Promovimi i turizmit në mediat botërore, një mënyrë që zyrtarët të bëjnë lekë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur një valë verifikimesh kryesisht nëpër institucionet e qeverisjes qendrore duke dërguar në Prokurori edhe një numër të konsiderueshëm zyrtarësh. Radhën e ka Ministria e Kulturës, të cilën e ka drejtuar për një periudhë kohe edhe kreu aktual i KLSH-së, Bujar Leskaj.
KLSH-ja i është rikthyer një kontrolli të kryer në vitin 2008 të një projekti me vlerë 37 milionë lekë për prodhimin dhe trasmetimin ndërkombëtar të një spoti me qëllim promovimin e turizmit shqiptar, në të cilin kishte hasur mangësi, por vetëm kaq.
Zyra e shtypit e KLSH-së u ka shpërndarë mediave sot paradite një njoftim, në të cilin thuhet se janë kapur me shkelje penale pikërisht në lidhje me këtë projekt gjashtë zyrtarë të MTKRS-së.
Shkeljet janë hasur në procedurat e tenderit dhe dhënien në kundërshtim me ligjin e të drejtës për të prodhuar dhe transmetuar spotin për promovimin e turizmit shqiptar tek CNN-i, një kompanie holandeze, e cila sapo ishte krijuar. Ky është verifikimi i dytë që bëhet brenda pak ditëve në këtë ministri, pas shkeljeve të tjera të kapura me spotin tjetër përsëri për turizmin të publikuar tek Euronews.
Re.Pu.
Add new comment