Do durim e urtësi të përballosh këtë lloj Shqipërie

Postuar në 16 Korrik, 2022 20:34

Maqedonia e Veriut ka ulur edhe njëherë brekët për të pranur atë që askund nuk do ta pranonin. Propozimi francez që është një shembull sesi identiteti bëhet mustardë, është pranuar nga Shkupi dhe tani edhe Bullgaria pritet të heqë veton. Me këtë rast kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka dalë me një deklaratë të vetën ku ndër të tjera thotë: 

U deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t’i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare – pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman. 3 vite me gjëma të pandara, nga tërmeti tek pandemia dhe tani mes pasojave të luftës në Ukrainë mbi çmimin e jetesës këtu e kudo në botë. Këto sfida të jashtëzakonshme kanë vënë në sprovë jo thjesht qeverinë, po karakterin tonë si vend, si bashkësi njerëzish dhe si shumicë qeverisëse natyrisht.

Ja kemi dalë përsëri! Siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, kur thuajse askush nuk e besonte se do t’ia dilnim, do t’ia dalim edhe me krizën e re që ka sjellë lufta, po edhe me negociatat që do ta bëjnë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian

Nuk është e qartë e nuk merret vesh se për kë e ka fjalën zoti Rama, pasi tërmeti dhe pandemia ishin sfida personale, njerëzore më shumë sesa politike. Të siguruar e të pasiguruar paguan vetë në pandemi, se këtu kemi qenë. 

Tërmeti u asistua nga të huajt, ndërkohë që për të gjitha bashkë kush ka dy gramë tru e di shumë mirë se janë halle që jeta i ka. Çe zuri njeriun e se kaloi! Thotë një fjalë e urtë. 

Sëmundje e tërmete ka patur e do ketë, por shoqëritë kanë ditur të reagojnë. Nga ana tjetër pas hapjes së negociatave nuk pati kurrfarë pengese artificiale, sepse Shqipëria është një vend i korruptuar, i drogës, krimit dhe një vend që në fakt është tërësisht artificial si entitet në Europë. Këto i janë vënë në dukje kësaj qeverie që na qenka vënë në provë të madhe, por me vetëmohim e heroizëm ia doli. 

Edhe sot që ka një dritë jeshile, ne e dimë se ndikohet nga Ukraina, së cilës nuk mund t’i hapet dera e Ballkani të mbetet jashtë. E tha këtë kancelari Scholz, shkoi me propozim Macron që donte patjetër një fitore politike dhe u bë. Ku u stërmundua ky vigani i Shqipërisë shkurtabiqe kaq shumë? 

Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund

vijon z. Rama i cili po do të na mbushë mendjen se e ka shumë për zemër këtë vend. E mandej vazhdon me ton amnistuesi dhe moralizuesi:

Faleminderit miqve e partnerëve tanë, që të gjithëve, për mbështetjen, kritikat, por edhe për refuzimet e viteve të fundit, të cilat na kanë ushqyer forcën, kalitur durimin dhe mprehur urtësinë

Këtu qëndron problemi: te durimi për të duruar Shqipërinë e kësaj qeverie që ushtron edhe blegtori dixhitale, monitoron tokën me satelit, dërgon satelitët në hapësirë, por nuk kap p.sh dot një farë Zoto, apo një farë Doli. Durimi është i domosdoshëm për të përballuar këtë Shqipëri të gënjeshtrës industriale, të hipokrizisë së bejlerëve të rinj okcidentalë, ku lumturia dhe suksesi keqkuptohen përherë si fatkeqësi, pikërisht sepse kush do të donte të bashkohej me ngazëllimin e xheladinëve të rinj të këtij vendi?

Po do edhe pak urtësi për ta kuptuar këtë vend, këtë hu të shtrembërt në togun e kombeve që i stonon qytetërimit si Taulant Balla apo Belinda Balluku leximit të një libri p.sh. Do urtësi, shumë urtësi të bësh sikur nuk dëgjon, sikur nuk shikon dhe sikur nuk kupton. Të gjesh të mirën në vrimën e halesë. 

Megjithatë, barku i këtij tabani është i thellë, ndoshta pse pjesa më e madhe kënetë ka qenë. Në çdo rast, modestisht z. Rama i bëjmë thirrje ta ndryshojë kodin e etikës për ministrat. Të pushojnë edhe ata jashtë Shqipërisë. Të dalë Olta në Itali, Elisa, Belinda, Frida e kështu me radhë se tani u bëmë një shtëpi me Europën. Ja edhe po ikëm të gjithë kryeministri mund të thotë kodoshi: po këta nuk kanë ikur, këta kanë ndryshuar vendbanim. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Vllai. Ne Itali njerezit e termetit te vitit 1982 jetojne akoma ne konteinere. Mos flasim per ata te pak viteve me pare. Kjo sepse burokracia shteterore eshte me e interesuar te ruaje menderen e vet se sa te zgjidhe problemet. Kurse ai ja doli. Po. Po flas ne kohen e shkuar. Sepse termeti ne Shqiperi tashme pothuajse i perket se shkuares. Dhe kur im bir kur ka dashur te punoje si nenkontraktor tek "oligarket" e termetit i kane thene se duhet te punoje pa fitim pasi askush nuk po fiton asgje. Dhe une e besoj . Jam shume naiv me sa duket.
Edi Rama eshte i denuar te hyje ne historine e Shqiperise.
Dersa ju duhet te vini shpirtin ne paqe per kete.

Submitted by redaksia on

Hiqe kete “vllai” se nuk shkon ne shqip kjo fjale. Nuk permbushet nga historia. 

Tjetra, shpirti im nuk trazohet nga historia e Shqiperise, kush hyn e kush del ne te. 

Dhe tjetra, Edi Rama ka hyre ne historine e Shqiperise, nuk do hyje. Pastaj se ca zeje eshte kjo e ashtuquajtura “histori e Shqiperise”, kjo tjeter pune. 

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

O Nonimi edhe nje gje tjater kishnjem une plaku, ne historine e nje vendi mund te hysh edhe si m+ti me i madh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.