Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit, interesat e bonove të thesarit rriten…

Banka e Shqipërisë e ka ulur katër herë normën bazë të interesit gjatë vitit të fundit. Ajo tani është plot 1 pikë përqindje më e ulët se para një viti, duke qëndruar në minimumin historik prej 4.25 për qind. Në kushte normale, kjo ulje e fortë e normës bazë të interesit do të sillte uljen e interesave të kredive private dhe huadhënies publike të bankave. Por asnjëra prej të dyjave s’po ndodh.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë rezulton se mesatarja e interesave të kredive private të dhëna nga bankat e nivelit të dytë nuk është ulur gjatë vitit të fundit. Kjo ndodh kryesisht prej kërkesës së ulët për kredi, por edhe prej kujdesit që bankat po tregojnë pas rritjes së ndjeshme të kredive të këqija (kredi që marrësit nuk janë në gjendje t’i shlyejnë).
Ndërsa interesat e huadhënies publike, në vend që të ulen, janë rritur. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se krahasuar me fundin e vitit të kaluar, interesat e bonove me afat maturimi një vjecar janë rritur me rreth 0.65 pikë përqindje. Sipas shifrave, rritja e interesave ka prekur thuajse të gjitha llojet e letrave me vlerë edhe ato me afate të tjera maturimi, duke rënduar barrën që paguajnë qytetarët me taksat e tyre.
Pse po ndodh kështu? Dy janë arsyet kryesore se pse kostoja e borxhit të brendshëm po rritet.
E para lidhet me vetë sjelljen e qeverisë në treg dhe mënyrën, se si ajo po administron financat publike. Në tre muajt e parë të vitit, shpenzimet e buxhetit janë rritur përtej çdo parashikimi. Kjo ka bërë që defiçiti buxhetor për këtë periudhë të kërcejë në 275.8 për qind e planit dhe Ministria e Financave e ka mbuluar atë duke rritur fort huamarrjen në tregun e brendshëm. Sipas shifrave zyrtare, në tre muajt e parë të vitit qeveria mori mbi 18 herë më shumë borxh në tregun e brendshëm, nga sa kishte parashikuar në buxhet.
Së dyti, Komisioni Europian u ka vënë kushte bankave europiane, disa prej të cilave janë të pranishme edhe në Shqipëri, që të riekuilibrojnë bilancet e tyre të tronditura nga kriza, duke rritur kapitalin ose pakësuar kredinë që ato japin. Kjo masë ka prekur edhe Shqipërinë, ku disa nga bankat më të mëdha në vend, të cilat mbajnë peshën dërrmuese të letrave me vlerë, kanë filluar të tkurrin huadhënien për qeverinë duke mos rinovuar madje as borxhin ekzistues.
E.Zaloshnja
Comments
Pika e dyte e arsyeve te z.
<p>Pika e dyte e arsyeve te z. Zaloshnja per rritjen e interesit te bonove te thesarit, besoj nuk ka ndikim, jo se nuk qendron si kusht. Ndikimi kryesor eshte 'raitingu' qe i bejne bankat e nivelit te dyte rritjes ekonomiko-financiare dhe garancise se shlyerjes se borxhit ne afat. Rritja e interesit te bonove tregon se po shtrihet reja e zeze e recensionit ekonomik dhe lodrat politike per zgjedhjen e presidentit a zgjedhje te parakohshme. Edhe sikur Banka e Shqiperise te vazhdoje ende te ul normen baze te interesit, bankat e nivelit te dyte do te vazhdojne t'a risin ate per bonot, edhe pse eshte 'kredia' me kryesore e tyre e fitimiprurese. A jemi ne Shqiperi ?! Banka e Shqipersise bene 'deal' me bankat e nivelit te dyte...</p>
Add new comment