39 vjet nga Masakra e Mynihut

Postuar në 05 Shtator, 2011 01:37

5 Shtator 1972. Mynihu, kryeqyteti i Landit të Bavarisë në Gjermani dhe organizatori i Lojrave Olimpike Verore atë vit, zgjohet me një lajm tronditës. Ekipi Olimpik i Izraelit ishte marrë peng gjatë orëve të para të mëngjesit nga një organizatë terroriste palestineze të quajtur Shtatori i Zi. Duke përfituar nga mungesa e rojeve të sigurisë terroristët kishin kapërcyer gardhin dhe kishin mundur të hynin, rreth orës 4.30 të mëngjesit, në seksionin e Fshatit Turistik ku ishte strehuar ekipi izraelit. Dy prej pengjeve, trajneri i mundjes Moshe Weinberg dhe peshëngritësi Yossef Romano  ishin vrarë që në fillim gjatë përleshjeve me pengmarrësit, fakt që u mësua më vonë.

Terroristët kërkuan lirimin e menjërshëm të 234 palestinezëve që mbaheshin në burgjet e Izraelit dhe dërgimi i tyre i sigurt në Egjipt. Ata hodhën nga ballkoni trupin e Weinberg për të treguar që ishin të vendosur në misionin e tyre. Raportohet se autoritetet gjermane iu ofruan shuma të mëdha parash pengmarrësve në këmbim të lirimit të pengjeve, por këta të fundit refuzuan duke deklaruar se “paratë s’kanë pikë vlere për ne; edhe vetë jetët tona nuk kanë vlerë”. Nga vrojtimet në pika të ndryshme dhe nga një bisedë me pengjet u arrit në përfundimin se numri i pengmarrësve ishte katër ose pesë.

Pas bisedimesh të gjata u ra dakort që pengmarrësit dhe pengjet të fluturonin drejt Kairos, megjithëse qeveria e atëhershme egjiptiane kishte bërë të ditur se nuk donte të përfshihej në këtë situatë pengjesh. Në orën 10 të mbrëmjes një autobus i solli pengjet dhe pengmarrësit pranë helikopterëve që do ti çonin ata direkt në Fürstenfeldbruck, një bazë ajrore e NATOS-s. Por policia gjermane po përgatiste në të vërtetë një sulm të shpejtë kundër pengmarrësve me qëllim lirimin e pengjeve. Për këtë ajo kishte angazhuar në pika të ndryshme aeroport  5 snajpera, të cilët thuhet se ishin fare pa përvojë.  Gjithashtu në avionin Boeing 727 me të cilin pengmarrësit dhe pengjet do të fluturonin drejt Kajros ekipi i fluturimit ishte zëvendësuar me policë gjermanë te cilët do të neutralizonin dy pengmarrës që do të vinin të kontrollonin avionin para se të hipnin të tjerët. Pjesa tjetër iu mbetej snajperave. Por gjatë transportimit nga godina tek helikopterët u pa se terroristët ishin tetë dhe jo pesë ose katër siç kishin kujtuar në fillim. Kur kjo u mor vesh policët e avionit e anuluan misionin pa u konsultuar me shefat e operacionit. Helikopterët mbërritën në aeroport në orën 10.30 dhe kryetari i grupit të terroristëve shkoi të shikonte avionin. Kur e gjeti atë bosh ai kuptoi se iu ishte ngritur kurth dhe u kthye për tek helikopterët. Aty filloi beteje mes tyre dhe snajpërve. Duke e parë se nuk kishin asnjë  rrugë shpëtimi tërroristët ekzekutuan të gjithë pengjet. Në përfundim të betejës rezultati ishte tragjik: 17 të vrarë, 11 izraelitë, 5 terroristë dhe një polic gjerman që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit në aeroport.  Tre pengmarrësit e mbijetuar u arrestuan, por u liruan më vonë kur organizata terroriste Shtatori i Zi rrëmbeu një avion të Lufthansa-s.

Kjo ngjarje e 5 shtatorit 1972 ka hyrë në histori si Masakra e Mynihut dhe është përjetësuar nga Hollwood në filmin Mynih dhe në qindra botime në të gjithë botën.

A.Kola

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.