Robelli: “UÇK ka bërë krime, madje me shumicë. Por ato po mbrohen si “krime iliro-pellazge” apo “krime me bekim të Skënderbeut”
Çështja e Gjykatës Speciale, e refuzuar së fundmi në Parlamentin e Kosovës, po krijon kushtet për një debat të gjerë rreth luftës së vitit 1999. Në përgjithësi qëndrimi ndaj luftëtarëve është i tillë që kërkon të mos shohë edhe mangësi, defekte, qëllime politike, pragmatizëm, por edhe krime. Ndodhi kështu edhe në Kosovë, kur nëse flitet për krime nga UÇK, reagimi ngrihet si akuzë për shërbim ndaj serbëve, ose përbaltje e luftës. Enver Robelli shkruan sot një opinion në “Koha Ditore” ku flet pikërisht për temë, duke vënë gishtin në plagë. “A kanë kryer pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës krime? Po. Madje shumë. A është dënuar ndonjëri prej tyre? Pothuaj askush. Pse nuk dënohen? Sepse prej kriminelëve të luftës janë shndërruar në banditë të pasluftës që kontrollojnë shtetin, vrasin dëshmitarë, frikësojnë prokurorë e gjykatës dhe kanë një hall: si t’i menaxhojnë e fshehin miliona euro që kanë vjedhur”, shkruan Robelli. Ai ka një mendim edhe për ata që i quan mbrojtës të të dyshuarave për krime. “Në vend të mendimeve racionale në opinionin publik po kalërojnë mbrojtës të të dyshuarve për krime si puna e Albin Kurtit apo e Jakup Krasniqit, i cili në euforinë e tij morbide nuk ngurron të bëjë albume me fotografi të njerëzve që e mbështesin Gjykatën Speciale – për t’i damkosur ata si tradhtarë dhe pse jo edhe si caqe legjitime për ekzekutim. Mbrojtësi tjetër i kriminelëve quhet Albin Kurti. Ai dhe sekti i tij politik këto ditë me mish e me shpirt, me kuisje e shkumë në gojë po përpiqen ta bindin opinionin se krimet e palës shqiptare – ndonëse në asnjë rrethanë të krahasueshme me barbarinë e Serbisë - paskan qenë “krime të bukura”, “krime fisnike”, “krime patriotike”, “krime estetike”, “krime iliro-pellazge”, “krime me bekim të Skënderbeut”. Ta keni parasysh: kështu po argumenton një njeri që nga burgjet e Serbisë ka dalë sidomos falë protestave të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, shton Robelli. E vërteta është se krijimi i Gjykatës Speciale do të mbyllte kapitullim në fjalë pasi asnjë gjykatë nuk mund të provojë gjë nëse dikush realisht nuk ka bërë gjë.
s.z
Comments
Robelli eshte avatari i
<p>Robelli eshte avatari i Lubonjes ne Kosove?</p>
Add new comment