Të shtysh reformën në drejtësi
Janari në mos dramatik apo qesharak, do jetë patjetër i trazuar nga hyrja në fuqi e ligjit të dekriminalizimit dhe nisja e miratimit të reformës në drejtësi pas rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias. Kryeministri tha se “në Janar kur të mblidhet parlamenti do të jetë momenti i të vërtetës për shpifjet e SHQUP-it” lidhur me deputetët e inkriminuar të Partisë Socialiste.
Reagimi pedant i kryeministrit për të justifikuar nënshtrimin ndaj Lulzim Bashës dhe kauzës së dekriminalizimit tregon se zoti Rama nuk shkon dot përtej deklaratave kapriçoze në politikë. Mbrojti me fanatizëm “virgjërinë” e listës së vet, por u përgënjeshtrua nga 3 ushtarë “të inkriminuar” që iu rrëzuan rrugës pas presionit në rritje të opozitës; Arben Ndoka, Armando Prenga dhe Mark Frroku.
E bazoi mbrojtjen si fillim në dëshmitë e penalitetit duke vazhduar për ca kohë me sindromën e shurdhit dhe më pas e mbylli me shprehinë e të paditurit. Rama nuk i dorëzoi “kaubojsit” e tij deri në fund dhe disa të tjerë vazhdon t’i mbrojë me zë dhe me figurë. Çdo reagim i kryeministrit për profecitë që do vërtetohen në Janar me shumë gjasë do të zhgënjejë prapë atë, dhe as shqiptarët e as më pak Ilir Metën që vazhdon të jetë shumë optimist për të ardhmen dhe pastrimin e politikës nga të inkriminuarit.
Meta u shfaq më i qetë dhe pa kompleksin se u detyrua të votonte një ligj të imponuar nga Lulzim Basha. “Për ne nuk është çështje statistikash dhe emrash. Jam I kënaqur që iu dha një zgjidhje. Nuk ka rëndësi sesa emra do të penalizohen, e rëndësishme është që shqiptarët do të jenë të qetë”-deklaroi Meta pas takimit.
Kjo mazhorancë po gatuan edhe reformën në drejtësi dhe në Janar ka paralajmëruar fillimin e një Shqipërie tjetër, më të drejtë dhe më pak të korruptuar. Por më i rëndësishëm sesa ligji dhe paketat antikorrupsion është vullneti për ta zbatuar atë dhe çuar para drejtësisë ata që kanë futuar duart në paratë publike.
Kjo do ta bënte koherente reformën e shumëpërfolur me misionin që shumica i mvesh vetes, e cila do të duhet që ta kishte testuar sistemin e drejtësisë deri më tani.
8 vite në opozitë, Partia Socialiste “me në krye, me në krye” Edi Ramën denoncoi skandale dhe ministra të qeverisë së kaluar për korrupsion, klientelizëm, nepotizëm, përfitime kriminale, madje edhe krime shtetërore. Por sapo erdhi në pushtet mbylli kasetofonin e denoncimeve dhe nuk çoi për ndjekje penale asnjë ministër veç Arben Imamit, për të cilin prokuroria pushoi çështjen pasi e gjeti të pafajshëm me tenderat e reklamave të ministrisë së Mbrojtjes.
Dosja me rekomandimet e Komisionit të Venecias është gati dhe nga pikëpamja strukturore reforma do ndryshojë mënyrën emërimit të gjyqtarëve apo dhe specifikime për kompetencat e njerëzve të sistemit të drejtësisë. Shoqëruar me thirrjet e ambasadorit amerikan për largimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, ujërat edhe mund të pastrohen duke u turbulluar me prurje të reja që natyrisht do të kenë mbështetjen e mazhorancës dhe që prapë nuk janë garanci se të korruptuarit dhe ata që e kanë rrjepur këtë vend do të shkojnë pas hekurave. Aq më tepër që transparenca duhet të shtrihet edhe në dy vitet e qeverisë aktuale.
Para pak ditësh ministri i ri i Drejtësisë tha se ndryshimet kushtetuese dhe rekomandimet që po përgatiten nuk janë as 1 /10 e reformës në drejtësi, por gjithsesi le të shohim përpara siç rekomandon edhe vëtë kryeministri. “Reforma në drejtës tanimë kalon një fazë të re, pas mbështetjes së hapur dhe të qartë nga Komisioini I Venecias. Ne jemi të bindur që është përgjegjësi e kësaj shumice për të çuar përpara një proces të tillë për shqiptarët”-deklaroi kryeministri, ndërsa aleati i tij Meta dha këtë koment: Të gjithë duhet të dëgjojmë zërin e qytetarëve shqiptarë, që duan drejtësi”
l.m
Comments
Me duket, nga c'kemi degjuar,
Me duket, nga c'kemi degjuar, ____"uji po turbullohet rruges"___, dhe kjo po behet vetem e vetem per te shpetuar Berishen familiarisht dhe Lul Bashen personalisht. Keto jane levizje politike. Sapo parlamenti yne votoi dekriminalizimin, mbas dy oresh, doli edhe Komisioni Venecias, me vota unanime, dhe shpalli vendimin e saje. E kush i ha ato gjera ? Qysh tani, dolen fjalet qe do te shtyhet per ne pranvere e vere miratimi perfundimtar e reformes ne drejtesi. Qysh tani po e them qe e hengri dreqi kete pune. Nuk ka per t'u bere asgje. Keni per te pare. Vetem fjale e pordhe me rigon.
Add new comment