Adhamudhi i digjitalizmës

Postuar në 30 Nëntor, 2024 15:52

Kryeministri Edi Rama e ka gjetur kurën kundër dhunës në shkolla: monitorim me kamera dhe ndalim i TikTok-ut.

Nuk mund të kërkohej fatkeqësi më e madhe se kaq, sesa qenia në krye të punëve e dikujt që i pret drutë shkurt se aq e ka enën, ose atë agjendë ka.

Sa herë e kemi dëgjuar zotërinë të flasë së digjitalizimi do të zgjidhë si me magji problemet e korrupsionit në administratë? Sa herë kemi dëgjuar se qeveria e zotit Rama do kalojë në procese të caktauara inteligjencën artificiale?

Ku jemi? Jemi në pikën që korrupsioni është ekonomia jonë dhe krimi policia e vërtetë.

Problemi me të cilin përballet sot shoqoëria shqiptare e has çdo shoqëri në botë, ose në Europë të paktën. Teknologjia e Informacionit ka mundësuar kapërcimin e mureve sociale dhe hierarkive duke eliminuar distancat tradicionale mes grupeve dhe duke turmëzuar një shoqëri të tërë. Përgjigja ndaj kësaj sfide nuk ekziston ende në asnjë vend, por vetëm mbyllja e plotë nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë.

Megjithatë, duke konsideruar se kemi të bëjmë me një vullnet të mirë dhe se mbyllja e TikTok nuk lidhet me ndonjë arsye politike që shkon përtej episodit të shkollës “Fan Noli”, sërish mbetet një paradoks.

Zoti Rama ka në dorë një instrument të ligjshëm si Autoriteti i Mediave Audiovizive, i cili nuk vepron në asnjë rast ndaj atyre që ligji i njeh si Operatorë të Shërbimit të Medias Audiovizive, kur shkelin të gjitha normat ekike dhe morale. Çfarë ka më keq TikTok në kultivimin e një kulture degradimi dhe dhune nga Top-Channel me programet e veta që nuk kanë emër?

Sa herë ka patur ankesa për degradimin, shthurjen dhe degjenerimin në programe të këtij televizoni kombëtar? Sa reagime kemi patur? Zero.

Të kapesh sot te TikTok për të kufizuar apo kundërvepruar ndaj kulturës së dhunës, është një gjetje gjysmake, në mos një dredhi për të mos parë se venat e kësaj kulture janë të lidhura fort me liçenca dhe frekuenca televizionesh që vetëm përmbajtje etike nuk kanë. Ndaj çështja është shumë më e gjerë.

Ta zëmë çfarë mund të mendojë një adoleshente kur sheh Elisa Spiropalin si ecën, si flet, çfarë flet, si vishet, me çfarë vishet? Do mendojë se puna dhe shkollimi kanë vlerë në këtë vend?

Çfarë mund të mendojë një adoleshent kur sheh se një gazetar si Baton Haxhiu rezulton me vilë të falur thuajse dhe bën moral nga mëngjesi në darkë? Apo kur sheh se gazetarë të tjerë që janë si letër alumini që mbështjell kocka kërmash e ilustrojnë karrierën e tyre si “pjeshka instagrami”?

TikTok është  një degë e shtuar të gjithësh, e kënetës ku jetojmë të gjithë, e llumit që na ka përmbytur, për të cilin na duhet të dëgjojmë receta nga Adhamudhi i digjitalizmës, Heqimi i vetëm i sëmundjeve të kësaj kohe që mbarështon në fakt çdo sëmundje. Pse? Sepse qeveria është paraja në këtë vend pa treg real dhe konkurencë. Kështu siç z. Rama absolutizon TikTok-un, na lind e drejta të absolutizojmë akuzën.

s.zaimi

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Kjo osht si me pretendu me sheru kancerin tuj shtrydh puçrrat e surratit.

Submitted by tech (not verified) on

te dyja si levizje jane te deshtuara : dhe tiktok mbyllja (tamam rama nje diletant ne teknologji ... qe nuk e ka idene e internetit, as ai as ata qe i fryjne ne vesh) dhe kamerat ne klasa brenda, qe do hapin kuti pandore, po ai flet per retorike dhe keput mufka dhe haron qe ato ndodhin vetem ne Arabi (per kontekst, Arabia ekzekutoi nder te tjere dhe 100+ veta me prerje koke vetem kete vit ... normal ju takon se e kane shpaten qe ju heqin koken ne flamur ata). Model fantastik per te mare, po kujdes se i bie qe ti fluturoje koka dhe Rames.
Sa per tiktok dua te sjell ketu Australine qe po ben nje perafrim shume me gradual ne mbrojtjen e femijeve me 1 vit test te masave qe ka miratuar, tek peshon pozitivet e negativet per hapat qe duhet te ndermare ne mbrojtje te femijeve nga rrjetet sociale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.