(Në) Burg!

Postuar në 12 Nëntor, 2015 17:07

E mbajmë mend të gjithë sesi para një viti kryeministri përsëriste thuajse kudo ku shkonte fjalën: burg. Burg për ata që ndërtojnë pa leje, burg për ata që vidhnin energjisë. Në të vërtetë, Edi Rama nuk po bënte asgjë veçse po artikulonte si person politik disa dispozita ligjore ekzistuese. Pra asgjë e jashtëzakonshme dhe e tepruar në këtë drejtim. Por kur një politikan, sidomos në kushtet e një vendi si Shqipëria që nuk ka sistem drejtësie të konsoliduar dhe një kulturë shtetërore solide, artikulon fjalën “burg”, ajo merr konotacionin e një prirjeje për të vepruar me dorë të fortë. Edhe kjo mund të tolerohej deri diku, përderisa baza ligjore ishte në fuqi me kohë si dhe një nevojë për ndërhyrje mund ta përligjte deri diku këtë "trashje zëri". Por në rastin e Edi Ramës, që përfshin edhe kuponin tatimor si vepër që të çon në burg, që e bën burgun referencë psikologjike për biznesin, edhe për ata që shesin rrugëve, që e sheh shpifjen po kaq të dënueshme, vetëm e vetëm se ka humbur rehatinë qeverisëse, pse për herë të parë në jetën e tij politike po sfidohet realisht dhe jo sa për show, kjo qasje, po lexohet si e vemtja strategji politike. Ose më keq: si e vetmja mënyrë të menduari që ky person, i veshur me pushtet, ka për të disiplinuar vendin. Kjo është shqetësuese dhe vetëpërcaktohet si paradigma e domosdoshmërisë që ky njeri të largohet nga pushteti. Sisteme kaq të thjeshtuara të menduari kanë njerëzit e llastuar, ata që i janë larguar realitetit, të cilit i druhen, por që e fshehin përmes një “refuzimi estetik” . Njerëz që në mënyrë simptomatike nuk duan të mësojnë apo të sintetizojnë mjetet dhe taktikën për realizimin e vizioneve të veta-kur i kanë- me ritmin e zhvillimit të vendit dhe mentalitetin. Edhe pse në rastin tonë nuk ka as vullnet dhe as këllqe për të realizuar një operacion radikal të vërtetë. Është thënë e pranuar se edhe Diktaturat e racionalizojnë dhunën, edhe atë verbale, të cilën e kanë lëndë të parë të regjimit politik, por edhe juridik. Ç'mund të thuhet pastaj për sisteme si ky i yni, ku kërkohet më së pari QEVERISJE, e cila huazohet dhe mundësohet me PARATË TONA, dhe pastaj SANKSION.

Edhe në këto kushte mizerjeje është eminente që njeriu që drejton qeverinë, për aq kohë sa i ka mbetur,  të heqë dorë nga reduktimi i politikave administrative dhe ekonomike në sanksione penale. Zotëria qeveris një popull që është në luftën e mbijetesës ekonomike dhe as ai, e as ndonjë tjetër që do të pasojë, nuk ka shansin të sundojë shpirtrat, aq sa t’i falet ky trill prej pseudoshtetari. Zotëria nuk është votuar për Burgun dhe burgosjen, por për Ndryshimin dhe Zhvillimin. Shpresa e atyre që besuan, u përqendrua te ky njeri, e jo tek Ilir Meta që ua poftisi shqiptarëve edhe njëherë në derë. Dhe pse shpresa u internua fatkeqësisht vetëm tek Ky, do të kërkohej një minimum vizioni, bonsensi dhe gatishmërie për politika zhvilluese e sociale. Sepse askush nuk ka nevojë për mender pordhët dhe dënglat e një kryeministri të cilit thjesht i ka mbetur vetëvlerësimi dhe papagalli. Nuk kemi ku të çojmë tonat. Kemi madje tepër, por asnjë për Burg.

Fjala “burg” është e kollajtë të thuhet nga një person që sot ka ende disa mjete në dorë, por edhe kështu, si “ekstazë” e përjetimit të pushtetit, ajo është një shans i shpërdoruar. Një shenjë e trishtë dështimi. Pasi burgu, nëse do të hapej për paudhësi të cilat vërtet mund të jenë “kopsitura”, por janë sërish paudhësi nga ato që po e bjerrin këtë vend,  atëherë ai edhe mund të gjente një mirëkuptim apo konsensus. Por këtë konsensus me sa duket ky kryeministër NUK e do. 

s.z

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

De Gregori ne nje kenge te tijen shprehet "vidh nje molle dhe do perfundosh ne burg, vidh nje pallat dhe do te te bejne mbret"!!! Kjo shprehje i vishet shqiperise se sotme, sikur te ishte krijuar enkas per te.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.