpejtojë reformat, të përdorë sa më mirë këtë atmosferë të re pozitive e gjithëpërfshirjeje përsa i takon qasjes për reformat dhe axhendës së zgjerimit.
Mendoj gjithashtu, e ky është elementi i dytë i rëndësishëm, se është e qartë se çfarë mbetet për t’u bërë. Ne nuk po flasim mbi çështje të panjohura. Në të vërtetë, nuk ka kaq shumë ambiguitet. Ka një listë shumë të qartë çështjesh për të çuar Shqipërinë përpara, në të mirën e vetë qytetarëve shqiptarë pikësëpari, e unë mendoj se kombinimi i vullnetit politik me ndërgjegjësimin mbi atë se çfarë nevojitet për t’u bërë, është përputhja më e duhur që Shqipëria të shënojë progres domethënës ende këtë vit.
Dhe unë shpresoj shumë se gjatë vizitës sime unë do të shoh atë nivel të lartë ambicjeje, jo vetëm nga disa, por nga të gjithë politikanët shqiptarë me të cilët do të bisedoj”.
Përveç takimeve me presidentin, drejtuesen e Kuvendit, kryeministrin dhe përfaqësues të tjere të qeverisë dhe opozitës, Stefan Fule do të takohet dhe me Avokatin e Popullit, si dhe do të mbajë një fjalim për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë.
Arta Tozaj

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.