Janë njësoj...(Qoftë edhe si aleatë të Ilir Metës)

Postuar në 19 Shtator, 2015 14:47

Vihet re një përpjekje e dëshpëruar e disa personazheve publike që i quajnë edhe analistë, për të ndarë Edi Ramën si njeri dhe politikan me integritet, nga llumi i përgjithshëm i politikës dhe shoqërisë; nga kriminalizimi dhe korrupsioni. Ky “lakrorizim” moral është dëshpërimisht shpresa e fundit se Edi Rama mund të jetë shpresë për këtë vend, për t’u parë ndryshe. Në rastin më të keq fajin e kanë ata poshtë, kurse në më të mirin, është Berisha me të tijtë që vazhdon zhurmën. Mirëpo a mund të ecë kjo logjikë që synon me çdo kusht të amnistojë Edi Ramën nga përgjegjësia, në emër të ruajtjes së të “mirës së përbashkët” nga riberishizimi?

Le të sjellim këtu atë që thotë apologjeti i përhershëm i Edi Ramës, Andrea Stefani:  “Është paradoksale, groteske, e paimagjinueshme kjo ngrehalucëri e krimit për t’u vetëshpallur “kundër krimit”. Si është e mundur që një politikan që i ka ikur drejtësisë me procedura duke shmangur gjykimin i akuzuar për rreth 200 milionë euro të zhdukura në investimin e rrugës Durrës-Kukës, të ketë kurajon të flasë për luftë kundër krimit?! E ka sepse nuk është kurajo, por paturpësi. Si është e mundur që duke qenë, si ish-ministër i Rendit, një nga kryepërgjegjësit për kryekrimin e vrasjes së protestuesve në 21 janar, Basha guxon të flasë për luftën kundër krimit?! E ka se nuk është guxim por është besim te pandëshkueshmëria e krimit të madh...”, shkruan Stefani në “Dita”.

Mirëpo këtu anashkalohet me qëllim një seri faktesh që kanë prodhuar zhgënjim në kohën e konsumimit të tyre: së pari, marrëveshja e Ilir Metës me Edi Ramën, ishte jotransparente dhe vetënjollosëse. Edi Rama po merrte pushtetin me pjesën më të korruptuar të qeverisë “Berisha”, akuzuar prej tij si e tillë. Ky ishte jo një marsh mbrapa, por asgjësim i çdo kauze, edhe sikur verbale,  që opozita kishte artikuluar deri më atëherë.

Së dyti, qeveria nuk inicioi transparencën e koncesioneve, tenderave, apo marrëveshjeve të dyshimta të qeverisë së shkuar. Nuk hapi asnjë proces, pavarësisht sesi do të shkonte trajtimi gjyqësor i tyre. Çështja e CEZ-itë që u hap së fundmi, u mbyll me vrap nga kjo qeveri.

Së treti, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri nuk merr asnjë përgjegjësi për të korruptuarit e vet, për të inkriminuarit e vet, përveçse në kushte presioni. Nuk dihet mirë, se cila është arsyeja e largimit të Arben Ndokës nga Parlamenti, sikurse nuk kuptohet se për cilës arsye, menjëherë pas akuzave shumë të rënda të Tom Doshit, ai takohet me Gramoz Ruçin e lihet të kuptohet rikthimi. Mund të pranojmë të gjithë se Berisha është krimineli, por na duhet të shohim se kemi një kryeministër që pohon se do të rikandidadonte të njëjtët njerëz në 2013-ën. Natyrisht nuk ka pse të jemi bukëshkalë e të pacipë e të themi se këta i votoi populli, pasi siç e dimë populli në përgjithësi voton Partitë. Nuk ka as kurthe, e as naivitet të Edi Ramës. Të thuash këtë, synon të fusësh në kurth shoqërinë. Ka vetëm një qasje të kryeministrit aktual njësoj si Sali Berisha. Edhe pse alibia e shumëkujt qëndron akoma: Ky nuk ka vrarë si Berisha.  Shikoni në Youtube fjalimin e parë të Edi Ramës pas ardhjes në pushtet, shikoni edhe fjalimin e fundit në Parlament: “Ju jeni miqtë tanë shumë më tepër sesa ndërkombëtarët”. Sigurisht që po. Jo vetëm pse “jemi shqiptarë” e na duhet kjo gjethe fiku, por sepse njësoj siç e ndryshojmë Kushtetutën në një natë, në dorë e kemi të merremi vesh. Edi Rama është vazhda e tranzicionit; u hoqën kioskat e mbinë pallatet. Iku Berisha, stigma ndaj të cilit është edhe për shkak të origjinës apo madhësisë së hundës. Na erdhi një lider i grimuar me “qytetar-llëk”. Por jemi po kaq të varfër dhe kemi në krye po aq hajdutë e banditë. Tashmë të certifikuar si të tillë edhe nga raportet ndërkombëtare. 

 

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

"Na erdhi një lider i grimuar me “qytetar-llëk”. Por jemi po kaq të varfër dhe kemi në krye po aq hajdutë e banditë. Tashmë të certifikuar si të tillë edhe nga raportet ndërkombëtare. "

Zhberja e mitit te "qytetarit v. malokut" eshte nje nga gjerat me te mira qe kane ndodh ne keto dy vite qeverisje mizerabel. Te pakten askush me vone nuk do thote se problemet zgjidhen me nje "qytetar", sado diktator eshte ky.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.