Drejt gjyqit përplasja Basha-Crown Agents. Kompania: Hamendësimet shpifëse kanë dëmtuar reputacionin tonë, po punojmë me standardet më të larta të ndershmërisë
Një ditë pas ambasadës britanike ka reaguar edhe vetë britanike Crown Agents lidhur me akuzat për korrupsion, të artikuluara kryesisht nga shefi i opozitës, Lulzim Basha. Duke përsëritur pak a shumë ato që tha ambasada britanike, kompania kërkon që politika ose të faktojë ose të tërheqë akuzat.
"Crown Agents nuk ka ndërmend të përfshihet në një debat politik mbi llojin e punës që kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë në Shqipëri. Sigurisht që i mirëpresim këshillat dhe sugjerimet konstruktive mbi mënyrat se si puna jonë mund të përmirësohet dhe njëkohësisht mbetemi gjithnjë të hapur për t’i diskutuar këto çështje me këdo.
Sidoqoftë, ne i refuzojmë krejtësisht akuzat dhe hamendësimet shfipëse të bëra së fundmi nga disa politikanë dhe analistë, për sa i përket ekzistencës të qoftë edhe një elementi të vetëm korrupsioni në procesin e marrjes dhe zbatimit të kontratës tonë. Këta individë nuk kanë paraqitur asnjë provë të vetme në mbështetje të këtij pretendimi dhe as që do të kenë mundësinë ta bëjnë diçka të tillë sepse pretendimet e tyre janë plotësisht të pavërteta. Për këtë arsye u kërkojmë këtyre personave, me gjithë respektin, që t’i tërheqin akuzat e bëra"-thuhet në njoftim.
Për të ruajtur reputacionin kompania thotë se do të ndjekë çdo rrugë ligjore që nuk përjashton një padi për kreun e opizitës.
"Crown Agents punon mbi bazën e standardeve më të larta të ndershmërisë dhe integritetit dhe çdo akuzë për korrupsion merret shumë seriozisht nga ne. Njëkohësisht, ne do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme e të duhura për të mbrojtur dhe ruajtur reputacionin tonë ndërkohë që përballemi me akuza të pabaza"- përfundon njoftimi.
l.m
Add new comment