Një fitore e Rusisë në aspektin strategjik

Postuar në 16 Mars, 2022 13:16

Media të ndryshme kanë raportuar sot për shpërthime në Kiev, ndërkohë që është njoftuar sulmi mbi Odesa dhe Mariupol. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka deklaruar se pala ruse është bërë më realiste në negociata, ndërkohë që një përfaqësues i lartë ukrainas tha dje se lufta përfundon në fillim të muajit maj.

Krahas këtyre njoftimeve kemi një eliminim thuajse të plotë në mediat perëndimore të etiketimeve ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, cilësuar si diktator, i sëmurë, ëndërrimtar i restaurimit të Bashkimit Sovjetik etj..

Gjërat pra po ecin drejt një epilogu të dhimbshëm që duhet të sqarohet mbi bazën e akteve në terren.

Së pari është e qartë se megjithë mbështetjen e madhe publike dhe financiare për Ukrainën, Perëndimi dështoi në mbërthimin e Rusisë në një krizë afatgjatë ushtarake. Pavarësisht ngadalësisë së përparimit të ushtrisë ruse, problemet e së cilës në drejtim dhe planifikim do të shihen në ndryshimet ose jo në shtabin e saj pas përfundimit të konfliktit, raporti ushtarak nuk po diskutohet më se shkon në favor të Rusisë.

Së dyti, Perëndimi dështoi në faktin se nuk arrin dot të kërcënojë me supremacinë e autoritetit Rusinë përderisa nuk iu përgjigj dot goditjes së bazës Yarovivit në Ukrainën Perëndimore, një ditë pasi Kremlini deklaroi se do të konsideronte si shënjestra edhe konvojet e ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës. Përkundrazi, Perëndimi afirmoi kufirin e NATO-s kur përmes sekretarit amerikan të Shtetit dhe presidentit Biden përsëriti disa herë se do të kishte luftë me Rusinë nëse do të prekej një vend anëtar i aleancës. Nuk është rastësi që në dritën e këtyre qëndrimeve pati shkrime në disa media për përgatitje të sulmit rus mbi Poloni apo Letoni, diçka që ka thjesht dhe vetëm karakter provokativ. Me afirmimin e kufijve, Perëndimi i dha Rusisë atë fitore që e kishte kërkuar prej kohësh: ndaljen e zgjerimit të NATO-s në Lindje, një proces që tashmë konsiderohet i ezauruar. Dhe në një pikëpamje strategjike Rusia e arriti këtë me një fitore ushtarake, që nuk po duket spektakolare, por që ka kosto të vogël në krahasim me objektivin e saj dhe faktin se provoi se krahu militarist i politikës ruse nuk mbetet në fjalë.

Perëndimi nuk e zgjidhi dot problemin e tij strategjik me krahun jugor të NATO-s pasi Turqia refuzoi t’i bashkohej sanksioneve, ndërkohë që me neutralitetin e Ukrainës, diçka që po mbështetet fuqimisht, vija nga Balltiku në Mesdheun Lindor, stabilizohet si kufi i ri i dy fuqive rivale.

Koha do të tregojë shumëçka, por ajo që mbetet është realiteti i ri politik në Europë i cili nuk është as pasojë e iracionalitetit, as e ëndrrave të një të sëmuri dhe as prelud i Luftës së Tretë Botërore për të cilën flasin kllounë si këta të Tiranës. Është pasojë e një politike të vjetër të cilën Europa e di shumë mirë, historia ia ka përsëritur pa ndalim, ndonëse ka refuzuar të dëgjojë, kësaj radhe për shkak të besimit se jo vetëm është në anën e duhur të Historisë, por edhe se është më e mirë se pjesa tjetër e botës. Politika e Rusisë në Ukrainë nuk është formuluar nga Putini, edhe pse ai ndoshta e ekzekuton keq atë. Ajo është politikë e sigurisë së saj që për fat të keq aplikohet si formë dare mbi qendrën e kontinentit.

Me këto që po ndodhin, merr fund këtu edhe doktrina operative politike e destabilizimit ndërkombëtar përmes revolucioneve me ngjyra dhe pranverave, eksperimente të rrezikshme që kanë disa dekada që po shembin kohezionin e disa shoqërive e që dëshmojnë një mungesë imagjinate pasi këtë lloj politike ndiqte Kominterni në fillim të shekullit të 20-të. 

Nëse mbledhim të gjitha bashkë, do të shihet se rezultati me kompromis në Ukrainë me gjasë do të çojë në delegjitimimin e paradigmave të demokracisë liberale si forma apriori të globalizimit për të ardhur në një botë të bashkëjetesës me Tjetrin dhe vlerat e tij, një botë të cilën Ne duhet ta pranojmë, ashtu siç dikur shprehej një ndër më të ngriturit e botës liberale.

s.zaimi

Comments

Submitted by Asterisk (not verified) on

Ka kohe qe e lexoj kete portal dhe me pelqen pergjithesisht qendrimi deri diku objektiv i redaksise. Fatkeqessisht, gjithmone e ma pak po me pelqen se fundmi pasi ka nje mllef anti-amerikan dhe nje anesi pro-ruse qe te ben te mendohesh.
Fed, Ruse eshte superfuqi berthamore, e krimbur deri ne palce, raketike, me mungesa te theksuara demokracie e lirish (per popullin e saj ne rradhe te pare, se per ata qe i ve ne zgjedhen e vet ka sjellje mesjetare). Fakti qe ne Ukraine do hyje ne nje akord eshte vetem pasoje e votes ne KS dhe aremve berthamore qe ka. Lufta qe filloi ka qene nje deshtim total dhe qe mund te ishte evituar me diplomaci dhe kercitje te moderuara dhembesh. Ne afatgjate humbjet do te jene te pallogaritshme, ne mos nje rrenim e shkerrmoqje e ngjashme me pas '90-en.
Amerika i 'zgjati kthetrat' deri ne Ukraine dhe e provokoi kete lufte (shkruan redaksia ne te tjera shkrime). E vertete deri diku po te harrojme qe Ukrainasit (bashle me Polaket, Hungarezed, Ceket ,Lituanezet, Shqiptaret, etj.) duan me mire 'papucen' e amerikanit sesa cizmen me gozhda te rusit. Une nuk di se cfare sistemi di redaksia pervec ketij qe kemi ku bota eshte e ndare ne zona influence, dhe kombeve me te vogla e te paarmatosura me 'nukes' i duhet gjithmone nje hije me e madhe. Ah, po, ishte sistemi i 'xhaxhit' me parrullen 'shkemb graniti'...

Submitted by redaksia on

Kur i pyeten ndonjehere shqiptaret se cfare duan. Dhe se cfare duan ata e kane konfirmuar vete qe nga marsi 1991. 

Submitted by Aqif (not verified) on

Ajo papucja amerikane ka tridhjet vjet qe ne gojen e shqiptarit eshte bere si gjethe fiku duke ia gerryer buzet dhe gjuhen.
Vasale dhe puthadore, qaramane dhe jargavece, shoqeri pa shtylle kurrizore.
Krenari kombetare kane dashurine per Ameriken. Dashurine per nenen Parti te Enverit e zevendesuan me ate te sklaaverimit amerikan.
Tridhjet vjet, vetem kane shkaterruar dhe betonizuar. Kete te fundit e quajne zhvillim.

Te mos shkruash asnje analize reale, pa anime, se po e shkruajte pa amerikanofili, te quajne Pro rus.
Nderhyrja ruse ne Ukraine eshte sa 3% e atij genocidi amerikano Natoist ne Irak, Afghanistan, Siri, Libya e atij te tanishem ne Jemen.
Sikur Rusia te kishte derguar raketa ne Meksike, Amerika do e kishte rrafshuar me carpet bombings me keq se Afganistanin.

Submitted by Sabriu (not verified) on

Autor pervec mllefit te tij antiamerikan te cilin e shpreh me fakte kuturu si disfate te perendimit dhe triumf te Rusise nuk kuptohet se cfare kerkon. Lufte te Ftohte 2.0? Qytet-shtete? Demokraci me keshille lokale? Shkruaj sipas motos: Pjerdh-pjerdh se lirohesh. O mik, mos i qaj hallin kaloresit se I varen kembet!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.