Fantazmat e Dashurive të Shkuara – një film romantik për të gjithë

Postuar në 19 Gusht, 2011 04:45

 Matthew McConaughey (shqiptohet Mekkonëhej) është padyshim një nga aktorët më të talentuar dhe më tërheqës të Hollywood-it. Performanca e tij në filma të suksesshëm si “Si të humbasësh një djalë në 10 ditë” (How to lose a guy in 10 days), “Të banosh me prindërit” (Failure to Launch), “Etja e thesarit” (Fool’s Gold) e të tjerë e kanë shndërruar atë në ikonë të kinemasë të adhuruar anembanë globit. Por filmi “Fantazmat e Dashurive të Shkuara” (Ghost of Girlfriends Past) , për mendimin tim i jep atij, një dimension më të gjerë njerzor dhe mund të konsiderohet si një nga interpretimet e tij më të mira. Kjo ndoshta edhe për arsye se në krah të tij në këtë film ndodhej një tjetër ikonë e kinemasë bashkëkohore, e bukura Jennifer Garner, aktorja e filmave të njohur “Nga 13 në 30 vjeç. Një vështrim në të ardhmen” (13 going on 30) dhe “Elektra”.

Filmi  “Fantazmat e Dashurive të Shkuara”, me regji të Mark Waters u xhirua në shtetin Massachusetts nga 19 shkurt 2008 deri në qershor 2008 dhe u shfaq premierë në kinema më 1 maj 2009.

Subjekti

Connor Mead (McConaughey) është një fotograf profesionist i botës së modës dhe reklamave. Ai është një beqar feminist i papërmbajtur që urren martesën, ndjenjat dhe  lidhjet e gjata me bazë dashurinë. Për të lidhja mashkull-femër duhet të jetë kazuale, vetëm për seks, pa implikime të ndjenjave, aq më keq të dashurisë dhe më pas martesës. Ai kthehet në shtëpinë ku ishte rritur, për të marrë pjesë në martesën e vëllait të tij Paul (Breckin Meyer), por me qëllim ta bindë atë të heq dorë nga kjo martesë. Ata janë shumë të lidhur me njeri-tjetrin, për faktin së kur Connor ishte 10 vjeç dhe Paul shumë i vogël, prindërit e tyre humbin jetën në një aksident me makinë, duke i lënë fëmijët me xhaxhain e tyre feminist dhe aventurier Wayne Mead, interpretuar nga Michael Douglas. Ishte ky xhaxha që i mësoi Connor-it artin e joshjes dhe mënyrat e sjelljes me femrat.

Kur mbërrin në shtëpinë e prindërve Connor takon Jenny Perotti-n (Garner), dashurinë e tij të madhe të fëmijërisë që më vonë kishte rënë viktimë e joshjes së tij, e cila ishte organizatorja e dasmës. Në mbrëmjen para dasmës ai i fyen të gjithë të ftuarit me shprehjen hapur të përbuzjes që kishte për martesën. Ai ngrihet nga tavolina dhe shkon në banjë ku ndesh fantazmën e xhaxhait të tij Wayne, i cili i thotë së ai po e çon jetën dëm me aventurat e tij seksuale dhe pa thelb. Ai e paralajmëron Connorin se do të vizitohet nga tre fantazma që do ti mësojnë atij diçka shumë të rëndësishme për veten.    

Kur shkon në dhomën e tij Connor vizitohet nga fantazma e parë në formën e Allison Vandermeersh (Emma Stone), e dashura e tij e parë në shkollë të mesme, e cila shërben si fantazma e të shkuarës. Të dy vizitojnë skena nga e kaluara duke u përqëndruar në lidhjen e Connor me Jenny-n që kur ishin fëmijë. Ajo i fali atij aparatin e parë fotografik të çastit me të cilin Connor i bën Jenny-t fotografi dhe i thotë se do ta mbajë atë fotografi me vete sa të jetë jeta. Në klasë të tetë ata janë bashkë, por në një mbrëmje Connor heziton ta ftojë atë për të kërcyer dhe Jenny kërcen me një djalë tjetër të cilin e puth gjatë vallëzimit. Connor ndihet keq, largohet nga mbrëmja dhe ia tregon gjithçka xhaxha Wayne-it i cili fillon ta instruktojë atë se si të josh femrat vetëm për seks pa ndjerë asnjëherë dhimbje. Për dy vjet rrjesht xhaxha Wayne i mëson Connor të gjitha triket e profesionit të donzhuanizmit. Kur ky i fundit pa Jenny-n përseri, ishte në një parti në shkollë të mesme. Ai e injoron atë dhe bën seks me Allison. Disa vite më vonë ata takohen përsëri si të rritur dhe duket qartë se Jenny ka të njëjtat ndjenja që nga fëmijëria për Connorin dhe pranon të lidhen bashkë por me kusht që ai të mos e trajtojë si të tjerat dhe të mos kryejnë marrëdhënie menjëherë. Më në fund pas disa javë shoqërimi ata flenë bashkë dhe Connor e kupton se ka rënë në dashuri. I zënë nga paniku ai largohet natën me frikën mos lëndohet përsëri. Jenny zgjohet vetëm me zemër të thyer dhe fillon të qajë me ngashërim. Connor vazhdon jetën e tij me lidhje të shkurtra me një numër të madh grash që i shfaqen si një paradë e pafund.

Connor zgjohet në shtëpinë e prindërve në të tashmen. Aksidentalisht ai prish tortën e dasmës dhe përpiqet të pajtohet me Jenny-n. Ai sulet jashtë dhe ulet në makinë ku takohet me fantazmën tjetër në formën e asistentes së tij Melanie (Noureen DeWolf), e vetmja femër në jetën e tij që ka qëndruar gjatë me të, e cila shërben si fantazma e të tashmes. Me të ai shikon se në mungesë të tij të ftuarit e tjerë në dasmë tallen me të dhe jetën e tij pakuptim. Paul e mbron vëllain duke thënë se Connor e kishte rritur atë pasi prindërit kishin vdekur dhe se ai shpresonte se një ditë vëllai do të ndryshonte. Connor shikon gjithashtu se Jenny po afrohet me një tjetër dhe mendon i shqetësuar se veprimet e tij po i çojnë ata më afër me njeri-tjetrin.

Kur kthehet në shtëpi, Connor zbulon se vajza me të cilin vëllai do të martohej, Sandra (Lacey Chabert), është shumë e zemëruar, pasi ka marrë vesh se Paul ka fjetur me një nga shoqet e saj, tani shoqërueset e nuses, në fillim të lidhjes së tyre, një infomacion që i kishte shpëtuar Connor-it pak më parë.  Ai mundohet ta qetësojë situatën por e prish edhe më keq. Atëherë Paul i thotë atij të largohet sepse nuk është më i mirëpritur në dasmën e tij. Kur del jashtë Connor ndesh fantazmën e tretë e cila e çon atë në të ardhmen, në fillim në një kishë ku Jenny po martohet me atë që njohu në dasmën e Paul-it. Atje ai shikon të vëllain vetëm pa unazë në gisht, që tregon se dasma e tij kishte dështuar. Më pas fantazma e çon më tej në kohë, kur ai shikon të vëllain të plakur që shkon në një varrim. Në ceremoni është vetëm prifti dhe Paul. Connor hedh sytë tek guri i varrit dhe lexon: Connor Mead. Në varrimin e tij nuk kishte njeri tjetër!

Connor zgjohet i fantaksur dhe mëson se nusja, Sandra, e kishte anulluar dasmën dhe së bashku me babain dhe shoqet ishte nisur për në aeroport. Ai pikas makinën në të cilën ndodhej Sandra dhe sulet në dëborë me makinën klasike të xhaxha Wayne-t dhe arrin ti ndalojë. Ai e bind Sandrën të mos bëj gabimin e tij dhe të largohet  për shkak të frikës nga dashuria e vërtetë, ashtu siç kishte bërë ai në gjithë jetën e tij boshe. Ai i thotë asaj se dhimbja e zemrës së thyer nuk është asgjë para dhimbjes që shkakton pendesa që piksëpari nuk e rrezikove atë zemër asnjëherë.

Ai ndihmon Jenny-n të organizojë dasmën dhe në fund i tregon asaj fotografinë që i kishte bërë kur ishin të vegjël dhe i thotë se nuk e kishte hequr kurrë nga xhepi. Ata puthen dhe kërcejnë nën ritmin këngës “Do të vazhdoj të të dua gjithmonë” (Keep on loving you) të REO Speedwagon,  muzika e asaj nate kur Connor kishte hezituar ta ftonte në vallëzim. Ndërkohë filmi mbyllet me xhaxha Wayne që edhe pse fantazëm nuk heq dorë nga ngacmimi dhe iu qepet fantazmave femra.

Filmi është një adaptim  i lirë i romanit të Charles Dickens “Një këngë Krishtlindjesh” por në vend të Krishtlindjeve kemi një dasmë. 

Përgatiti A.Kola

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.