Ish-kryeministri italian Massimo D’Alema: Paratë për Greqinë i morën bankat gjermane! Këtyre parave grekët nuk iu marrin as erë
Thuhet: ‘Ne paguajmë pensionet e grekëve’. Jo! Ne paguajmë bankat gjermane, dhe këtyre parave grekët nuk iu marrin as erë”. Me këto fjalë përfundonte intervista e Massimo D’Alema për “RaiNews24”. Ish-kryeministri i Italisë ishte ftuar për të komentuar thirrjen, të cilën e ka nënshkruar ndërmjet personaliteteve të tjera Nobelistët Stiglitz dhe Krugman, për t’i kërkuar autoriteteve europiane më tepër fleksibilitet për borxhin grek dhe për politikat e masave shtrënguese. D’Alema e mbyllte intervistën e tij me një shembull, për të dëshmuar përse një bashkim monetar nuk mund të funksionojë pa një buxhet të përbashkët dhe përse pabarazitë mes vendeve të pasura dhe të varfëra kanë gjasa të shtohen pa një bashkim politik. “Në Gjermani kostoja e parasë është tepër e ulët”, shpjegoi D’Alema, “kështu që bankat gjermane grumbullojnë para me një kosto thuajse zero. Me ato para blejnë titujt e Greqisë, e cila duke qenë një vend në rrezik paguan përqindje tepër të larta, 15%. Në këtë mënyrë përfitojnë një mal me para”. Me fjalë të tjera, përmes ndryshimit të normës së interesit, “burime të mëdha transferohen nga një vend i varfër, Greqia, te një vend i pasur, Gjermania. Vendi i varfër varfërohet gjithnjë e më shumë, vendi i pasur avantazhohet gjithnjë e më shumë”.
Add new comment