Doshi, përpjekja për rikthim në PS përballë provave që “rrjedhin” nga Prokuroria
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/9374_image_6038.jpg?itok=dKyR7kf6)
Para disa ditësh mediat përcollën si lajm rikthimin në Parlament të deputetit Tom Doshi. Ky i fundit vinte në seancë pas çështjes së bujshme ku ai akuzonte Ilir Metën si porositës të një vrasjeje të mundshme të tij. Një rikthim që nuk mund të kalonte pa një detaj tipik: Z. Doshi iu hakërrye Erjon Braçes me fjalë të pista për edukatën parlamentare: “Pse nuk flet or legen”, ishte fjalia e z. Doshi. Një ditë më pas, nga prokuroria rrjedh video e ballafaqimit mes Doshit dhe Durim Bamit, i akuzuar si varsësi me pagesë i vrasjes së hamendësuar se urdhërohej nga Ilir Meta. Bami i thotë Doshit se e gjitha ishte inskenim që e kishin gatituar ata vetë. Disa ditë më pas, Doshi vjen sërish në vëmendje për një takim me Gramoz Ruçin. Në media u përfol rikthimi i mundshëm i Doshit në Partinë Socialiste, edhe pse nuk dihet nëse ai është përjashtuar ndonjëherë formalisht nga ajo parti. Si për “çudi” këtë lajm e pasoi zbardhja e dëshmisë së Edi Ramës dhe Sali Berishës në Prokurori, ku kryeministri shprehet sesi Doshi e kishte njoftuar për tentativën për vrasje dhe sesi edhe “kryetari i Kuvendit ishte shumë e shqetësuar se kjo ishte një intrigë”. Më interesantja: Doshi i kishte kërkuar Ramës “ta plasim çështjen në Parlament dhe të heqim prokurorin”. Një sjellje tipike kjo që provon sesi karrierat në Shqipëri i vendosin 3-4 vetë. E habitshmja në këtë histori me seri kundërthënëse është fakti se Prokuroria është bërë si thes i shpuar, prej nga ku rrjedh informacion, dëshmi, video etj.. Mendja ta do, se kjo luftë për të mbajtur publikun të informuar mbi “atë se çfarë përfaqëson Doshi në këtë histori”, lidhet pikërisht me rikthimin eventual të deputetit në fjalë në PS. Publikimi i këtyre fakteve e bën të sikletshëm këtë marsh mbrapa, edhe pse asgjë nuk çudit më. Nëse publiku nuk përfillet në këtë kuadër, me interes është të shihet se çfarë mund të prodhojë një rikthim i Doshit në PS, në marrëdhëniet PS-LSI. Do të ishte shumë e papërtypshme të kalonte normalisht edhe një bashkëjetesë si kjo. Por në Shqipëri jemi, çfarë nuk ndodh.
s.z
Add new comment