"Dështoi me Greqinë, dështoi me Europën...Merkel do një Europë të shteteve – kombe”

Postuar në 06 Korrik, 2015 16:25

Kriza greke dhe ajo që ndodhi me referendumin e së djelës, duket se ka vënë shumë njerëz në mendime. Për atë që Europa duhet të jetë dhe ndoshta se politika e ndjekur deri më tani, arriti kufijtë e vet. Thomas Piketty, ekonomisti i njohur francez, në një intervistë për gjermanen “Die Zeit” thotë se konservatorët, sidomos ata në Gjermani, janë duke e shkatërruar idenë e Europës dhe idealet e saj për shkak të injorancës shokuese të tyre historike. Sipas tij, përvoja gjermane sidomos, por edhe ajo britanike dhe franceze, flasin se nuk ka vetëm një mënyrë për të paguar borxhet, sikundër u la të kuptohej në rastin e Greqisë. “Shikoni historinë e borxhit kombëtar: Britania, Gjermania dhe Franca ndodheshin dikur në të njëjtën situatë. Dhe kanë qenë në fakt shumë më tepër të zhytura në borxh. Janë ndjekur disa mënyra për të ripaguar borxhin...Sigurisht, unë e kuptoj sesa i rëndësishëm ishte riunifikimi i suksesshëm në historinë personale të kancelares Angela Merkel. Por tani Gjermania duhet të rimendojë gjithçka. Përndryshe, pozicioni në krizën e borxhit do të kthehet në rrezik të madh për Europën”, thotë Piketty(http://www.vox.com/2015/7/6/8900691/thomas-piketty-greek-fin...).
Dhe në planin politik vjen edhe kritika më e madhe në adresë të Merkelit, që perceptohet se do të paguajë personalisht dështimin me Greqinë. Kjo ngaqë është karakteri i sfidave që ka prodhuar politika europiane e Merkelit, ai që dikton rishikimin, por edhe përgjegjësinë. Dhe diskutimi është hapur edhe në Gjermani. Në datën 3 korrik, “Spiegel” publikonte në faqen online një shkrim të gjatë, titulluar: “Në hirin e Angelas: Dështoi me Greqinë, dështoi me Europën”. Dy autorët, Peter Müller dhe René Pfister, që në krye nënvizojnë një fakt: Tsipras manovroi shumë mirë me besimin e Merkel “se në fund ai do të bënte që arsyeja të triumfonte”. Teksa kërkonte ndihmën e Martin Schultz për të bindur deputetë të PASOK-ut, për të votuar një program reformash që mund të kundërshtoheshin nga Syriza, Tsipras, pas takimit, e telefonin kancelaren për të pohuar të kundërtën. Disa minuta më pas lajmëroi në rrjetet sociale referendumin. “Si mund të arrish marrëveshje me një kryeministër që flet me tonet e një mobilizimi ushtarak”, shkruajnë dy autorët. Në çdo rast, përgjegjësia e administrimit të kësaj situate i kalon së pari Gjermanisë, e cila vihet kështu në provën e parë vendimmarrëse në plan europian, që nga bashkimi. Dhe kufizimet e politikës së Merkelit, apo edhe qasja e saj janë faktorë me ndikim negativ. “Këshilltarët e saj pëlqejnë që ta portretizojnë atë si mbretëresha e Europës, si dikush që formëson rrugën e saj. Por në muajt e fundit, ajo po shfaqet si një femër që fshihet pas këshillave dhe rekomandimeve të ekspertëve të FMN-së- pas “teknokratëve” siç e thotë Tsipras. Në këtë kuptim, beteja mes Merkel dhe Tsipras është gjithashtu një betejë mbi përkufizimin e politikes...Një gjë është e qartë: radikalizmi i Tsipras qëndron në fuqinë e aftësisë për të marrë vendime. Nëse ai nuk i pranon rregullat, ai kërkon që ato të shfuqizohen. Kjo është logjika e Syrizas. Dështimi i vërtetë i Merkelit është se ajo nuk arriti, në mënyrë të vendosur të fliste përmes mënyrës së saj të të menduarit”, shkruajnë autorët. Por nëse këto janë elementë të formimit njerëzor dhe politik, apo të taktikës së negociimit, problemi vjen e merr tjetër dimension, kur vjen puna te qëndrimi për Europën, për shtrimin e rrugës, siç thonë këshilltarët e saj. Kriza e 2010-ës ofroi një shans të madh për rritje të pushtetit të Merkelit dhe rolit të Gjermanisë, shans që është konsumuar shumë nga unifikimi i tyre dhe bashkëshoqërimi me politikat e shtrëngimit. Ndryshe quhet “politika e Imperializmit Pedagogjik”. “...Ajo ndoqi një politikë të Imperializmit Pedagogjik me leksionin e disiplinës buxhetore, reformat e tregut të punës dhe privatizimit. Funksionoi në Spanjë, Irlandë, Portugali, por në Greqi, kushtet e imponuara nga kreditorët nuk u panë si ilaçet e nevojshme, por si helmi që po shkatërronte shoqërinë. Merkel e pa çfarë po ndodhte, por ajo nuk kishte kurajën për të përballur pasojat”, vijojnë autorët. Natyrisht, analizat për këtë që ndodhi sapo kanë filluar dhe për nga vetë pesha e problemit, vëmendja është drejtuar nga vendi më i madh, Gjermania dhe kancelarja e saj. Shkrimi përfundon me një pyetje: çfarë do Merkel? Përgjigja ndoshta jep një parashikim për atë që do të ndodhë: “Merkel do një Europë të shteteve – kombe dhe jo një Europë thellësisht të integruar...”(http://www.spiegel.de/international/europe/merkel-s-leadersh...).
s.z

Comments

Submitted by tekniku (not verified) on

Tsipras nuk eshte ne kushtet e Merkel - pesha (qe eshte realisht pergjegjesia) e veprimeve te Merkel eshte pothuaj e pa krahasueshme, edhe prej rrolit qe ka Gjermania ne gjithe Europen. Edhe si figura politike relativisht ne vendet perkatese ato ndryshojne - Merkel eshte nga kancelaret me kohe mjaft te gjate ne detyre dhe reputacion pozitiv nder gjermanet, nderkohe qe Tsipras nuk karakterizohet (te pakten akoma) nga ndonje ndikim i spikatur ne jeten politike te Greqise. Mjaft te marresh vetem keto rrethana dhe kuptohet edhe perseja e dinamikes se dialogut, per te mos hyre ne pergjegjshmeri personale apo ne detaje teknike te diskutimeve. Situata nuk ka sesi te kete zgjidhje te mire, keshtu si ka ardhur dalengadale realiteti - menyra si i qasen palet ndryshon prej peshes qe ndjejne per veprimet e tyre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.