Kush e ka pësuar nga taksa e sheshtë?

Postuar në 14 Prill, 2012 11:30

Në tryezën e PS-së rreth punësimit, të zhvilluar dje në Tiranë, Edi Rama deklaroi se taksa e sheshtë “e Saliut”, jo vetëm që nuk e ka rritur punësimin në Shqipëri, por e ka ulur. Duke iu referuar shifrave zyrtare të INSTAT-it “të Saliut”, ai tha se numri i të punësuarve është ulur me 22 mijë qysh kur u aplikua taksa e sheshtë. Dhe llogaritja e Ramës është e saktë - sipas statistikave të INSTAT-it (http://www.instat.gov.al/ ), në vitin 2007 (para se të zbatohej taksa e sheshtë), kishte 939 mijë të punësuar, ndërsa në vitin 2010 kishte vetëm 917 mijë. Pra, punësimi, në vend që të jetë shtuar, është pakësuar me plot 22 mijë vetë.

Por në tryezën e PS-së nuk u adresua një tjetër pyetje – gjegjësisht, kush e ka pësuar nga taksa e sheshtë?

Duke përdorur të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave mbi tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive, si dhe të dhënat e INSTAT-it mbi të punësuarit në sektorin jo-bujqësor dhe numrin e kompanive, llogaritëm se si ka ndryshuar barra mesatare e këtyre dy lloj tatimeve nga viti 2007 në vitin 2010. Për të zhveshur efektin e inflacionit, të gjithë llogaritjet i bëmë me vlerën që leku ka patur në vitin 2010.

Nga llogaritjet na rezulton se barra mesatare e tatimit mbi të ardhurat personale e të punësuarve dhe vetëpunësuarve në sektorin jo-bujqësor ka qenë rreth 240 mijë lekë të vjetra për çdo të punësuar në vitin 2007 dhe rreth 600 mijë lekë të vjetra në vitin 2010 (të vetëpunësuarit në sektorin bujqësor nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat personale). Pra barra mesatare e tatimit mbi të ardhurat personale ka pësuar një rritje prej rreth 340 mijë lekë të vjetra në vit për të punësuarit dhe vetëpunësuarit e sektorit jo-bujqësor.

Ndërsa një panoramë e kundërt vihet re në barrën mesatare të tatimit mbi fitimin e kompanive. Në vitin 2007, kjo barrë ishte 11,6 milionë lekë të vjetra për çdo kompani që paguan tatim mbi fitimin dhe në vitin 2010, ajo zbriti në 9.1 milionë.

E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.