Edi Rama na ka shkruar një letër

Postuar në 17 Dhjetor, 2014 09:51
Mark Marku

Edi Rama u ka dërguar një letër qytetarëve shqiptarë që paguajnë rregullisht energjinë. Meqenëse jam njëri prej atyre që e paguajnë rregullisht energjinë, e konsideroj veten si njëri prej të falënderuarve. Natyrisht, nuk e kam menduar se kjo punë të sillte edhe një përfitim kësodore: një falënderim prej Kryeministrit. E paguaj energjinë siç paguaj bukën dhe gjërat e tjera në dyqan, siç paguaj librat, faturën e telefonit, mishin, leshin, preshin, KESH­in, domethënë siç paguaj çdo mall, shërbim apo send në treg që më nevojitet ta blej dhe që kam mundësinë ta blej. Marr falënderime mirësjelljeje si klient prej shitësit të frutave, furrtarit, shitësit të dyqanit të rrugicës sime ku blej pjesën më të madhe kohës etj. Si të tillë do ta kisha marrë edhe letrën falënderuese të Edi Ramës nëse Edi Rama do të ishte shitësi i energjisë që unë e paguaj rregullisht. Por, Edi Rama është Kryeministri i vendit dhe jo thjesht shitësi i energjisë që konsumoj unë. Nëpërmjet letrës së tij falënderuese Edi Rama ka tentuar të na bëjë palë në aksionin që qeveria ka ndërmarrë kundër vjedhjes së energjisë nga një masë e konsiderueshme qytetarësh, biznesesh dhe institucionesh. Edhe pse e quaj të drejtë ndërmarrjen e sanksioneve kundër përfituesve të paligjshëm të energjisë, unë nuk mund t’i bashkohem aksionit të ndërmarrë nga qeveria. Madje as mund ta besoj se qeveria po e bën një gjë të tillë për të lehtësuar barrën time. Se ja, edhe pse qeveria dhe sistemi i vet propagandistik thotë se mijëra qytetarë kanë mbushur radhët për të paguar faturat e prapambetura bashkë me kamatëvonesat, mua në janar nuk do më ulet energjia, përkundrazi, do të rritet çmimi i saj. Megjithatë, nuk është kjo arsyeja pse nuk e mbështes aksionin e qeverisë.Arsyet janë të tjera. Mendoj p.sh., se një nga arsyet që unë e paguaj energjinë është se kam me çfarë ta paguaj. Dhe qeveria më falënderon. Po kjo nuk më bën t’u sulem bashkë me qeverinë gjithë atyre që nuk e paguajnë si unë. Ka mes tyre që kanë mundësinë po nuk e paguajnë se u shijojnë përfitimet e padrejta, dhe këtu e mbështes pa hezitim qeverinë. Ka biznesmenë që harxhojnë para me thasë për teka dhe lukse nga më të ndryshmet dhe nuk denjojnë të paguajnë faturat e energjisë, dhe këtu e mbështes pa kurrfarë rezerve qeverinë. Ka komuna që i shëtisin këshilltarët e tyre nga njëri cep i botës në tjetrin me paratë e taksapaguesve dhe nuk ndajnë shumën e duhur nga buxheti i tyre vjetor për konsumin e energjisë, dhe këtu e mbështes me gjithë zemër qeverinë. Por ama, ka njerëz (dhe mendoj këtu hyn shumica e qytetarëve shqiptarë që janë debitorë ndaj shtetit) që edhe sikur të duan ta paguajnë energjinë, nuk e paguajnë dot. Ka pleq të drobitur që me pensionet e tyre nuk e paguajnë dot energjinë. Ka të papunë. Ka plot hallexhinj. Dhe para se shteti t’u dërgonte policin duhej t’u kishte dërguar punonjësin social për të bërë një regjistrim të atyre njerëzve që nuk mund të paguajnë energjinë, që nuk mund të ushqejnë fëmijët me bukë, që nuk kanë një strehë për fëmijët e tyre. Pasi shteti të kishte identifikuar numrin dhe vendndodhjen e këtyre njerëzve, pasi të kishte marrë masa që asnjë fëmijë, asnjë i papunë, i sëmurë apo pensionist të mos mbetej pa energji, vetëm atëherë mund të ndërmerrte reprezalje kundër abuzuesve të tjerë. Ja pra pse unë nuk mund t’i sulem bashkë me qeverinë kësaj kategorie (gjë pak a shumë e njëjta për mua sikur të përbuzja apo rrihja një lypës në rrugë) dhe ja pse është pikërisht kjo kategori që më bën të mos ndihem dhe aq krenar që jam njëri nga ata që mund ta paguajnë energjinë elektrike. Sepse në një vend ku mijëra qytetarë luhaten në kufijtë e mbijetesës, nuk mund të jesh krenar se ke mundësinë të bësh atë që tjetri nuk e bën dot: pagesën për energjinë, strehimin, ushqimin, veshjen dhe shkollimin e fëmijëve të tu. Ja pse nuk e adhuroj Kryeministrin, edhe pse e kuptoj se në shumë raste ai ka të drejtë, ja sepse nuk dua ta shoh Kryeministrin e vendit tim në rolin e policit ndërkohë që këtë rol duhet t’ua lërë të tjerëve dhe vetë duhet të marrë rolin e administratorit të vendit që jo vetëm kërkon rend, por edhe krijon mundësi jetese, që jo vetëm i ndëshkon abuzuesit, por edhe që u ofron atyre dhe shoqërisë një doktrinë, platformë a alternativë qeverisje që i eliminon më parë shkaqet që e bëjnë qytetarin të abuzojë e më pas rrit ashpërsinë për abuzimet. Nuk e mbështes pra Kryeministrin edhe pse e falënderoj për falënderimin pasi nuk mendoj se shkopi i policit dhe burgu është e ardhmja e shoqërisë shqiptare. Ka plot arsye për të mos u solidarizuar me aksionin policor të qeverisë, por një nga arsyet përpos atyre që u përmendën më sipër është edhe angazhimi antiligjor i disa institucioneve në këtë aksion. Shumë institucione shtetërore kanë marrë urdhër për t’i pushuar nga puna ata punonjës që nuk i shlyejnë faturat e energjisë elektrike. Duke i shndërruar të gjitha institucionet shtetërore në polici elektrike, në mënyrë të vetëdijshme shkelim të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Ç’të drejtë ka, ta zëmë, drejtori i Galerisë së Arteve, drejtori i Doganave apo shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë të pushojnë nga puna dikë sepse nuk ka paguar energjinë elektrike? Por ajo që e rrit mosbesimin ndaj aksionit të qeverisë ka të bëjë me faktin se nga njëra anë shteti e detyron njërën nga palët që të zbatojë kontratën dhe të përballet me ndëshkime ligjore kur nuk e zbaton atë, ndërkohë që palën tjetër qeveria nuk e angazhon në asnjë marrëveshje kontraktuale dhe nuk e ndëshkon për moszbatimin e saj. Sa herë ndërpriten dritat dhe shteti nuk e detyron palën tjetër të dëmshpërblejë bizneset për dëmet që u shkakton ndërprerja e energjisë elektrike, sa herë ndërpriten dritat dhe qytetarët nuk dëmshpërblehen për dëmet në pajisjet elektroshtëpiake, sa herë ndërpriten dritat dhe shteti nuk e detyron palën tjetër të përgjigjet ligjërisht për të sëmurët që nuk mund të trajtohen, për pleqtë që marrin plevit dhe fëmijët që nuk mund të ushqehen. Edi Rama na ka dërguar një letër, por letrën e gabuar. Nëse ai do t’i konsideronte qytetarët e vendit të tij si qytetarë normalë, letra e tij do të duhej të ishte e tjetër lloji. Do të duhej që në vend që të falënderonte ata qytetarë që bëjnë detyrën, t’u jepte shpjegime po të njëjtëve qytetarë pse qeveria nuk e bën detyrën. Kjo po që do të ishte një pikënisje e mirë për një dialog normal dhe emancipues mes qytetarëve shqiptarë dhe qeverisë së zgjedhur prej tyre. Desha ta nis me postë këtë letër, meqë jemi në prag të Vitit të Ri, por m’u kujtua një këngë e fëmijërisë dhe ndërrova mendje…

 Çova një letër mu në postë,

tu shku rrugës m’ humbi,

erdhi shoqja mbrapa meje,

e në xhep ma vuni.

 

PANORAMA

 

Comments

Submitted by Licovuni (not verified) on

<p>Mendoj se Marku ketu ben loje fjalesh e asgje tjeter. Do te duket se nuk e do kete qeveri, mgjithese nul do as Berishen. Nuk di se cfare te bej dhe kthehet ne nje &quot;opozitar&quot; per aksionin e energjise me sofizma.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.