Spiropali vs. Shehaj
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1718_hdsdfgsdlfgs.jpg?itok=FPWxDfhM)
Administrata Doganore (e drejtuar nga Elisa Spiropali) dhe Drejtoria e Tatimeve (e drejtuar nga Briseida Shehaj) janë diskutuar këto ditë në debatin publik, pas rishikimit të buxhetit të shetit të propozuar nga qeveria. Shkak për këtë ishte rishikimi me ulje i të ardhurave të parashikuara nga akcizat (që mblidhen nga Administrata Doganore) dhe i të ardhurave nga tatim-fitimi (që mblidhen nga Drejtoria e Tatimeve).
Nga realizimi i këtyre zërave në 8-mujorin e parë të 2014-ës, shihet se akcizat dhe tatim-fitimi kapin përkatësisht 51% dhe 60% të parashikimit vjetor, ndërkohë që ka kaluar 66.6% e muajve të vitit. Pra, në pamje të parë, duket se administrata e drejtuar nga Spiropali ka punuar me dobët me akcizat se sa administrata e drejtuar nga Shehaj ka punuar me tatim-fitimin. Por duke analizuar të gjithë periudhen 11-mujore qysh nga fillimi i punës së këtyre dy drejtoreve, e kundërta rezulton e vërtetë.
Me akcizat ka ndodhur ajo që ndodh gjithmonë kur ato rriten në 1 janar – importuesit shtojnë ndjeshëm importet e mallrave të akcizës (cigare, alkol, birrë etj.) ne muajt tetor-dhjetor, për t’u shpëtuar akcizave që rriten në janar. Dhe pastaj, për disa muaj, derisa të shesin stoqet e krijuara në vjeshtë, pakësojnë importet.
Shifrat e buletineve fiskale, në fakt, e vërtetojnë ekzistencën e këtij fenomeni. Në 3-mujorin tetor-dhjetor 2013, të ardhurat nga akcizat u rritën pothuaj 50% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në 8-mujorin janar-gusht 2014, të ardhurat u shtuan vetëm 6% (edhe pse akcizat për njësi u rritën, duke filluar nga 1 janari). Në total, të ardhurat nga akcizat për periudhën 1 tetor 2013 – 31 gusht 2014 u rritën 17% krahasuar me një vit më parë – shifër kjo e njëjtë me rritjen e të gjithë të ardhurave buxhetore gjatë së njëjtës periudhë.
Le të shikojmë tani tatim-fitimin. Në periudhën 1 tetor 2013 – 31 gusht 2014, fitimi i raportuar nga bizneset (mbi të cilin llogaritet detyrimi për tatim-fitimin) ka qenë 7% më i ulët se një vit më parë. Ndërsa në 8-mujorin e 2014-ës, fitimi i raportuar në Drejtorinë e Tatimeve ka qenë edhe më i ulët krahasimisht – plot 10% më pak se një vit më parë. Kjo mund të ketë ndodhur ose sepse fitimi i bizneseve ka rënë, ose sepse ato kanë raportuar më pak seç fitojnë në të vërtetë. Dhe për të ndarë shapin nga sheqeri në këtë dilemë, duhet një studim shumë i thellë…
Duke parë tablonë e madhe të të ardhurave buxhetore për periudhën 1 tetor 2013 – 31 gusht 2014, rezulton se ato janë rritur me rreth 400 milion dollarë (17%) krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që rritja ekonomike, sipas FMN-së, është vetëm 2.1%. Në rritjen e të ardhurave me 400 milionë dollarë, TVSH-ja ka ndikuar me një rritje prej 275 milionë dollarësh. Rreth 2/3 e TVSH-së mblidhet në burim nga Administrata Doganore dhe 1/3 në vazhdim nga Drejtoria e Tatimeve.
Comments
Pavarsisht fakteve qe sillen
<p>Pavarsisht fakteve qe sillen ne shkrim, eshte e veshtire te kuptohet nese eshte ky nje shkrim informues apo argumentues. Nese nje studim i thelluar duhet atehere do te ish mire qe te jepen hipoteza pro dhe kunder tezes kryesore (tatime indirekte vs direkte).</p><p>Per ta bere te qarte idene eshte e veshtire te besohet qe grosistet shqiptare te mallrave te forta te kene mundesi te ngurtesojne kapitalin e tyre ne ate mase sa te ndikoje ne nivele te uleta te akcizes per me teper se tre muaj. Sidomos ne kushtet e renies se kreditimit te sektorit privat.</p><p>Ne anen e tatim fitimit dihet mire po ashtu qe mbledhja e tatimit mbi fitimin ne vitin aktual eshte mbi parashikimin e fitimit te realizuar ne vitin paraardhes. Thene kjo, performanca e tatimeve varet jo vetem nga mbledhja e asaj qe eshte parashikuar ne fillim te vitit por edhe nga sa realist ka qene shifra e parashikuar. </p><p>Si perfundim teza ka lidhje me krahasimin e te ardhurave te mbledhura ne vartesi te situates faktike te konsumit (akciza) dhe te ardhurave te mbledhura ne vartesi te parashikimit (tatimi mbi fitimin). A mund te gjykohet per performancen e te dyja fushave pa dhene dhe gjendjen e faktoreve qe ndikojne respektivisht ne secilen prej tyre?!!</p>
Add new comment