Mazhoranca e 22%-ëshit dhe fuqia politike e Bashës

Postuar në 02 Maj, 2021 17:12
Ilir Sinanaj

Janë zgjedhjet e dyta parlamentare radhazi në Shqipëri ku pjesëmarrja e zgjedhësve në përqindje është më pak se gjysma (pra nën 50%). Madje edhe pse numri i votuesve është më i madh në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 (1,662,386 votues) sesa në ato të vitit 2017 (1,613,810 votues), pjesëmarrja në përqindje është më e ulët; duke rënë nga 46.75% në 46.32%. Nga ana tjetër duhet thënë se numri i votuesve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 (1,749,058 votues) ishte më i lartë se ai i këtyre të vitit 2021.

Krahasuar me zgjedhjet e fundit paralmentare të zhvilluara në vendet e rajonit, Shqipëria ka pjesëmarrjen më të vogël, si edhe është ndër tri vendet ku pjesëmarrja është më të ulët se 50%. Për më tepër, një fakt që duhet theksuar është që për herë të parë Kosova ka pjesëmarrje më të lartë sesa Shqipëria në zgjedhje parlamentare. Në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në Kosovë në shkurt të vitit 2021 pjesëmarrja ishte 48.84%.

Vijojmë me të dhëna të tjera. Në vitin 2017, Partia Socialiste mori 764,750 vota apo 48.34% të votave gjithsej të cilat u përkthyen në 74 mandate deputetësh. E thënë ndryshe edhe pse më pak se gjysma e votave ishte për Partinë Socialiste, ajo mori më shumë se gjysmën e mandateve. Gjithashtu vihet re se mjaftoi të votonte për Partinë Socialiste vetëm rreth 22.15% e të gjithë zgjedhësve shqiptarë që kjo e fundit të merrte 74 mandate deputetësh nga 140 të mundshme.

E njëja gjë duket se po përsëritet në zgjedhjet e vitit 2021. Rezultatet paraparke tregojnë se Partia Socailiste ka marrë 768,250 vota apo 48,68% të votave gjithsej që përkthehet në 74 mandate deputetësh. Përsëri vihet re se mjafton që Partinë Socialiste të votohet nga 21.41% e të gjithë zgjedhësve shqiptarë për të marrë ato 74 mandate deputetësh. Gjithmonë sipas rezultateve paraprake.

Pra për të bërë një përmbledhje të vogël: Në dy cikle zgjedhore votojnë më pak se gjysma e zgjedhësve shqiptarë, nga të cilët më pak se gjysma ia japin votën Partisë Socialiste dhe kjo e fundit merr mazhorancën me 74 nga 140 mandate deputetësh. Shto këtu që kemi pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhjet parlamnetare krahasuar me vendet e rajonit. Për më tepër në Shqipëri sapo u ndryshua edhe Kodi Zgjedhor.

A mund të themi vërtet se kemi pasur një pjesëmarrje masive në votime? A mund të themi se shumica dërrmuese e shqiptarëve ka mbështetur këtë mazhorancë? Në fakt kjo është një mazhorancë e mbështetur me votë vetëm nga rreth 22% e shqiptarëve. A mund të themi se shqiptarët iu përgjigjën masivisht ftesës për festën e demokracisë dhe pse? Çdo të thotë për demokracinë shqiptare dy zgjedhje parlamentare radhazi me pjesëmarrje më pak se gjysma e qytetarëve dhe ndër më të ulëtat në rajon? Çdo të thotë për produktin demokraci moskonsumimi i votimeve? Nëse Shqipëria përkufizohet si një vend demokratik, atëherë është e udhës që këto pyetja të shqyrtohen me mendjeftohtësi dhe me seriozitet si shkencor ashtu edhe politik.

Kur qyetarët shihen si bujkrobër të feudalizmit politik

Në Shqipëri duket se procesi zgjedhor priret më pak drejt festimit të demokracisë (që shprehet me votimin e lirë dhe të fshehtë të forcës politike që mbështet) dhe priret më shumë drejt një feudalizmi politik. Një fakt shumë mbresëlënes që vjen në mendje që lidhet me Partinë Socialiste është ai i 800 mijë votueseve. Kreu i kësaj force politike dhe njëkohësisht kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka përmendur këtë numër votuesish në dy fjalime.

“...Që do të thotë, dua 800 mijë vota për mandatin e tretë të Partisë Socialiste...”, - tha kryesocialisti Edi Rama gjatë Kongresit Zgjedhor 2020 të mbajtur në muajin shkurt. “...E patjetër që do kërkojmë të shkojmë përtej radhëve të Partisë Socialiste sepse Partia Socialiste ka 100,000 anëtarë, por ka 800,000 votues...”, - tha kryesocialisti Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të mbajtur në tetor 2020. Pa shprehur vlerësim për mirë a për keq për Partinë Socialiste, këtu vëmë re disa gjëra. E para është interesante që një forcë politike shpreh publikisht një kufi votuesish që i duhen për të fituar mazhorancën. Dhe e dyta është alarmuese që vendi ndodhet në një situatë të atillë ku mjafton që 22.29% e zgjedhësve (800,000 nga 3,588,869) të votojnë për një forcë politike të caktuar dhe ajo fiton shumicën e mandateve të deputetëve.

Normalisht në fjalimet publike të një force politike parashtrohet programi apo arritjet që ka pasur, ndërsa numri i votuesve që duhen për të fituar është pjesë e strategjisë zgjedhore që bëhet me dyer të mbyllura në shtabet zgjedhore. Duke vënë një kufi votuesish për fitore mazhoritare (sidomos kur ky numër është i vogël në krahasim me zgjedhësit siç u pa më lart) në njëfarë mënyrë jo vetëm zhvlerësohet demokracia, por jepet të kuptohet që njerëzit shihen vetëm si bujkrobër zgjedhor. Kështu fillon ndarja e qytetarëve si “tanët” dhe “të tjerët”. Në rastin e Shqipërisë 1/5 e popullsisë me të drejtë vote i mundëson një force politke të qeverisë e vetme. Për rrjedhojë një forcë politike për të arritur fitoren degradon në një strategji ku vota lypet shqeto publikisht. Pra nuk punohet për të pasur një program gjithpërfshirës për zgjedhësit, por punohet si të sigurohet vota vetëm nga një numër i caktuar zgjedhësish. Pra vota bëhet qëllim në vetvete. A mund të themi se në Shqipëri festa e demokracisë është një festë me vende të kufizuara? A mund të themi që sistemi zgjedhor është i atillë që e demoralizon pjesëmarrjen e qytetarëve në festën e demokracisë?

Një ngjarje që tronditi demokracinë shqiptare në themele ose më saktë vuri në pah feudalizmin politik si tipar dallues në politikë ishte “Çështja e Patronazhistëve”. Siç e thamë më lart festa e demokracisë është të votosh lirshëm dhe në fshehtësi forcën politikë që mbështet. Befas në internet qarkullojnë baza të dhënash të qytetarëve shoqëruar me emrin dhe mbiemrin e një personi të panjohur (patronazhisti) dhe përkatësia politike e hamëndësuar. Të gjitha këto publike. Le t’i lëmë mënjanë të dhënat personale (edhe pse nuk ka ku të vejë më keq që u bënë publike ashtu), pasi këtu po flasim për zgjedhjet. Të nxjerrësh një material në internet ku hamëndëson bindjen politike të qytetarëve është një veprim që e zhvlerëson fare demokracinë dhe mbi të gjitha fyen dinjitetin e qytetarëve. Dhe demokracia këtu do të jetë e zhvlerësuar për aq kohë sa qeveria nuk kërkon falje për atë ndodhi dhe nuk garanton që një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë më. Qytetarët nuk mund të jenë bujkrobër të partive politike.

Basha kundër Ramës/ 83024 vota të pavlefshme

Një nga çuditë e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 është numri i votave të pavlefshme që sipas të dhënave paraprake kap shifrën 83024, ose 4.99% i numrit të votuesve. Ky është një numër rekord në historinë e zgjedhjeve parlamentare shqiptare. Le ta analizojmë këtë numër fletësh të pavlefshme nisur nga fjalimet paszgjedhore të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Lidhur me çështjen e votave të pavlefshme kryedemokrati Basha tha: “Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve”. Po të marrim votat e Partisë Socialiste (768,250) dhe të zbresim nga ato votat e Partisë Demokratike (622,265) dhe ato të Lëvizjes Socialiste për Integrim (107,536) diferenca është 38,449 vota, apo rreth sa gjysma e votave të pavlefshme. Vlen të theksohet, që këtë gjë kryedemokrati Basha e përmendi pas rreth 1/3 së fjalimit të  tij. Nga ana tjetër kryesocialisti Rama: “Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme të atyre që kanë zgjedhur 12-ën, por kanë gabuar me shenjen e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë”.

Vlen të theksohet se Partia Socialiste nuk e arriti dot objektivin e 800 mijë votuesve dhe jo më ta tejkalonte atë. Është e çuditshme që kryesocialisti Rama që në fillim të fjalimit të tij të fliste për fletët e pavlefshme duke iu dalë “pronar”.  Pse vallë duhet ta niste fjalimin e fitores historike me një fakt në dukje banal? Nga ana tjetër që të jenë disa dhjetara mijëra votues të Partisë Socialiste që të ngatërrohen ditën e votimit, një mendje e arsyeshme nuk mund ta kapërdijë dot këtë gjë. Kur vjen puna për zgjedhje është fakt që Partia Socialiste është shumë e organizuar. Është e parrokshme që makineria zgjedhore socialiste të bëjë gabime trashanike sa të “lejojë” dhjetra mijëra votues të supozuar socialistë të votojnë gabim.

Pyetja që shtrohet, nisur nga hipotezat e lartpëmenduara që është kjo: Po qe se pjesa më e madhe e votave të pavlefshme kanë shenjë edhe tek pjesa e Partisë Socialiste por edhe tek pjesa e Partisë Demokratike apo e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për cilat forca politike ka qenë në të vërtetë vullneti i zgjedhësit?

Fuqia politike e Bashës

Në 8 vjet qeverisje Partia Socialiste kaloi nga 764,750 vota (2017) në 768,250 vota (2021). Rritje me vetëm 3,500 vota. Ndërkaq pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje nuk e arriti dot 50%-ëshin. Nga ana tjetër Partia Socialiste dështoi të kapte koutën e 800 mijë votuesve të përcaktuar nga kreu i kësaj force politike. Ndoshta ajo ka arritur kufirin e vet, përtej të cilit nuk mund të zhvillohet më. Ndoshta kjo forcë politike nuk mund të përfaqësojë më ndryshimet që sjell koha. Partia Socialiste nuk mbledh dot më njerëz rreth saj. Po pse vallë? Ndoshta nga tipari përjashtues që ka marrë (duke parë listat e deputetëve). Por ka edhe një gjë tjetër. Partia Socialiste së pari është e mbruajtur me mendësinë se do të ketë përgjithmonë një grup votuesish që i sheh si bujkrobër politik, të cilët nuk i përfytyron dot se mund të zgjedhin të votojnë një forcë tjetër. Së dyti Partia Socialiste ekzistencën e saj e ka ndërtuar si një përplasje me një forcë tjetër politike (kryesisht Partinë Demokratike). Kështu gjatë mandatit të fituar në vitin 2013, Partia Socialiste nuk e kuptoi (ose nuk donte t’ia dinte) që qytetarët e kishin votuar për mbyllur kapitullin e së kaluarës dhe për të qenë infrastruktura që do të zhbllokonte fuqitë prodhuese dhe krijuese të shqiptarëve në vendin e tyre. Partia Socialiste merrej me Partinë Demokratike.

Goditja më e madhe që mori Partia Socialiste ishte kur opozita u largua nga Parlamenti dhe nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale. Tani Partia Socialiste nuk kishte se me kë të përplasej. Shumë mund të thonë se largimi i opozitës nga Parlamenti ishte një gabim i madh. Të themi të drejtën ishte diçka e parrokshme. Por nga tjetër, ky largim duket si një “agjërim politik” që e pastroi opozitën. Ka disa që thonë se agjërimi e ndihmon trupin të ripërtërihet duke nxjerrë jashtë helmet dhe duke riparuar qelizat. Po kështu edhe Partia Demokratike në njëfarë mënyre u pastrua. Kjo u vu re në mënyrën sesi Partia Demokratike ndërmori fushatën zgjedhore nën drejtimin e kryedemokratit Lulzim Basha. Djem dhe vajza të qeshur kudo në Tiranë që ftonin me mirësjellje qytetarët për këqyrur programin e Partisë Demokratike. Ndryshimi i zuri në befasi të gjithë, sidomos Partinë Socialiste, që përsëri nisi të “gricej” gjatë fushatës. Dhe pamë dy anë të medaljes; nga njëra anë kishim Partinë Socialiste që sundonte në qeveri e vetme dhe nga ana tjetër një opozitë të kryesuar nga Lulzim Basha që ofronte qytetari dhe që luante duke respektuar rregullat e demokracisë.

Shumë mund të thonë se sipas rezultateve paraprake Partia Socialiste ka marrë mandatet e nevojshme të deputetëve për të qeverisur e vetme dhe për rrjedhojë Partia Demokratike ka humbur. Vërtet Partia Socialiste ka fituar mandatet por Partia Demokratike ka hedhur themelet për të qenë një forcë që do të tërheqë qytetarët gjithmonë e më shumë dhe që të përfaqësojë ndryshimet të cilave u ka ardhur koha.

Le të analizojmë fjalimet paszgjedhore të kryesocialistit Rama dhe kryedemokratit Basha për të parë sesi ky i fundit gjendet në një pozicion fuqie. Fjalimi i Bashës ishte i shkurtër dhe i qartë, çka tregon se ai e ka kapur situatën. Fjalimi i Ramës ishte tepër i gjatë dhe pa ndonjë përmbajtje thelbësore; me fjalë të tjera ngjante disi si hartim. Në fjalimin e tij Basha nuk e përmendi asnjëherë as Partinë Demokratike dhe as Partinë Socialiste, por nënkupton një lëvizje qytetare përtej ngjyrimeve politike. Ndërkohë fjalimi i Ramës përmend qartazi si Partinë Demokratike ashtu edhe Partinë Socialiste, madje flet edhe për ndasi që nga koha e Luftës Dytë Botërore. Se përse duhet t’i përmendte këto ndasi nuk e merr vesh njeri. Aq më tepër se pastaj gjatë fjalimit bën thirrje për bashkim të shqiptarëve përtej kahjeve politike! Por kjo vërteton atë që u tha më lartë që në ekzistencën e saj Partia Socialiste ka nevojë të ketë përplasje me një forcë politike.

Basha në fjalimin e tij ka përdorur një ton serioz, ndërsa Rama në të tijin ka futur edhe shpotinë. Edhe pse në fjalimin e tij Rama pretendon për një fitore dërrmuese nuk kuptohet përse i kushtohet kaq rëndësi bashkëpunimit me Bashën.

Do luftojmë për qindra mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk ju numërua vota”, - deklaroi Basha. Kjo pjesë në fjalimin e Bashës ndoshta tregon qartë se ai është i vetëdijshëm për forcën që ka tashmë Partia Demokratike aty ku ka më rëndësi; në popull. Por mbi të gjitha ai duket se është shumë i qartë se çfarë duhet të bëjë. Kryedemokrati Basha është bërë i palexueshëm për njerëzit e medias dhe ata të politikës. Asnjë nuk e di hapin e tij të radhës...

Përfundimi

Zhbllokimi i fuqive krijuese dhe prodhuese të çdo individi në Shqipëri duhet të jetë puna e çdo politikani qoftë në qeveri dhe qoftë në opozitë. Pse të mos zhvillohet bujqësia dhe konkurrojmë në tregjet evropiane si edhe ato të të gjithë botës me produktet tona. Pse të mos shfrytëzojmë marrëdhëniet me vendet aleate për të sjellë teknologjinë më të avancuar në Shqipëri për të zhvilluar si industrinë e rëndë dhe të lehtë ashtu edhe sektorin e teknologjisë së informacionit? Pse të mos ketë një rrjet hekurudhor si i bie Shqipërisë kryq e tërthor. Pse të mos kemi porte detare dhe ajrore që të jenë qendra të lëvizjes dhe tregtisë rajonale, kontinentale dhe ndoshta botërore? Pse të mos jemi në arenën diplomatike botërore vendi që sponsorizon rezoluta bashkëpunimi midis kombeve, në një kohë që tensionet po prekin majat? Pse mos të jetë Shqipëria një vend model në rajon për sektorin e mjekësisë? Të gjitha këto janë brenda mundësive tona, mjafton dëshira dhe kanalizimi i energjive drejt prodhimit. 

Të dhënat janë marrë nga“International Institute for Democracy and Electoral Assistance” dhe “Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve”, 02/05/2021

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

O vllai shum gjat e ke tjerr dhe nuk besoj se do ta lexojne me shume se 5 vete gjithe artikullin. Cfare do thoja duke lexuar rrjeshtat e pare eshte se e drejta e votes nuk i eshte mohuar askujt. Opozita ishte shume entuziaste por aspak frymezuese, megjithese parulla e saj "Gjithe kush eshte kunder Edit te votoje per ne". E votuan vetem militantet. Pra ne perfundim vetem 24% e votuesve ishin kunder Edit. Po ndjek thjesht arsyetimin tend.Nuk ka ndonje gje te keqe te rrije. Ne 2005 sala fitoi me 42% te votave. Ske ci ben sistemit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.