Demokraci në zhvillim, të gjithë të “majtët” janë të shqetësuar për PD-në. Aq sa propozohet edhe koalicion
Vihet re një dukuri e pazakontë pas zgjedhjeve. Socialistët, d.m.th drejtuesit e tyre, po flasin të shqetësuar për situatën në Partinë Demokratike. Po i qajnë hallin Shqipërisë se mos na nglet pa opozitë. E nisi kryeministri Edi Rama, kur gjatë festës së 24 vjetorit të PS-së tha se u dha kjo votë, ngaqë shqiptarët nuk mund të pranojnë këtë opozitë. Aty për aty këputi një nga ato të vetat, Majko, kur u shpreh i shqetësuar për barrën e madhe që u ka rënë të majtëve që do qeverisin 2/3-at e shqiptarëve, ndërkohë që siç dihet PS-LSI thjesht po shohin punët e veta. Nuk mund të mungonte as Spartak Ngjela, një lloj gjinkalle e “Facebook” kur paralajmëroi se “socialistët nuk të falin”, apo “se po qe se Berisha nuk heq Bashën, PD-ja humbet në 2017-ën”. Më e fundit vjen sot, nga ish-themeluesi i PD-së, Blendi Gonxhe, ish-nënkryetar bashkie në kohën kur kryetar ishte Edi Rama. Në një intervistë për “TemaTv” Gonxhe hedh idenë e një bashkëpunimi PS-PD. “PD duhet të mos ketë komplekse, PD duhet ta shohë PS-në si alernativën e parë në debate shumë të rëndësishme. Unë e shoh si të vetmen mënyrë që vendi të kishte një pakt të vërtetë për të ardhmen e vet. Sepse duke ardhur kjo gjë vetëm nga partitë e majta nuk do të kishte një të ardhme të shëndoshë”, thotë Gonxhe. Madje, kësaj logjike, ish-themeluesi i shton edhe një tjetër arsyetim, sipas të cilit një PD-në opozitë, do na u rrezikoka nga votat e alternativave të reja. “Tani që ne flasim nuk ke KOP, dhe unë nuk e di se çfarë do të ndodhë me PD-në. Në rast se përfundon e treta e katërta apo e pesta në zgjedhje mund të fillojnë të krijohen parti të reja, ndoshta grupime të reja të cilat mund të marrin forcë. Ju e shihni se çfarë po ndodh me lëvizjen e zotit Bojaxhiu dhe ndoshta mund të ketë forca intelektuale të cilët nesër mund të synojnë nesër për një 10 për qindsh”, thotë Gonxhe. Mirëpo lind pyetja: Nëse Bojaxhiu doli me tezën e kundërshtimit të modelit PS-PD, a mos vallë një hyrje e PD-së në aleancë me PS-në e lë fushën e opozitarizmit bosh? Dhe pyetja tjetër më parimore: pse vallë duhet PD-ja të bëjë këtë hap, kur vota e shqiptarëve e ka përcaktuar në vend të dytë, në opozitë? Në këtë sistem është vota ajo që të cakton karrigen, jo kësi lloj marifetesh që hidhen në emër të moszhdukjes së një partie nga skena. Më tej akoma: a nuk votuan shqiptarët Aleancën për Shqipërinë Europiane, “Drejtimin e duhur” PS-LSI-PDIU? Si vallë të shpërfillet ky vullnet? Gonxhe është shumë origjinal në idetë e veta kur shton se nga afrimi PS-PD, edhe Edi Rama ka përfitime. Madje përfitime morale. “Mendoj se në shumë fenomene negative që sot PS është e kushtëzuar të mos t’i prekë dot, do të ishte e mundur t’i trazonte nëse PD do të kishte një mentalitet krejt tjetër. Pra nëse PD do të hiqte dorë nga interesat e saj dhe do të punonte për interesat e popullit”, vijon ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, që nuk dihet se për cilën arsye beson se PS-ja dhe Edi Rama punojnë për interes të popullit dhe jo për interesat e veta. Interes i popullit, madje imediat duket të jetë nevoja për opozitarizëm. PD-ja nëse lexon votën është në opozitë. I duhet të bëjë opozitarizëm dhe të largojë nga vetja, pa harruar dhe mohuar, ngarkesat e tepërta. I duhet edhe që Lulzim Basha të bëhet kryetar, po arriti ndonjëherë të bëhet. Parimisht, përballë një mazhorance në luftë të brendshme të vazhdueshme dhe një krize ekonomike, ndaj së cilës mungon përgjigja, rruga e opozitës është tërësisht legjitime dhe do të gjejë atë motivimin që mungon sot, e të cilin e mbyt edhe heshtja e shumëkujt që deri më dje përfaqësohej te kërcënimet për varje në palma.
s.z
Add new comment