20-vjetori i masakrës së Serbrenicës, Vuçiç lë shënim në librin e kujtimeve, pasi më parë kishte bërë thirrje publike për vrasjen masive të boshnjakëve. Thaçi nuk lejohet të kalojë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/5954_d2ce2e76-bc6a-4dfc-8592-9fd85695e8d5_cx0_cy10_cw0_mw1024_s_n_r1.jpg?itok=uqWsyAoM)
Bosnja shënon sot 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, masakra më e rëndë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Rreth 15 mijë djem e burra arritën të shpëtojnë duke u larguar përmes pyllit, por shumë prej tyre u vranë nga ushtarët serbë që u zunë pritë të maskuar me uniforma të OKB-së. Lufta në Bosnje kishte shpërthyer në prill 1992. 20 vjet pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive.
I pranishëm në ceremoni është edhe kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili ka lënë edhe një shënim në librin e kujtimeve të vendosur në hollin ku po zhvillohet ceremonia. Vuçiç 20 vjet më parë kishte bërë thirrje publike për vrasjen masive të boshnjakëve. I pranishëm eshte edhe ish presidenti amerikan Bill Klinton si dhe perfaqesuesja e larte e BE, Frederika Mogherini. Ndërsa zëvendës kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi njofton se nuk është lejuar të hyjë në Bosnjë pasi sipas tij është cilësuar si person i padëshiruar nga Republika Srpska.
“Përkundër ftesës zyrtare dhe vizës së rregullt të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës, në momentet e fundit nuk u lejova të udhëtoj për të marrë pjesë në komemoracionet në Srebrenicë me arsyetimin se jam person i padëshirueshëm nga Republika Srpska. Kosova dhe populli i saj me zemër e me mendje jenë me familjet që sot më në fund i varrosin familjarët e tyre që të prehen në paqe dhe me të tjerët që i përkujtojnë etërit, vëllëzërit, bijt e humbur në këtë tmerr. Kështu sot shënojmë 20 vjetorin e gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë dhe 16 vjetorin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë. Populli i Kosovës gjithmonë do të jetë përkrah atyre që promovojnë lirinë, barazinë, drejtësinë dhe pajtimin.” shkruan Thaçi ne facebook.
Add new comment