Libia dënon me vdekje djalin e Gadafit, Saif al Islam. Por në vendin e shpërbërë, një grup rebelësh refuzon t’ia dorëzojë gjykatës
Ndërsa vendi gjendet në shpërbërje dhe në kaosin më të rrezikshëm të dekadave të fundit, një gjykatë në Libi ka dënuar me vdekje djalin e kolonelit Muammar Gaddafi, Saif al Islam dhe 8 bashkëpunëtorë të tij për krimet e kryera gjatë kryengritjes së vitit 2011. Saif al Islam dhe njerëzit e afërt me të ishin në proces me disa dhjetëra bashkëpunëtorë të tjerë të liderit të rrëzuar, i akuzuar për shtypje të dhunshme të protestave. I biri i diktatorit nuk ndodhej në sallën e gjyqit në momentin e dhënies së vendimit, por ishte i lidhur me një video-konferencë. Aktualisht ai mbahet nga një ish-grup rebelësh nga qyteti Zintan, që refuzon ta lirojë, raporton BBC në edicionin online. Ish-shefi i shërbimeve sekrete të regjimit Gaddafi, Abdallah al Senousi është mes personave të ndëshkuar me dënimin me vdekje dhe po ashtu edhe ish-kryeministri Baghdadi al Mahmoudi. Megjithatë, atyre do t’u jepet e drejta e apelimit.
Saif dikur figuronte mes elementëve të moderuar të dinastisë dhe shpresohej të merrte frenat e drejtimit të vendit pas kolonelit, për ta futur në rrugën e modernizimit. Por ngjarjet rrodhën ndryshe dhe sot Libia është në dekompozim të plotë, me fraksione e zona të kontrolluara nga grupe luftëtarësh, ku nuk mungon dhe prania e fortë e një grupi përkrahës të ISIS.
a.j
Add new comment