M. Nano i shkruan ‘tak faj’-it
Një lexues me emrin virtual ‘tak faj’, nuk e ka pritur mirë lajmin me titull “Edi Rama ka zënë të pijë cigare; dhe në mendje ka zgjedhjet e tjera”. “… Për kësi lajmesh e ndërrove faqen e web-it, për t’na informuar nëse pi apo s'pi cigare Ed Rama?”, pyeste ‘tak faj’-i në thelb, me ca nervozizëm. Në fakt, më vjen keq që nuk është kuptuar mesazhi i lajmit. Çështja pra nuk është nëse pi, apo s’pi cigare Edi Rama. Çështja është që ai e ka rifilluar cigaren pas zgjedhjeve. Dhe unë e di se ç’do të thotë ta rifillosh cigaren. E kam lënë, e më duket e çmendur ideja për ta rifilluar. Sipas meje, ta rifillosh është më e vështirë se sa ta lësh. E kjo tregon se Rama është traumatizuar prej asaj që ka ndodhur, e në këtë mes kemi të bëjmë me një lajm, që ç’ke me atë punë.
Pastaj s’do ish ndonjë hatá edhe sikur të flisnim për cigaret, për brekët që vesh e për vezët syze që Rama mund të hajë në mëngjes; ashtu si dhe për Berishën që noton në Dhërmi. E mëqënëse ra fjala, e keqja e lajmit “Berisha noton në Dhërmi” nuk qëndron tek vetë lajmi, por tek idiotësitë me thyerje rekordesh. Ndërsa lajmi në vetvete ka kuptim e hahet, sidoqë është fare i lehtë. Për kryeministrat edhe jepen lajme të tilla. Disa ditë u morën gazetat britanike e italiane me David Cameron-in që s’i pagoi bakshish një kameriereje në Toskanë. Personalisht, nuk është se një informacion të tillë mezi e pres që ta lexoj, por edhe ndonjë bezdi nuk më jep. Kur nuk jepet me tepri, kuptohet.
Add new comment