"Tomka" në shënimet e Xhanfise Kekos

Postuar në 30 Shtator, 2015 11:51
Përgatiti: Dhurata Hamzai

Fragmente nga ditari 
1. “Është koha kur, duke menduar për gjithçka në lidhje me filmin e ardhshëm, nuk mund të mos mendoja edhe për qytetin ku do vendoseshin ngjarjet e tij. Vetvetiu, mendja më shkoi në vendlindjen time, në Gjirokastrën e fëmijërisë dhe adoleshencës sime.



Shumë herë kisha menduar të xhiroja qoftë edhe një herë të vetme atje, por nuk më kishte rënë në dorë asnjë skenar që të më çonte në atë qytet krejt të veçantë… “Erdhi më në fund dita”, thashë me vete. Por, pas pak kohësh, kur e lexova dhe e rilexova me qetësi skenarin “Tomka dhe shokët e tij”, shkruar nga shkrimtari Nasho Jorgaqi mbi motivet e romanit të tij të njohur për gjithë fëmijët e që unë e kisha futur në planet e mia krijuese që një vit më parë, me dhimbje hoqa dorë nga Gjirokastra ime hijerëndë.



Një qytet që i kalonte lumi mes për mes, që kishte një urë të madhe që bashkonte dy anët e tij, që kishte një fushë buzë lumit ku luanin fëmijët e ku një ditë u ngrit një kamp gjerman… do të ishte më interesant. Vendosa të xhiroj në Berat.



Ngjarjet e skenarit vendoseshin shumë mirë në këtë qytet me arkitekturë të veçantë, ndaj dhe bisedova me Nashon ta rishikonte skenarin për t’ia përshtatur ngjarjet atij qyteti.

Mbaj mend që kemi biseduar shumë herë gjatë atyre ditëve kur mbi të gjitha isha e përqendruar në gjetjen e aktorëve të vegjël. Kështu, me kënaqësinë që të fal skenari i mirë, në 30 prill u nisa dhe mbërrita bashkë me grupin e xhirimit në Berat.



Operatorët e Kinostudios kishin xhiruar me qindra herë në këtë qytet, megjithatë, ishte hera e parë që Berati “pushtohej” nga një grup filmi i përbërë nga shumë njerëz, me aparatura të rënda, me aktorë të rritur e të vegjël dhe për një kohë relativisht të gjatë. Dhe, kjo herë e parë nuk mund të mos zgjonte kureshtjen e banorëve të qytetit, të rritur e të vegjël.



Po ashtu, nuk mund të mos ngjallte interes fakti që disa prej aktorëve të vegjël e që ata i njihnin mirë përmes ekranit si... Enea Zheku, i cili vinte pas interpretimit në filmin “Lulëkuqet mbi mure”, Herion Mustafaraj pas interpretimit në filmin “Beni ecën vetë”, Genci Mosho pas interpretimit në filmin “Qyteti më i ri në botë”, Selma Sotillari pas interpretimit në filmin “Beni ecën vetë” dhe Artan Puto pas interpretimit në filmin “Tingujt e luftës”... tashmë do të ishin banorë të qytetit të tyre. Megjithatë, nuk e pata menduar kurrë se “reputacioni i ekranit” do të më hapte aq telashe.....



2. “Djajtë” e vegjël duheshin bërë zap me të mirë për t’i fituar, pasi nga momenti në moment rrezikoja t’i humbisja për shkak të sëmundjes së “vetëkënaqësisë”, shumë e rrezikshme edhe për të rriturit, pa le më fëmijët. Simptomat nuk ishin të mira. Nga ana tjetër, ndërsa kërkoja nëpër kopshte të pestin dhe më të voglin e grupit, më duhej të qetësoja dhe fëmijët e qytetit të cilët më kërkonin orë e çast t’i merrja në film. U detyrova t’u them se edhe ata do të kishin rast të luanin në film meqenëse kishim skena masive e se për këtë do t’i lajmëroja nëpër kopshte e shkolla.



Por, nuk e pata parashikuar se kjo deklaratë imja do më krijonte telashe të reja. Ata që tani më njihnin të gjithë dhe që mendonin se shkoja nëpër kopshte meqenëse “iu kisha dhënë fjalën”, kur panë që unë nuk tregova asnjë interes për ta, u zemëruan dhe më dërguan për sqarime nënat apo baballarët e tyre. Më në fund, pas disa ditë kërkimi, e gjeta më të voglin e grupit në kopshtin “Kostandin Leka” pranë kalasë së qytetit.



Ai ishte Flurans Ilia. Më pëlqeu si tip, dhe, mbi të gjitha ngjante pak me personazhin Çelo, që interpretonte Artan Puto e që sipas skenarit ishin vëllezër. Sidoqoftë, duhej t’i bëja një kinoprovë për t’u bindur përfundimisht. Vetëm pas kësaj u qetësova dhe njëkohësisht u gëzova. E ndjeja që grupi i fëmijëve ishte i unifikuar.



Paralelisht me këtë punë, më duhej të përcaktoja urgjentisht vendet e xhirimit me operatorin Faruk Basha dhe veshjet e personazheve fëmijë me piktorin Shyqëri Sako.



3. Kishte mbërritur ora e fillimit të xhirimeve. Fillimi nuk shkoi keq, sa i takon interpretimit e atmosferës. Por, pa kaluar ende disa ditë, fëmijët u ndanë në dy grupe dhe plasi sherri. Njërin grup, atë ku bënin pjesë më të vegjlit e kryesonte Enea, ndërsa tjetrin e kryesonte Herioni. Tashmë nuk kishte asnjë dyshim se xhelozia mes këtyre dy fëmijëve që vinin në Berat pas suksesit në filmat ku kishin interpretuar role kryesorë, ishte bërë evidente dhe problematike. Në këtë situatë, m’u desh të ndërhyj për të rivendosur “paqen” mes rivalëve. Por, dështova.



Dhjetëditëshi i parë i xhirimeve më bindi se nuk mund t’i vazhdoja ato pa zgjidhur më parë problemin me më problematikun e grupit të fëmijëve, Enean. Duket kisha gabuar me zgjedhjen e tij për rolin e Tomkës, për shkak të diferencës së madhe që kishte me fëmijët e tjerë. Ai ishte në moshën e adoleshencës dhe, psikologjikisht lidhej me shumë vështirësi me grupin e fëmijëve. Ky fëmijë impulsiv e me një temperament krejt të ndryshëm nga të tjerët, ishte bërë i padurueshëm, krijonte shqetësime e telashe të mëdha çdo ditë, në xhirim e pas xhirimit.



Në këto kushte, pasi e konsultova dhe gjeta mbështetje nga shtabi i filmit, vendosa t’i propozoj drejtorisë së Kinostudios zëvendësimin e tij. E dija se kjo gjë në radhë të parë rëndonte mbi mua, pasi nuk kisha kandidaturë tjetër, por e dija dhe se nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër. U nisa zemërthyer dhe erdha në Tiranë. Të parin takova Vaskën, babanë e Eneas, të cilit i tregova shqetësimin dhe vendimin.



- Ndërpreva xhirimet dhe erdha në Tiranë për ta zëvendësuar Enean. Nuk kam rrugë tjetër edhe pse më pëlqen si aktor... - e mbylla fjalën time.

I habitur dhe i befasuar, ai më vështroi me vëmendje dhe më tha: - Nuk e besoja kurrë që pas portretit tënd të fshihej një shpirtkazmë. E merr me mend se ç’mund të ndodhë me djalin tim, po e hoqe nga filmi?!

Pastaj, si u mendua pak, shtoi: - Mos u nxito ta zëvendësosh. Po dërgoj në Berat gruan me djalin pesëvjeçar dhe ke për të parë që çdo gjë do të shkojë më së miri.



Mendimi i tij m’u duk një zgjidhje e mirë, ndaj pranova.

Atë ditë, çuditërisht, rruga deri në Berat m’u duk tmerrësisht e gjatë, ndoshta edhe se pas çdo kthese më bëhej se dëgjoja fjalët e Vaskës... “E merr me mend se ç’mund të ndodhë me djalin tim po e hoqe nga filmi?!”... Ditët e mëpasme treguan se Vaska kishte patur të drejtë kur më tha të mos nxitohesha.



Balerina Tina Papadhopulli, kishte qenë një kujdestare e vërtetë. Jo vetëm Enea, por dhe fëmijët e tjerë tashmë i bindeshin asaj plotësisht. Por, problemet me këtë film nuk mbaruan këtu....”

*Shkëputur nga libri me kujtime i regjisores Xhanfise Keko “Ditët e jetës sime” - 2007"

"Shqiptarja.com"

Comments

Submitted by Nostalgjia per ... (not verified) on

Vazhdojne levdatat pef ditet me oborr burgu kombetar...
Regjisoret dhe aktoret, autoret e kohes me popull te mjeruar dhe elite qe nuk e shikonte mjerimin e tij, ribotojne shenimet sikur te jene serish ne pushtet...
Po ata idhuj, poata shkrimtaree po ata filma...
Nje popull i thirrur te luaj Robin...e Perjetshem.

Skllever bij sklleverish...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.