Rishkrimi i Historisë (Përjetime dhe mendime për luftën nacional çlirimtare)
Ishte mbasdite dhe unë isha duke bërë detyrat e shkollës, kur dëgjova si një jehonë të largët të kënduar nga shumë zëra, të mirënjohurën këngë “Eja mblidhuni këtu!” Vura në kokë kasketën me simbolet e Liceut tonë dhe shiritin kuqezi dhe vrapova jashtë, drejt rrugës që nga vinte zhurma. Më dolli para një turmë studentësh që mbanin në ballë flamurin tonë dhe këndonin këngë patriotike. Sa më pa kasketën në kokë, njëri prej tyre më thirri të futesha midis tyre. Kështu unë dymbëdhjetë vjeçari, student i vitit të parë të Liceut të Korçës, u bëra pjesë e demonstratës kundër pushtimit Italian që kërcënonte vendin.
Të nesërmen demonstrata u përsërit dhe unë nuk mungova në turmën që numëronte mijra vetë. Në krye ishin dy vajza të veshura me kostume kombëtarë. Njëra nga ato mbante flamurin, kurse tjetra një fotografi të madhe të mbretit Zog. Parrullat ishin kundër Italisë që kërcënonte të pushtonte Shqipërinë. U mblodhëm në qendër të qytetit, para Bashkisë, nga ballkoni i së cilës kundër pushtuesit foli Fazlli Frashëri. (Ky u internua nga italianët për disa vjet në ishullin Ventotene dhe në vitin ‘45 u pushkatua nga komunIstët si “tradhëtar”!). Kurse në emër të rinisë foli Pëllumb Dishnica.
Këto ndodhën në Korçë ato ditë të prillit 1939 dhe thëniet e historianit Paskal Milo për një aktivitet të dukshëm të Enver Hoxhës në Korçë, nuk qëndrojnë. Ato ditë atë, profesorin gjirokastrit, s’e pashë në asnjë rast. Dhe e njihja mirë, se tek ne, ai jepte mësim në vitet e dyta.
Pushtimi dhe qëndrimet e shqiptarëve ndaj tij
Shqipëria iu kundërvu me armë pushtuesit Italian. Në kujtimete tij Churchilli shkruan: “Më 7 prill 1939, në mëngjez herët, trupat italiane zbarkuan në bregdetin shqiptar dhe pas një lufte të shkurtër, e pushtuan atë”. Në rrethanat ndërkombëtare të asaj kohe, kur para një muaji Çekosllovakia ua hapi dyert armatave gjermane pa bërë zë, dhe Mussolinin po e përkëdhelnin të gjithë, pra ajo pak rezistencë e armatosur që bëri Shqipëria e vogël dhe e varfër ishte për t’u lavdëruar.
Mbas pushtimit italianët u sollën sikur tek ne nuk kishin ardhur me luftë, por ishin pritur miqësisht dhe me një farë mirëdashjeje nga shqiptarët. Pas komedisë së bashkimit vullnetar të kurorave mbretërore, ata nuk e prekën administratën e mëparshme. Arrestuan dhe internuan disa intelektualë të rinj, ata më aktivët gjatë demonstratave dhe filluan menjëherë programin e tyre për fazën e parë të asaj që ata synonin: krijimin e ish-perandorisë romake në kuadrin e ndarjes së re të botës, asaj që kishin në planet e tyre Hitleri me Duçen. Në stil të gjerë filloi ndërtimi i rrugëve, gazermave, depove. Tregu u mbush me mallra. Unë nuk e dij ku ishte dhe çfarë bënte në atë kohë historiani ynë më i moshuar, Kristo Frashëri, por jam i sigurtë që ai e di se në atë kohë kushdo që vinte në Itali për një vizitë mjekësore dhuratën më të mirë për mjekun e atjeshëm quanin një kile kafe, e cila në Itali ishte vërtet e racionuar, ama në Shqipëri gjendej me shumicë! Për të mos folur më tej për begatinë e tregut, këtej Adriatikut! Vite më pas, në Durrës u bë proverbiale ajo thënia e atij punëtorit të ngarkim-shkarkimit që, kur i deleguari i partisë i shpjegoi të mirat e bollshme që do t’u sillte shqiptarëve socializmi, tundi kokën me mirëkuptim e tha “me një fjalë, shoku i deleguar, bollëk, si në kohë të Italisë!”…
Mos më dalë ndonjë birbo tani, e të më thotë që po lavdëroj pushtimin italian. Po flasim për historinë, pra duhet thënë e vërteta si ka qenë dhe jo si duhet të ishte, apo sipas historisë së PPSh!
Shqiptarët atë kohë e përjetonin robërimin me hidhërim, sigurisht, se kishin humbur pavarësinë kombëtare. Po le të përpiqemi ta analizojmë më hollësisht.
Shumica jetonte në fshat, pra ishte popullsi rurale. Përveç fshatrave të mëdhenj, ku kishte vetëm dy tri familje të arsimuara e në gjendje të mirë ekonomike, shumica dërmuese ishte analfabete dhe shumë e varfër. Aty gjeje njerëz që nuk dinin çfarë bëhej, jo vetëm në botë, por as edhe në fshatin tjetër. Dhe bile as u interesonte kjo gjë. Një njeri që merakoset vetëm se si të sigurojë një copë bukë për të shuar urinë, a mund të mendonte se një i huaj, që ai bile akoma nuk e ka parë, i ka pushtuar vendin, vend që gjithashtu ai nuk e njeh? Dhe të presësh të mos e zinte gjumi se duhej luftuar kundër atij të huaji?! Pra, për shumicën dërmuese të popullsisë, në atë kohë, as që mund të flitej për luftë kundër pushtuesit.
Si po e përjetonte pushtimin italian popullata urbane? Ajo përbëhej nga punëtorë, zanatçinj, tregtarë, profesionistë të lirë, zyrtarë dhe publikë dhe deri studentë të shkollave të mesme. Mbas vrullit të demonstratave të para kundër pushtuesit, pas fakti të kryer, shumica iu kthyen punëve të tyre të përditëshme për të siguruar jetesën, kurse urrejtjen ndaj pushtuesit e mbajtën të mbyllur thellë në shpirtin e tyre. Ndërsa shtresa shoqërore e atyre që kishin luftuar për pavarësinë e vëndit dhe më vonë për ndërtimin e shtetit si dhe intelektualët e formuar gjatë viteve të pavarësisë vazhdonin të ndiqnin zhvillimet politike në botë, zhvillime që në të ardhmen do të vendosnin fatin e atdheut të tyre. Zakonisht orientimet politike të tyre përcaktoheshin nga politikat që ndiqnin shtetet ku ata kishin studjuar, ose kishin jetuar mjaft kohë. Gjëndjen në Europë ata e shihnin tek Britania e Madhe dhe Franca, që mbas një periudhe lëshimesh shteteve agresorë të Boshtit, kishin hyrë në luftë kundër Gjermanisë hitleriane, e cila pat lidhur një pakt (Molotov-Ribentrop) me Bashkimin Sovjetik dhe të dy shtetet si ai nazist dhe ai komunist, po plaçkisnin Europën. E shihnin se si, mbas sulmit nazist ndaj Polonisë, sovjetikët pushtuan pjesën e mbetur të saj. Nazistët pushtuan Danimarkën e Norvegjinë, sovjetikët pushtuan Shtetet Balltike dhe sulmuan Finlandën. E shihnin se si trupat e Hitlerit pushtuan Jugosllavinë dhee Greqinë, ato të Stalinit pushtuan territore të Rumanisë. Filofrancezët shqiptarë përjetuan me hidhërim shpartallimin e turpshëm të Francës së madhe. Një pjesë e mirë e shqiptarëve që ishin të dojçkulturës, nisur nga teoritë raciste të nazistëve që na konsideronin të barabartë me ta, si racë ariane, duke parë supremacinë e Boshtit, filluan të mendojnë se me ndarjën e re të botës, do të mund të realizonim bashkimin kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare. Filoenglezët e paktë kujtonin me hidhërim deklaratën e kryeministrit Chamberlen bërë në Dhomën Komuneve në prag të pushtimit tonë nga divizionet italiane, që theksoi se ata nuk kishin interesa të veçanta në Shqipëri. Me një fjalë, “Duçe bëj ç’të duash, Anglia ka mbyllur sy e veshë!”
Kurse një pjesë e vogël e filoitalianëve, nga ata që në të kaluarën nuk kishin ndonjë aktivitet atdhetar as personal e as familjar, filluan të bashkëpunojnë me italianët në realizimin e synimeve të veta në të dy brigjet e Adriatikut.
Filoamerikanët prisnin duke shpresuar që gjigandi i përtej oqeanit të ngrinte edhe njëherë zërin e fuqishëm në mbrojtje të vëndit të tyre të vogël.
Ndërsa komunistët, simbas shembullit që diktonte Meka e tyre e përbashkët, Rusia, mbanin qëndrim dashamirës ndaj fuqive të Boshtit dhe të përndarë mes grupeve të ndryshëm hidhnin idera të tilla si ato që “pushtimi sjell zhvillimin e vëndit”, gjë që sjell “fuqizimin e klasës puntore, automatikisht, premisën për formimin e partisë komuniste”. Kurse në jetën praktike ata ia dolën të përfitonin nga pushtimi i vëndit. Psh. Qemal Stafa shkruante në gazetën “Fashizmi” dhe u shpërblye me bursë shteti për studime universitare në Firence, bile tok me “të fejuarën”, Drita Kosturin. Studimet në Itali i vazhdonin edhe të tjerë pezzogrosso të komunistëve: Nako Spiro, Manush Myftiu, Arben Puto dhe të tjerë me emra më të pabujshëm. Ata deklaronin se këtë e bënin me paratë e familjeve të tyre dhe duhet të jetë e vërtetë, ngaqë ishin në gjëndje të mirë ekonomike.
Kështu ishin punët në Shqipëri deri më 28 Tetor 1940, ditën që Italia sulmoi Greqinë. Pra për gati dy vjet, që përkon më një të tretën e parë të pushtimit, nuk ka pasur asnjë lëvizje kundër italianëve.
Flasim gjithmonë për luftë kundër pushtuesit.
Dy vjetët e tjerë të pushtimit
Sulmi italian kundër Greqisë, dështimi i turpshëm i makinës luftarake fashiste, hyrja e trupave greke në një pjesë të mirë të territorit shqiptar sollën ndërlikime të shumta të natyrës ekonomike dhe politike. Pati shkatërrime dhe dëmtime ekonomike të mëdha. Pati rigjallërim të politikës shoviniste greke, me famëkeqen çështje të të ashtuquajturit “Vorio Epir”. Në Korçë u arrestuan e u internuan në Greqi më dhjetëra njerëz, midis tyre edhe gra, shumica të besimit ortodoks, kundërshtimi i të cilëve grekëve u digjte më shumë se ai i shqiptarëve me fe të tjera.
Qëndresa e Greqisë mbetur e vetme para furrisë nazi-fashiste u vlerësua nga Londra e asaj kohe. Qeveria e Mbretëreshës ia mbështeti Athinës pretendimet tokësore ndaj Shqipërisë. Shumë dokumenta të asaj kohe tregojnë qartë që sa herë Mbreti Zog kërkonte të lejohej të formonte dhe ai një qeveri shqiptare në emigracion, sikurse u qe lejuar kombeve të tjera nën pushtim, kërkesave të tij Foreign Offisi britanik u vinte anash shënimin “të pyetet qeveria greke!” Dhe britanikët asnjëherë nuk e dhanë atë pëlqim, sepse formimi i qeverisë shqiptare në emigrim, do të ishte vazhdimi i legjimitetit të shtetit të pavarur shqiptar me kufijtë e njohur botërisht. Edhe mbas largimit të grekëve, qarqet atdhetare i shqetësonte më shumë qëndrimi britanik, se sa rigjallërimi shovinist grek. Ata nuk mund të dinin atë që luhej në prapaskenë, por pikëpyetja “përse vetëm ne pa qeveri në emigracion” i mpinte dhe i detyronte të rrinin në pritje.
Për të lehtësuar aleatët italianë, divizionet gjermane pushtuan Jugosllavinë dhe Greqinë. E para u shpërbë dhe, si rrjedhim, Kosova, (pa Mitrovicën minerare), dhe territoret të tjera të shqiptarëve iu bashkuan Shqipërisë. U bë realitet ëndra shekullore për bashkim kombëtar, pavarësisht rrugës dhe mënyrës se si u arrit. Historianët komunistë thonë se kjo ishte pa vlerë, ngaqë vetë Shqipëria ishte e pushtuar. Por harrojnë se ndërkohë lavdërojnë luftrat që bënë shqiptarët kundër vendimeve copëtuese të Shën Stefanit, ndonëse edhe atëherë ishim nën pushtim, nën Sulltanin. Në raste si ky, akademikët e historisë e lenë mënjanë tezën e tyre! Përmendin Kartën e Atlantikut që nuk njeh ndryshime kufijsh, dhe bëjnë të verbërin për të lexuar që aty shkruhet se “nuk do të dëshironim ndryshime territoresh të bëra pa dëshirën dhe vullnetin e lirë të popullsive përkatëse”. Atdhetarët shkuan edhe më tej duke kërkuar parimin e vetvendosjes që ka qenë, është dhe do të mbetet gur themeltar i të tëra rregulloreve të organizmave ndërkombëtare. Nuk mund të mos vemë në dukje që ata ”kolaboracionistët” e qeverisë së Tiranës çelën shkolla anembanë Kosovës, ku u formuan ata që punuan, luftuan dhe arritën pavarësinë e Kosovës!!
Mbas sulmit gjerman kundër Rusisë komuniste, kjo e fundit filloi propagandën nëpërmjet Kominternit dhe rrjetit të tij ndërkombëtar, për ta paraqitur luftën (deri dje kapitaliste!) si çlirimtare. Moska e stërholloi mashtrimin edhe më tej duke deklaruar shpërndarjen e Kominternit. Me këtë platformë të sofistikuar propagandistike, pra si “luftë për çlirimin e popujve”, filloi të paraqitej lëvizja komuniste në Europë.
Ndërsa në Shqipëri, ithtarë të ideve komuniste, vazhdonin të vegjetonin të ndarë në disa grupe, që gjallëroheshin duke akuzuar njëri-tjetrin.
Nevoja e partisë komuniste
Këtë situate e shfrytëzoi partia komuniste jugosllave, parti me përvojë shumëvjeçare, duke dërguar emisarët e saj, si të ftuar nga shqiptarët. Shumë e errët është historia e formimit të partisë komuniste shqiptare. Paskal Milo thotë se ka gjetur dokumenta të reja për lindjen e Partisë Komuniste në truallin tonë. Ai shkruan figurativisht se mamia qenë jugosllavët, kurse fëmija qe shqiptar. Po të jetë për figura letrare, unë mendoj se është më përshtat të thuhet se balta qe shqiptare, kurse qypin e bënë duart e shkathëta të ustallarëve serbo-malazezë.
Ajo parti me misteret e natës filloi e ashtu, të nxirra i vazhdoi bëmat. Edhe nga viti ‘44 deri në ‘48, ndonëse ishte në pushtet, qëndronte e fshehtë, në ilegalitet. Dhe gjatë gjithë diktaturës së proletariatit nuk pati kurrë një tabelë identifikimi në godinën ku ishtë selia e saj.
Viti 1941 u mbyll me futjen në luftë të Japonisë militariste në krah të Boshtit. Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre, u vunë në krah të Britanisë. Në Shqipëri veç atentatit të Vasil Laçit, u bënë gati tre vjet pa ndonjë veprim luftarak kundër Italisë.
E kemi fjalën gjithmonë për luftën kundër pushtuesit!
Gjatë vitit 1942 ushtritë e trekëndëshit Romë-Berlin-Tokio vazhdonin të zotëronin gjëndjen si në Europë, ashtu edhe në zonën e Pacifikut. Megjithatë kish filluar të ndjehej një lloj lodhjeje, që dukes si shterrim forcash. Dhe nga fundi i vitit, me disfatën në El-Alamein dhe më pas në Stalingrad, filloi kthesa e madhe e Luftës së Dytë Botërore, që do të sillte fitoren e aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë.
Kjo situatë botërore sigurisht që filloi të pasqyrohej edhe në Shqipëri. Përvoja shumë e pasur e komunizmit ndërkombëtar, po ndjehej edhe në vëndin tonë. Partia komuniste e sapo formuar, sipas udhëzimeve të ardhura nga jashtë nëpërmjet emisarëve jugosllavë, me parulla për një luftë nacional çlirimtare, filloi të tërheqë tek të rinjtë që ishin synimi kryesor i saj. Nga përvoja dihej se masa e të rinjve përpunohet më shpejt, dhe përndizen më lehtësisht me ndjenjën e urrejtjes për kundërshtarin. Ndihej nevoja për të populluar çetat, meqë lufta mori këtë rrjedhë.
Sipas të vërtetës historike, veprimtarinë kryesore partia e komunistëve shqiptarë e filloi me terrorin kriminal, duke vrarë anëtarët e saj në atë që quhej “spastrim”. Të bije në sy fakti që emisarët jugosllavë, zotërit e vërtetë të partisë, në fillim shprehen për Enver Hoxhën si i ngathët, dembel, i paqëndrueshëm… Me përbuzje ata e quanin “lopë” atë, por pastaj kur ai aktivizohet në fushatën e “spastrimit” kundër shokëvet të vet, fillojnë dhe e lavdërojnë duke parë tek ai njeriun e duhur që do të shndërrohej lehtë në një vegël e bindur e tyre.
Për atë episod dramatik, që propaganda komuniste e ka cilësuar si “likuidimi i fraksionit të Sadik Premtes”, prisja që historiani Milo, edhe si me origjinë nga ajo zonë, ta shtjellonte hollësisht si aktin fillestar të terrorizmit komunist. Por jo. Ai lan duart me të vetëm me dy-tri fjalë: “Anastas Lulua u vra në luftë” dhe “pasi iu vranë shokët Sadiku kaloi në ilegalitet të thellë”! Po si, more zoti Paskal, nuk gjen dot dëshmi se Lulon e vranë me plumb prapa kokës, shokët e vet?! Si nuk ke patur fat të dëgjosh që krimineli Idriz Seiti, ngjeshi kapellën me yll partizan dhe i udhëzuar nga kryeterroristi gjakatar Mehmet Shehu me përvojën e madhe të luftës civile spanjolle në stilet e likuidimit të shokëve të idealit, vrau komisarin e Çetës Plakë, Xhemil Çakërrin dhe plagosi komandantin e Çetës, Neki Ymerin?! Si nuk qëlloi të gjesh njerëz e dokumenta që flasin se ata “trimat atdhetarë” që kishin dalë për të luftuar pushtuesin, pushkën e parë, nuk e shkrehën kundër tij, as kundër “kolaboracionistëve”, por kundër shokëve të idealit?! E në ato ditë, barku i Nënës Shqipëri nuk e kish ngjizur ende beben Nacional Çlirimtare! Ti duhet të flisje për atë gjakderdhje që sipas atyre që janë thënë, u ka kushtuar jetët afro njëqind të rinjve dhe që është akti i parë i terrorit që do të vazhdonte gjysmë shekulli. Pra, kish të drejtë zonja Donika Omari (nënkuptohet i shoqi, djali i motrës së Enverit, Luani), kur në një shkrim të sajin thoshte se nuk mund të ndodhte që një lëvizje, në fillim e mirë, të shndërrohej më vonë në të keqe, se e keqja brenda saj ka qenë që në fillim. Dhe sigurisht, nipi e njihte mirë dajën e vet!
Synimi i komunizmit botëror për të marë pushtetin me çdo kusht e mjet në çdo vend sigurisht nuk mund të realizohej vetëm me ca të rinj qofshin edhe fanatikë të vendosur. Ashtu si para lufte, me të ashtuquajturit “fronte popullore”, në kushtet e luftës, u ideua e u përpunua skema djallëzore e “lëvizjeve nacionalçlirimtare” ku do të përfshiheshin individë pa dallim feje, krahine dhe ideje, bile edhe me bindje antikomuniste. Dhe këto lëvizje, në prapaskenë, do të drejtoheshin nga komunistët. Kështu që edhe në Shqipëri, nën drejtimin e emisarëve jugosllavë, filloi aktiviteti për të arritur tek ajo që do të quhej Konferenca e Pezës. Kristo Frashëri gënjen kur thotë që partia komuniste hoqi dorë vullnetarisht nga programi i saj politiko-ideologjik. Ai e di mirë se ai veprim ishte mashtrim. Vendimi që çetat partizane do të përdornin yllin e kuq në flamur e në kapelë përcaktoi që lufta do të kish karakter ideologjik e jo aq luftë kundër pushtuesit. Dhe, më kryesorja, vetëm partia komuniste në atë lëvizje do të ishte formacion i organizuar e do të përfaqësohej me delegatë. Kushdo tjetër do të pranohej vetëm si individ. Në synimet e në rrjedhimet që pati ajo mbledhje ishte një dështim që pasqyrohet qartë në kritikat dhe autokritikat e organizatorëve.
Kështu po mbyllej edhe viti i katërt pa luftë kundër pushtuesit, që është dhe tema e librit të historianit tonë.Dhe vetvetiu lind pyetja: kur ka ndodhur ajo luftë që shkëlqen me bëmat e saja, ajo “epope madhështore e popullit shqiptar”? Vetëm pas të shtatit muaj të ‘43-shit, kur Italia fashiste ishte në grahmat e fundit nga goditjet e forcave anglo-amerikane?! A u rrëzua Duçja dhe bashkë me të edhe fashizmi më 25 Korrik ‘43?
Por le të vazhdojmë…
Nacionalistët me çetat e tyre, që aty-këtu bënin luftime kundër pushtuesit sikurse bënin edhe komunistët, ishin më të shumtë në numër. Pohohet, se në Kolonjë, Safet Butka kishte 150 luftëtarë, kurse Petrit Dumja me Josif Pashkon, rreth 50, por këta të fundit ishin shumë më të organizuar dhe më të disiplinuar. Kështu që të detyruar nga rrethanat, pranuan të marrin pjesë në atë që u quajt Mbledhja e Mukajt, por, sipas zakonit, me shumë hile e me qëndrime tepër ambigue. Përfaqësia e komunistëve ishte heterogjene, ca figura të nivelit të dytë, pa autorizim të plotë dhe me udhëzime as mish as peshk. Jugosllavët vigjëlonin në hije, kurse çiraku i tyre, heroi kryesor i librit që kam në dorë, ndenji larg. Megjithatë nacionalistët u shtrinë dorën dhe i trajtuan si të barabartë. Krijimi i Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë me nga gjashtë anëtarë për sejcilën palë, vendimet për luftë kundër forcave pushtuese, ujdia që çështja e Kosovës të zgjidhej me parimin e vetvendosjes dhe që forma e regjimit dhe e qeverisjes në Shqipërinë e lirë të zgjidhej me votim të përgjithshëm, demokratik, janë dëshmia më e mirë e qëllimit të marrëveshjes.
Isha 16 vjeçar në atë kohë dhe e mbaj mënd shumë mirë se me sa gëzim e shpresë u prit thirrja drejtuar shqiptarëve. Por këtë nuk mund ta pranonin jugosllavët që synonin gllabërimin e Shqipërisë. Pas Tempos, dy emisarët e më pas kuklla e tyre, Hoxha, kthyen fletën. Është tronditës shpërthimi i Ymer Dishnicës: ”Letra jote e fundit më ra si rrufe në qiell të kaltër!” Nuk ndikoi as gëzimi i madh që ngjalli aksioni i përbashkët kundra armikut nën komandën e Abas Kupit. Shfajësimi se ishin shumicë dhe se kishin bërë luftën, pra nuk mund të pranonin të ishin të barabartë me Ballin, i demaskon më mirë sepse, logjikisht, derisa një nga vendimet shpallte që çdo gjë do ta vendoste populli me votën e tij të lirë, atëherë fitoren në zgjedhje ata e kishin të siguruar e nuk kishin pse të trembeshin!
Dhe për të mbyllur çdo mundësi bashkimi në të ardhmen, ata filluan vrasjet e nacionalistëve. Kështu filloi vëllavrasja, pra lufta civile.
Ajo që ndodh me librin e P. Milos është se ai të shpie shpesh mendjen te paralelizmat. Zoti Milo shkruan se si Jakomoni i raportonte rregullisht Duçes për karakteristikat dhe veprimtaritë e “kolaboracionistëve” të vet e ty menjëherë të vete mendja te Miladin Popoviçi që raporton tek Titua të njëjtat gjëra. Edhe ky për “kolaboracionistët” e vet!
Një muaj pas Mukajt, Italia kapitulloi dhe forcate saj ushtarake në Shqipëri nuk dinin nga të vërtiteshin. Një pjesë të madhe i vranë ose i morën rob gjermanët, një pakicë vanë dhe u rreshtuan me komunistët, kurse shumica u shpërnda fshatrave, si argatë për punë bujqësore dhe blegtorale, deri sa u riatdhesuan pas mbarimit të luftës.
Pra duke marë parasysh këtë të vërtetë historike që nuk e kundërshton dot, a mund të glorifikojmë sot luftën dhe çlirimin nga Italia fashiste duke bërë festën folklorike “se i hodhëm në det ata?!” Luftëtarët që këndonin “Bijt’ e Stalinit jemi ne/ që derdhim gjakun anembanë,/ sa të valojë përmbi dhè,/ flamuri drapër dhe çekan” dhe që mbanin në ballë yllin komunist, kishin dalë të luftonin jo për atdheun e pushtuar, por për fitoren botërore të komunizmit kundër synimit të Boshtit për rindarjen e botës!
Viti i fundit i luftës
Tani të arsyetojmë analizën për periudhën njëvjeçare (vjeshtë 1943-vjeshtë
1944), që nga futja e trupave gjermane në tokat tona.
Me kapitullimin e Italisë nuk kishte më asnjë pikë dyshimi që aleatët e kishin të fituar luftën dhe kapitullimi tjetër, ai i Gjermanisë naziste, ishte vetëm çështje kohe. Kështu qëndrimi i forcave gjermane në Shqipëri për të siguruar rrugët e ndërlidhjes të forcave kryesore të tyre në Greqi, ndihej që ishte i përkohshëm. Përvoja në gjithë Europën tregonte se një goditje sa do e vogël ndaj tyre afër zonave te banuara, shkaktonte raprezalje të egra, barbare ndaj popullsisë civile. Ultimatumi gjerman ishte: “Ose një regjim ushtarak gjerman, me pasojat që dihen, ose një shtet shqiptar, në punët e brendshme të të cilit ne nuk ndërhyjmë!” Ishte nevoja e një qeverie që të siguronte rendin e brendshëm.
Historikisht është e njohur që bashkëpunimi e tradhtia e një individi me pushtuesin e vëndit të tij është ose ideologjia e përbashkët me të, ose përfitimet materiale nga prania e pushtimit. Shqiptarët që qeverisën vendin në atë kohë nuk pajtoheshin me ideologjinë naziste, sidomos me teorinë e racave. Ata refuzuan në mënyrë kategorike t’u dorëzonin hitlerianëve hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri, për më tepër, mbrojtën edhe ata hebrenj që erdhën me arrati nga vëndet e tjera. Është rasti të vemë në dukje që “kuislingët” e Tiranës iu bënë mburojë edhe familjeve të ndryshme që i strehuan hebrenjtë muhaxhirë. Dhe mburremi sot, botërisht, që ne shqiptarët jemi njerëz të besës, jemi të parët që vrapojmë te njerëzit në hall. Kurse ca vjet më vonë, po ne shqiptarët të terrorizuar nga raprezaljet e egra të komunistëve, premë në besë duke ia dorëzuar Sigurimit famëkeq, miqtë e ngushtë, dhe pjestarë të fiseve tona!
Përsa u përket përfitimeve material nga pushtuesit gjermanë, edhe komunistët më fanatikë nuk përmëndin gjë, megjithë fantazinë e tyre famëkeqe për të sajuar. Pa rrëmbim dhe me ndërgjegje të qetë, a mundemi, t’i quajmë tradhtarë Patër Anton Harapin, Lef Nosin, Mehdi Frashërin, Mihal Zallarin e shumë të tjerë?! Në atë kohë e në ato kushte, në shërbim të vëndit, ata vunë peng jo vetëm jetën e tyre, por edhe dinjitetin që e kishin të shtrenjtë. Synimi i tyre ishte që vendi ta kalonte me sa më pak humbje atë gjëndje të përkohëshme. Sa ia dolën? U munduan të ndalonin vëllavrasjen, por përpara vendosmërisë komuniste “për të marrë dhe mbajtur me gjak pushtetin”, lufta civile filloi e vazhdoi deri në fund. Miloja, dhe të tjerë si ai, thonë dhe përsërisin se “kur vëndi është nën pushtim nuk ka luftë civile.” Kush e ka thënë e ku është shkruar nuk japin shpjegim. Po Greqia, a nuk ishte nën pushtim, kur EAMI komunist, luftonte kundër EDES-it nacionalist, që përfaqësonte qeverinë greke në mërgim? Mendoj se njerzit më kompetentë për këtë janë ushtarakët dhe oficerët englezë, të parashutuar me misione tek ne. Në dokumentet e tyre, me plot gojën e pa asnjë ekuivok, vëllavrasjen midis shqiptarëve e cilësojnë l u f t ë c i v i l e, dhe për më tepër, identifikojnë si nxitës të saj serbin Dushan Mugosha. Në raportin që në prill 1944 i dërgon Enver Hoxhës, Mehmet Shehu thotë se në luftimet për çlirimin e Pogradecit me rrethina, ku nuk kishte asnjë gjerman, nga robërit e kapur shqiptarë dhe kosovarë, ai pat pushkatuar dyzet veta dhe njerëzit e tij kishin djegur Starovën. E me një farë ngazëllimi, Shehu shton se “nesër nuk do të ketë më Starovë!”
Pra, si kudo nëpër Shqipëri, aty ku nuk kish gjermanë, goditeshin shqiptarët kundërshtarë. më të paktë në numër e me disiplinë gati të shthurrur. “Çlirohej” qyteti, partizanët mbushnin sheshet, por ata merrnin përsëri përpjetë, maleve, sapo shfaqeshin forcat gjermane që vinin aty në kalim e sipër. Në libra shënohet psh. se Mehmeti e çliroi Pogradecin në prill… Unë i pyes librat, nga kaluan forcat gjermane në tetor e nëntor për të luftuar në Tiranë dhe për t’u tërhequr drejt Gjermanisë?!
Se si luftohej kundër gjermanëve e pasqyron mirë letra e Hoxhës për Nako Spiron: ”…ne fakir fukarenjtë, që jemi këtu të mbyllur, si miu në vrimë.” Edhe në kujtimet e Gjeneral Dejvis-it përshkruhet se si tentuan disa herë pa sukses të dilnin nga rrethimi dhe se si Hoxha u tha që do të ikte vetëm ai me pak veta dhe më vonë do ktheheshin të merrnin englezët. Por ia mbërriti çeta e Azis Biçakut, sigurisht e njoftuar nga miqtë e Sami Bahollit. Të pabesë me shokët e tyre, sigurisht nuk do të hezitonin tua punonin rengun për të shpëtuar veten në kurriz të oficerëve englezë, të cilët edhe i urrenin.
Edhe autokollonën e fundit gjermane, të shkatërruar e të copëtuar nga bombardimet e mitralimet e vazhdueshme të aviacionit englez, nuk e ndalën dot të hynte në Tiranë dhe së bashku me ata ushtarë që luftonin aty, të ikte nga Tirana në datën e paralajmëruar të 17 nëntorit. Nuk kam dëgjuar dhe as lexuar ndonjë shkrim për ndonjë luftim ose rënien e ndonjë partizani për “çlirimin” e Gjirokastrës, Korçës, Beratit, Vlorës, Elbasanit, Durrësit... Sipas historianit tjetër, Marenglen Kasmit, më 3 tetor ishtë dhënë urdhëri nga Shtabi i Përgjithshëm për tërheqjen e trupave gjermane nga Greqia e Ballkani. Kësisoj, data se kur u largua gjermani i fundit nga Shqipëria nuk ka asnjë rëndësi. Më drejt veprojnë në Greqi, tek nuk përkujtojnë ditën kur ikën repartet gjermane, sepse nuk ishin grekët që i detyruan ata. Ata përkujtojnë 28 tetorin, kur Metaksai i tha “jo” ultimatumit Italian, ashtu sikurse i tha edhe Zogu në fillim të prillit ‘39.
Nga fundi i majit të 44-ës, kur shihej i afërt largimi i okupatorëve, komunistët, të komanduar nga dyshja jugosllave, filluan përgatitjet për marrjen e pushtetit dhe mblodhën Kongresin e Përmetit. Zgjodhën delegatë që donin vetë, dhe nuk I ndaloi njeri të hidhnin poshtë vendimet e Pezës për pluralizëm pa dallim feje, krahine dhe ideje! Vendosën ndalimin e hyrjes së Zogut në vend, deklaruan mosnjohjen e marëveshjeve të shtetit legjitim të mëparshëm, përvijuan parametrat e “demokracisë popullore”, pra përcaktuan rrugën që do të ndiqnin për vendosjen e diktaturës të proletariatit.
Pak muaj më vonë, në pleniumin e Beratit, emisarët e Titos, për t’i nënshtruar plotësisht, i turpëruan udhëheqësit shqiptarë komunistë, duke i detyruar të pranojnë ato që kishin bërë si kolaboracionistë, lakej të tyre! Aty Enver Hoxha pranoi faktin që partia nuk kish pasur Komitet Qëndror dhe çdo gjë e kish vendosur e vulosur vetë Miladin Popoviçi! Malëshova deklaroi se kishin vepruar si një bandë terroristësh! Gogo Nushi u rrëfye se kishin pushkatuar më shumë se njëqind persona, civilë të parmatosur, jo se ata, të gjorët, kishin faj, por se mendohej që do t’i kishin kundërshtarë politikë në të ardhmen!
Pra, e përsëris, edhe lufta për Tiranën, nuk u bë që ta çlironin nga forcat pushtuese, komanda e të cilave, tërthorazi, pat deklaruar se sipas planit operativ të largimit, do ta zbrazte më 17 nëntor. Lufta u zhvillua e rreptë, çdo natë deri në të gdhirë, për ta spastruar vendin nga atdhetarë të ndershëm, që në të nesërmen pritej të kundërshtonin politikën antishqiptare të të kuqve!
Çfarë mund të ndodhë më shumë në një luftë civile?! Në librin e tij P. Miloja, që ka aq për zemër Enver Hoxhën, mendon se e mbron atë kur thotë që ai nuk foli sinqerisht, por ishte taktikë dinake e tij.Por në vënd t’i verë vetulla, i nxjerr sytë, sepse Enveri i tij historikisht ashtu është shfaqur: dinak, pa skrupuj, pa personalitet, i pabesë, i gatshëm të bëhej baltë për ta shkelur kur ia desh interesi.
Me urdhër të Titos, brigadat partizane u futën në Kosovë dhe që atëhere, Enverin me shokë, po të duan historianët e shkollës së tij, mund t’i quajnë zyrtarisht komunistë kuislingë, që vrasin e presin vëllezrit e tyre për t’i lënë nën sundimin jugosllav. Fillon kështu ai prostituim politik i komunistëve kuislingë me serbët deri në 48-ën, pastaj me rusët dëri në 61-in, më vonë me kinezët derisa ua mbyllën derën dhe atyre dhe u mblodhën të mendojnë dinakëri të reja për të mbijetuar.
Teza se komunistët e renditën Shqipërinë me fitimtarët e Luftës së Dytë nuk është, edhe ajo, aspak e vërtetë. Anglo-amerikanët asnjëherë nuk i pranuan komunistët shqiptarë si aleatë, as gjatë luftës, as më vonë në Kombet e Bashkuara. Në pranverë të 45-sës, si studentë, na kanë nxjerrë në demonstrata për të kërkuar që Shqipërinë ta pranonin në mbledhjen e San Franciskos ndërsa po krijohej Organizata e Kombeve të Bashkuara(OKB). Kush nuk i mban mend manifestimet nëpër tërë qytetet e vendit, me ato thirrjet korale “Të na njihet qeveria!” Por vetëm 10 vjet më vonë, më 1955, ne, “të rreshtuarit krah aleatëve të mëdhenj” u pranuam në OKB, së bashku me Mongolinë... Edhe Stalini nuk na konsideronte si aleatë, deri sa pyeste Gjilasin se “kur do ta gëlltisnin jugosllavët Shqipërinë!”
Komunistët shqiptarë i mbështeste vetëm Titoja, dhe jo si aleatë, por si vasalë të nënshtruar. Ishte shenjë mirësjelljeje ndaj tij, ajo që ndërkombëtarët na pranuan në Konferencën e Paqes, në Paris. Edhe teza tjetër, se komunistët mbrojtën tërësinë territoriale të Shqipërisë, nuk qëndron. Kush e rrezikonte atë? Pretendimet greke për t’ashtuquajturin Vorio-Epir, u mbështetën fillimisht nga Churchilli, vërtet. Por për kryeministrin britanik vetëm “interesat e vendit të tij ishin të përjetëshme” dhe pas luftës, ato interesa kërkonin që të mbështetej Titoja, për t’u shkëputur nga vatha staliniane, gjë që do kish si rrjedhojë sigurimin e Greqisë të lidhur me Perëndimin dhe mbrojtjen nga krahët të Italisë dhe Turqisë. Pra u ndihmua Titoja ta gllabëronte Shqipërinë më anën e çirakëve që kish përgatitur.
Kështu shpjegohet mos përmendja e Shqipërisë në marrëveshjen që u arrit në Moskë, mes Stalinit e Churchill-it, sipas projektit të këtij të fundit, për ndarjen e zonave të tyre në Ballkan. Dhe që vëndi u shit nga komunistët kuislingë të Tiranës tek sllavët, jo një pjesë por i gjithi, e vërtetojnë marrëveshjet e 47-ës për bashkimin doganor, parifikimin e monedhës, shoqëritë e përbashkëta, e të tjera e të tjera…
Në përfundim po ju drejtoj dy pyetje historianëve Frashëri, Puto, Milo e të tjerëve: nëse komunistët shqiptarë do të mos kishin tradhëtuar Mbledhjen e Mukajt dhe Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë të vazhdonte sipas programit luftimet kundër forcave gjermane, derisa i fundit prej tyre të largohej nga Shqipëria, të shtrinte zbatimin e ligjit e të rendit në të gjithë vëndin, të organizonte vërtet zgjedhjë të lira e demokratike, të orientonte Shqipërinë sipas amanetit të Rilindasve tanë të mëdhenj se “për shqiptarët dielli lind andej nga perëndon” si do të ishte Shqipëria jonë sot? Sigurisht një anëtare tashmë e vjetër e NATOs dhe e Bashkimit Europian, me një sistem demokratik të stabilizuar, me një ekonomi të zhvilluar e me një nivel jetese të begatë e të qëndrueshme. Pra nuk do të mahnisnim më mbarë botën, ato pamje tronditëse anijesh të stërmbushura mizëri, si bleta kur rroit, me shqiptarë të llahtarisur e lebetitur që iknin nga vëndi i tyre!
Dhe pyetja tjetër: në përplasjen historike midis nacionalistëve dhe komunistëve kush është fituesi? Ç’ka mbetur nga ajo që bënë komunistët duke robëtuar popullin e tyre për gati 50 vjet? Një sistem që filloi me triska dhe mbaroi me tallona.Të rinjtë që ndonëse të terrorizuar tepër thellë, urrejtjen e tyre të ndrydhur në shpirt e shpërthyen dukë pshurur e tërhequr zvarrë statujat. Po e përmbyll me një thënie popullore:”Ç’të të kujtoj moj qepë, çdo kafshatë e lot”!
Ndërsa nacionalistët, të munduar e të cfilitur, por krenarë e të pamposhtur, qëndrojnë fitimtarë para historisë, se ideali i tyre, çështja për të cilën punuan e luftuan, ai “Bashkimi mbarë kombëtar” po bëhet realitet.Të parët tanë ikën nga kjo botë dukë lënë një atdhe të vogël me 28.000 km/katrorë. Ne sot me dy shtete shqiptare kemi një atdhe rreth 40.000 km/katrorë. Nesër, në kuadrin e Europës së Bashkuar, ku kufijtë shtetërorë shuhen, bota shqiptare do të shtrihet në një atdhe shumë më të madh. Pra do të realizohet ëndra e ideali i nacionalizmës shqiptare që “çdo shqiptar, në trojet e tij, të jetë i lirë dhe i qetë dhe i lumtur të gëzojë të mirat materiale të krijuara nga puna e prona e tij!” Ja, kush është fitimtari!Tani që po flitet për rishkrimin e historisë ata komunistë nostalgjikë tru rrjedhur të çdo moshe qofshin, të nëmur e të përqeshur, të ulin kokën të mbuluar nga turpi për gjëmën që i shkaktuan vëndit te tyre. Historia i ka dënuar përgjithmonë.
*Niko Kirka, ish i burgosur politik që nga viti i largët 1946.
Nju Jork 31 Dhjetor 2014
Comments
nuk e di sa mund ti besohet
<p>nuk e di sa mund ti besohet ketij tipi, qe paska qe ne 1945 i burgosur politik?!</p><p>Qazim Mulleti thohte se mjaftojne tre muaj burg per tu bere me komunist se komunistet.</p>
Mulleti e ka thene, nuk e ka
<p>Mulleti e ka thene, nuk e ka thene Pejgamberi! Ja ti qe nuk ke qene asnje dite ne burg, dukesh menjehere qe je nje derr komunisti!</p>
Mulleti e tha, o Anonim, sos
<p>Mulleti e tha, o Anonim, sos e tha Pejgamberi! Ja psh ti pa asnje dite burg, je nje derr komunisti qe kuterbon nje ore larg!</p>
Po mire o Anonimiii, vazhdo
<p>Po mire o Anonimiii,</p><p>vazhdo tu besosh disidenteve te '90-es ti...!</p><p>A nuk e ke vene re: edhe Sali Berisha edhe Ismail Kadarea, po e po Drit Agolli e Xhep Qosja qe edhe sot e kesaj dite e quajne</p><p>"burreshtetar" Enverinon, te gjithe keta (per te permendur vetem Ikonat e Prech Zogajt qe uruan daljen e RD-se), pa asnje</p><p>medyshje, shprehen se "nuk e kishin menduar kurre renien e komunizmes shqiptare"!</p><p>Antikomunistet ishin ata qe e dinin c'ish Flama e Kuqe, perpara se te zinte pulat ne Shqiperi, o Anonimiii!</p><p>Po Niko nuk te kerkon te mendosh si ai e as te besosh te verteten sipas tij. Ai te kujton sic ka ndodhur, dhe ti, nese e do</p><p>Shqiperine, i heq vete paralelet pastaj.</p><p>Nese nuk do ta mbyllesh jeten ne Tranzicion</p><p>dhe ne munç, merret vesh!</p><p> </p><p> </p>
Eshte interesant se si nje
<p>Eshte interesant se si nje gjashtembedhjete vjecar ka pasur nje formim te tille qe te regjistroje ne kujtese te tilla ngjarje. Sidoqofte kjo "kujtese" apo injektim i periudhave te mevoneshme, perfytyrimi i tij ka shume boshlleqe dhe pasaktesi. Nga njera ane na flet per ceta partizane, nga anatjeter del se cetat partizane nuk kane bere lufte. Urrejtja e tij per regjimin e mevonshem komunist i ka turbulluar arsyen dhe e ka bere te ngateroje ngjarjet. Bashkimi sovjetik beria ate qe do bente cdo fuqi e madhe per te mbrojtur veten, kjo eshte e verteta historike Pak kush e beson kete version historie sipas ketij perfytyrimi. Me nje fjale as me shume e as me pak Shqiperia sipas tij ishte nje kolaboracioniste e fashizmit dhe nazizmit dhe gjynah qe Shqiperia u regjistrua ne listen e vendeve fituese duke perfituar dhe reparacione lufte.</p><p>Nuk po futemi ne detaje dhe shprehje pa shume vlere si psh qe Paskal Milo duhet te dinte cbehej ne Kurvelesh meqe qenk nga ato ane (ne fakt asnje lidhje nuk ka me ato ane).Qe te jesh historian nuk duhet medoemos te jesh nga ato ane. Ose qe greket pas kundersulmit italian ne Korce internuan orthodhokset, kurse e verteta eshte se ata internuan gjithe bashkepuntoret e italianeve te cilet luajten nje rol aktiv proitalian ne luften italo greke.</p><p>Shkurt kjo histori e treguar nga goja e ketij personi eshte historia se si e kane pare kolaboracionistet shqiptare. </p><p> </p>
Kyrie Stefan, mos na i bej
<p>Kyrie Stefan, mos na i bej dhe greket "objektive" se i shpallen lufte Shqiperise (?), qe realisht nuk ezistonte sepse ishte kthyer ne province italiane pa politike te jashtme apo ushtri te veten. Sot e kesaj dite a kane ligjin e luftes ende ndonese "Perandoria Romake" e re nuk ekziston me qe nga '43. E as Shqiperia si vasale e Italise nuk ekziston me qe nga 1943. Dmth jane ne lufte me nje shtet qe nuk ekziston me.</p><p>Sa per internimet "objektive" te grekeve, i ati i ketij qe ka bere artikullin, mire a po keq - nuk po e mbroj, e ka pasur emrin Kristo Kirka, ne cdo foto te Vatres del ne krah te djathte te Nolit. Dhe greket e burgosen, ka dale nga burgu (diku afer Athines) vetem pas pushtimit gjerman. Keshtu qe mos na hab barkun po shko shiko se Janullatosi nuk ka qene mire keto dite me tensionin, mbase kujtohet Shen Pjetri (apo Petro) dhe zbret e merr.</p><p>Hajde te fala nga Korca!</p>
Je ne konflikt interesi.
<p>Je ne konflikt interesi. Stefan...</p><p>Me emrin tend dhe me ortodoskit e tjere qe me se pari ishin, ndjeheshin dhe silleshin si shqiptare.</p><p>Nuk merret vesh, perse ne nje "ftese se si mund te lexohet/shkruhet historia sic ka ndodhur", ti gjen sebep te</p><p>risjellesh tezen naive, historikisht te rrezuar dhe zyrtarisht te pranuar me qenien e Greqiae dhe Shqiperise ne NATO,</p><p>pra ate se gjoja shqiptaret (nen pushtim) jane pergjegjes per sulmin e pushtuesve fashiste ndaj Greqise fqinje!</p><p>Zoti Kirka eshte i qarte: ata qe e duan kete vend, bejne sa mundin per te. </p><p>Por, secili ka atdheun e tij, edhe kjo duhet pranuar! Dhe, vendi ku jeton te jete tjeter nga atdheu yt!</p><p> </p>
Me gjithe respektin per
<p>Me gjithe respektin per zoterine e shkruan dhe vuajtjet e tij ne regjimin(enverist), qe per mua ishte nje regjim anti-human, mendoj se tema te tilla kane nevoje per nje trajtim ekspertesh historie dhe shfrytezim dokumentesh arkivore dhe personale te shume personave.</p><p>Te thuash qe Enveri nuk ka pasur aktivitet ne Korce, vetem se zoteria nuk e ka pare ate dite te Prillit 1939 Enverin kjo nuk eshte metode e te berit shkence hisorike. Te kuptohemi, Enveri mund te mos kete patur hic fare aktivitet, por argumentet e pretenduara nga zoti Kirka per te vertetuar tezen e tij nuk mund te merren ne konsiderate si argumente shkencore.</p><p>Me se shumti shkrimi i z. Kirka mund te vleje si deshmi per gjerat qe ka perjetuar vete, pra si deshmitar okular. Per me teper nuk ben ...</p><p> </p><p>Tung,</p><p>Blendi</p>
Add new comment