Burgu i Ri

Postuar në 11 Gusht, 2014 01:51
Faruk Myrtaj

Si shenjë dashurie, ajo i kërkoi një dhuratë krejt të veçantë: “Diçka që nuk i është ofruar asnjë femre tjetër në këto vise...!“

Duke ditur natyrën e tij dhe shpirtin e saj, ai i premtoi një burg.

           

 

 

Vendimi i parë i kabinetit të ri qeveritar: miratimi i fondeve për ndërtimin e një burgu.

Edhe ajo pjesë e kryeqytetasve që gëzohej me "lermë o Zot të rroj", shtetasit e ngeshëm - gati të pranonin simbol kombëtar kërmillin në vend të shqiponjës, dhe ata që u bindeshin pa kushte qeverive që pasonin, nuk e fshehën befasimin. Në njoftimin zyrtar nuk fshihej kujdesja që burgu i ri të mos paragjykohej, prej burgjeve të mëparshëm. Sipas zëdhënësit, kjo shtëpi e re pa qira do ish respektuese e së drejtës për dinjitet qytetar. Secili i respektuar, edhe kur t’i ndodhte të shërbente ose t’i shërbehej në këtë burg.

Numri i shëtitësve në "Bulevardin e Të Rënëve Pa Vetëdije", që shkonte e urtohej tek këmbët e pallatit të madh të qeverisë, u rrallua me shpejtësi. Çdonjera prej qeverive të mëparshme ish marrë me riparimin e burgjeve, të gjitha premtonin ndershmëri për të ndershmit, ndëshkim për ata që vinin dorë mbi pasurinë publike, por as të ardhurit në pushtet me krisma s'kishin nisur me hapje burgu.

Si për të qetësuar masën e qytetarëve që përgjërohej për ec-e-jakën përgjatë bulevardit, të nesërmen u publikua njoftimi shtesë: një e teta e fondeve për ndërtimin e burgut, do të vilej prej pagave të kryetarit të shtetit, kryeministrit, ministrave, zv/ministrave, drejtorëve të drejtorive dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Pak orë më vonë, u përhapën fjalë se të tretën e pagës do ta dhuronin për burgun e ri edhe shefi i opozitës, kryetari i kontrollit të serverve të tatimeve, avokati i tërë popullit, madje edhe pretendenti i përhershëm për postin e ministrit të Drejtësisë me kahje oksidentale atlantike... Në këtë truall të bekuar, më në fund, po shfaqej mrekullia.

Për traditë të kësaj ane, “burgu, për burrat ishte”, gjer pak kohë më parë kur një hovardar pushteti bujti vetë në lloj të tillë strehe. Vetëm për shkurt, se ndëshkuesit u penduan dhe, për ndjesë, e rikthyen në karriken e parë. Kryeqyteti mbante mend burgjet e vjetra, ku kishin shtyrë pjesë të jetëve tërë kryeministrat, me përjashtim të atij që e mbyllën në çmendinë dhe të atij të mbramit fare, që preferoi të mbetej burrë edhe pa hyrë në burg, duke zgjedhur vdekjen me letër amanet. Nuk kujtoheshin tërë sa kishin ndodhur, por kurrë siç flitej se po ndodhte së fundi: shtetarëve do tu mbahej “Taksë për Burg”.

Opozita kish gjithë arësyet e pretekstet për t'u shqetësuar. Secili prej saj mund ta gjente veten në hapësirën e këtij burgu. Rioshët në karrike mund t'i dërgonin aty liderët e saj, por një mendje tjetër qetësonte se do ta përdornin burgun si reklamë e mjet presioni. Dyshimet e qetësuesit përkëmbeheshin kur nisi të flitej për një burg ku, sipas shpenzimeve të parashikuara, mund të besoje se do përdoreshin për herë të parë mjete përpunimi, hetimi dhe investigime moderne. Zëra të tjerë e lidhnin nevojën e këtij burgu me numrin e shtetasve në emigracion. Ishte e njohur kërkesa e ministrive të burgjeve fqinje, dhe e të burgosurve atje, për transferim në burgjet e atdheut të vetë. Nëse mëmëdheu s'i kish mbajtur e trajtuar dot si prind, kujdesej t'u bëhej i dhimbshur si burg.

Në ditët më pas, u përfolën detaje që mbështesnin e rrëzonin këto hamendje. Zëdhënësi i ministrit të brendshëm, që përcolli optimizëm e humor (ndryshe prej seriozitetit ngjethës të homologut kryeministror), ngulmoi të qartësonte se kurrkush prej votuesve të thjeshtë s’kish pse t’i druhej ngritjes së këtij burgu. Aq më pak opozita, shtoi ai. Por as që mori mundimin të jepte hollësi: nëse jo qytetarët e thjeshtë dhe as opozita, kush tjetër duhet të druhej prej hapjes së këtij burgu?!

“Tërë vlera monetare, materiale e shpirtërore del prej djersës së popullit. Burgun e Ri prandaj e ngremë...Të shkojnë të gjithë. Absolutisht të gjithë..."

E bëri edhe më turbulluese historinë rrekja e kabinetasve që, një më dy dhe përmendnin si vlerë të shtuar këmbimin e kohëvajtjes në burg me dëmshpërblim monetar. Në burg s’do të shkonte kollaj kushdo: një shofer që parkonte gabim, një i-fshatrave të thellë- shndërruar në kryeqytetas si kompensim për emigracionin masiv të ish-kryeqytetasve - që mbante ndezur dritat e oborrit, ndonjë drejtoreshë shkolle që nxirrte nxënësit për miting, thjesht do gjobiteshin. Paralajmëroheshin varfanjakët të mos shpresonin për t’u gjendur në Burgun e Ri?

Trazira u bë lemeritëse kur u mësua sasia përrallore e parave dhe e valutës në dispozicion për burgun e ri, dhe trualli i zgjedhur për ngritjen e tij: lartësia e kodrës që  sundonte krye-qytetin, ajo me gjelbërim të ëndërruar për pikë turistike e shlodhje masive. Kodra zbriste butë-butë për nga qyteti, në fund të “Bulevardit të të Rënëve Pa Vetëdije”.

Shëtitësit filluan ta mbanin paksa hapin, kur arrinin aty. Ujdisnin frymë-marrjen dhe vështronin shoshoqnë përhumbshëm. Nuk është për të qeshur, vëlla. Një ditë të beftë, kur të ketë mbërritur këtu, dikush mund t'i afrohet secilit prej nesh dhe t'i thotë, natyrisht me mirësjellje: “Në emër të popullit...a mund të ngjitemi deri atje lart?! Është bukur, atje...”, duke bërë me dorë për nga Burgu i Ri.

Siç nuk ndodhte me asnjë premtim tjetër, themelet e burgut të ri nisën menjëherë. Ishte vërtetë një dhè i bukur, i dashur, që s'mbante lagështi, garanci që të ndëshkuarit e ardhëm dhe  gardianët s’do vuanin dhimbje eshtrash, si rëndom në burgjet e hershëm. Për shkak të majëkodrës zgjedhur si truall, dielli do ta përkëdhelte ndërtesën, prej rrezes më të hershme të agimit deri në çastet e shuarjes së vonë në mug. Pikërisht aty, kish qenë një pikë pushimi mbretërore. Për inerci shtetërore, pas abdikimit të mbretit, shërbeu edhe për shtetarët më pas, që, jo vetëm për këtë, ia ndaluan kthimin mbretit, gjallë e vdekur.

Ajo që i dha shtysë habisë së fillimit, ishte lënda që u përdor për ngritjen e mureve: qelq i ëmbël, i përshkueshëm nga drita, i tej-vështrueshëm nga brenda por jo edhe nga jashtë. Të burgosurit do mund ta kundronin qytetin, por jo qyteti ata. Më vonë, pasi muret e kaluan bojën e njeriut, u pa që në hapësirën brenda rrethimit ish ruajtur krejt-e-krejt gjelbërimi.

Mos u bëni naivë, ia behu një zëth, midis kësaj pëshpërime alla-romantike. Burgu, kurrë s'është ai që duket, muret e qelqta nga jashtë, gjelbërimi, shatërvanët e ndriçuar; burgu janë qelitë, mungesa që verifikohet kur të mbyllin brenda. Gjer vonë në mesjetë, deri në rilindjen e parë, zotërinjtë e robërit rronin në të njëjtën kështjellë. Lart bëhej qejfi, vërshonte orgjia, por atje  poshtë, në bincat e qilarët e qelitë, valonte druri...Dyshimi është liri, po përse opozita s’ndjehet për ngritjen e këtij burgu, ma thua dot?!

Gazetat e përditësuara e televizionet, të tëra të pavarura nga populli, nisën të botonin faqe speciale, opinione, që me një herë komentoheshin kudo. Si lajmet që jepen një herë në njëzetë-tridhjetë vjet për afrimin e një komete, që më në fund do vinte, por kur?

Mezi-pritej dita e përurimit, që pastaj të vijonte dita e parë e ndëshkimit, e ardhjes të të burgosurit të parë. Dikush, çdokush, cilido le të ishte, prej shtetasve, vetëm të fillonte, aman! Me ngarkesë të rëndë fjala "Burg", por e shoqëruar nga cilësori "i Ri", ndonse pa u vënë në punë kish ndryshuar diçka në jetën e kryeqytetasve. Qoftë edhe si një pikë humori në gotën e trishtë të gjërave që harroheshin brenda tri ditëve të kujtesës kombëtare.

Pas orës televizive të vonë, në pasqyrën e shtypit të nesërm, tërhoqi vëmendjen një gazetë e re, me titullin "Burgu i Ri". U tha se do botohej me ngjyra e letër luksi. Si për të vazhduar habinë në këtë histori me burg të ri, gazeta do shpërndahej falas.

Mbase numri i parë i saj u shpërnda prej kuriozitetit, por nuk ish ky shkaku që në vazhdim, tërë shtetasit, kërkuan ta kishin doemos, përditshmërisht, edhe sikur botuesi të ndërronte mendje dhe të vendoste një pullë të kuqe për shitjen.

Në këtë gazetë lexuesit mësuan për burgjet më të famshëm dhe të mbyllurit e hershëm të njerëzimit. Plasi gallatë e madhe me llojin e akuzave dhe sjelljen e të burgosurve të parë të botës, përbërjen e trupit gjykues, dëshmitarët dhe nenet ku mbështetej dënimi me muaj, vite, me burg të përjetshëm ose me vdekje. Gazeta “Burgu i Ri” vijoi me tentativat e para të të burgosurve për të ikur, arratitë e sukseshme dhe të dështuara. Secila prej tyre ishte bërë shkak e domosdo në përsosjen e rregullave e masave të sigurisë, gjersa burgu mori trajtën që ishte e vështirë të ikje. Në gazetë u botua edhe letra e fundit e femrës së parë të vdekur në burg, vdekje misterioze, që ishte shoqëruar me ndryshime të rregullores atje. Prej atëherë ishte lejuar, më së pari vetëm një herë në vit, diku në prill apo maj, takim privat bashkëshortor. Diku, gruaja e një të burgosuri ish lutur ta mbyllnin edhe atë, me njeriun e saj atje brenda. Një gardian i shekullit katërmbëdhjetë pat rënë në dashuri me të burgosurën e tij, thjesht prej lotëve të saj, teksa dilte nga orët private me burrin e saj të lirë.

Njohuritë për vend-ndodhjen e burgjeve të veçantë (në mes të ndonjë shkretëtire, në ishuj të pashkelur e majëmale pa rrugë, madje edhe burgje nëntokë, në miniera të braktisura), jo më pak se rrëfimet e të burgosurve, fatet e tyre pas kryerjes së dënimeve, u bën aq familjare në kryeqytetin me Burg të Ri, sa më kureshtarëve iu tipos të rrëmonin në arësyet origjinore të vajtjemendjes së njeriut tek to. Ishte joshëse të merrje vesh se paskej qenë legale e drejta e të burgosurve për t’u këmbyer nga të afërm të tyre, ose prej cave krejt pa lidhje me fajin. Ende nuk kish zyra pune si sot, por kryerja e dënimit të tjetrit u bë zanat.

Siç ndodh me njeriun, teprimi në dënim jo më pak se teprimi në durimin e kot-pritjen e të dënuarve me jetë, solli ndryshimin e ligjeve e rregullave. Lotët jashtë mureve dhe vdekjet në heshtje të të burgosurve brenda tyre, sollën ndryshimet e  praktikave. Një shtresë e tërë njerëzish siguronte jetesën duke punuar si e burgosur, teksa të tjerë, porositësit, ndjeheshin të imunizuar përballë ligjit, që u ndalua mëkëmbësia në burgjet. Mbase prej diferencimit të madh pasuror, kish marrë jetë një praktikë tjetër: shlyerja në para e fajit të bërë. Dilje nga burgu fill në momentin pas hyrjes në të, nëse depozitohej shuma në fjalë. Pas kësaj, në burg shkonin vetëm ata fatzinj që s'kishin të paguanin, varfanjakë që mbase vërtetë ndjeheshin më mirë brenda se jashtë tij.

Ligji ndryshohej, shkelësit gjenin formë tjetër, orvajtja për të shpëtuar prej kufizimeve nuk reshtte, bashkë me çudinë se diçka që ish faj dikur, pas pak dekadash konsiderohej virtyt. Gjahtari fshihej në përgjim të gjahut, por edhe gjahu rrekej papushim si t’i vidhej syrit të tij. Burgu afatgjatë nuk ish më i frytshëm, që u kthyen te ndëshkimi fizik: cungimi, prerja e gishtërinjve për vjedhjet, prerja e llapave të veshëve për mos-dëshmi apo e gjuhës për dëshmi të rreme...

“Burgu i Ri” botoi dokumente për ekzistencën dikur të një dënimi të veçantë: për abuzim me paranë e popullit, nëpunësve të shtetit u damkosej në ballë vula e shtetit, stema e mbretërisë apo e republikës, blangë që u mbetej tërë jetën në ballë. Diku qè përdorur shëtitja e detyruar, duarlidhur e kryeulur e ndonjë nëpunësi ligjshkelës, nëpër rrugët më të populluara të qyteteve të mëdhenj e kryeqyteteve. Turma e qytetarëve shoqëronte me gaz e brohori nëpunësin e dënuar, si ariun në fshat ditëve të pazarit të madh, dhe këndonte himnin kombëtar. Vendimi niste të zbatohej, teksa dikush lexonte nenet e kodit moral direkt në fletoren zyrtare. Edhe më interesante praktika ndëshkuese diku tjetër: goditja me shtizë të flamurit, e nëpunësit të zënë në faj publik. Dënimi me vdekje kishte hyrë dhe ish hequr disa herë, gjersa pas dënimit me varje, ishte hequr edhe ai me vdekje. Përderisa jetën na i jep Zoti, vetëm ai ka të drejtën të na e marrë, shkruhej në gazetën Burgu i Ri. A ka dënim më të madh se ta shtysh jetën në burg? Vdekja u rikthye, kur u ngjitën në pushtet ata që s’donin t’ja dinin për Zotin, por haka u ra shpejt mbi kokë të tyre: nisën të vrisnin njeri tjetrin.

Të prekur nga historia e burgimeve, tashmë jo veç kureshtarë, edhe më të ndjeshëm për të drejtat e njeriut (janë njerëz, në fund të fundit), kryeqytetasit u ndjenë edhe më të respektuar kur u bë e ditur se qenë propozuar lehtësira të shumta për qiraxhinjtë e ardhmë. Atje, do gëzonin jetë sa më normale, gati gati si në familjet e tyre dhe në gjirin e shoqërisë. Dikur, diku, në një shtet që ia kishin harruar edhe emrin tashmë, ose s’e zinin n’goje mu për këtë, nen i parë paskej qenë ai në bazë të të cilit nuk lejohej dënimi dhe as përfolja e sundimtarëve të epërm, pavarësisht fajit të supozuar apo edhe të provuar të tyre. Por, si ndjesë, kthyen në ligj të drejtën për padi penale pse nuk kishte funksionuar telefoni on line kundër abuzimeve e shpërdorimeve...

Lajmi se në Burgun e Ri muret, dyshemeja, tavanet e qelive po visheshin me shtresa materialesh që pengonin të ftohtit në dimër dhe të nxehtit në verë, u konsiderua element qartësisht human. Në mjediset e përbashkëta, deri edhe në intimitetin më të thellë të qelive, do kishte aparate televizive, librari, radio, dushe, shatërvanë, pishina. Sipas një kalendari miratuar në mbledhje të qeverisë, por ende të pashpallur në fletoren zyrtare, ministrat do kishin takime me të burgosurit në një sallë të posaçme, brenda tij.

Ishin kohë të tjera, vendi qe hapur, edhe burgjet do hapeshin, duke u konsideruar sidosi hapësira të mbyllura. Fonde të tjera programesh e projektesh, tërë shuma e akorduar për integrimin me botën dhe milionat prej shndërrimit në Komedi të Dramës Kombëtare, u livruan për përfundimin sa më të shpejt të Burgut të Ri. Në pik të fushatës elektorale, nga të dy palët, u artikulua diçka që shkaktoi mallëngjim gati kolektiv: e drejta e qëndrimit atje brenda, e të burgosurve bashkë me familjet e tyre. Pozita e opozita, nën sugjerimin e emisarëve të huaj për harmoni, dhuruan me urgjencë tepricat e fitimet, sekush sugjeroi edhe përdorjen e parave ende të pa-emetuara të Bankës, madje edhe ato të përfituara nga mosdjegja e drogës popullore, të gjitha për shpejtimin e punimeve të Burgut të Ri...

Në orët e fundit të natës, teksa publikoheshin të dhënat e para të zgjedhjeve të humbura nga një palë dhe të fituara nga pala tjetër, u bë e ditur se tërë kabineti qeveritar, nën moderimin e shefave të huaj të doganave e drejtorëve vendas të mediave ku botoheshin njoftimet e reklamat zyrtare, nisi zhvendosjen për në Burgun e Ri.

"Të gjithë transferohen për atje. Edhe këta që po ngjiten, kanë qelitë e tyre..."

Me këtë nën titull, doli numri i fundit i gazetës “Burgu i Ri”. Gjërat ndodhën aq gëzueshëm, në harmoni aq ngjethëse, sa qytetarët ende s’e besonin atë që, se kush, e kish thënë qysh në krye të nisjes së punimeve: Këta po e bëjnë edhe burgun për veten!

 

Comments

Submitted by Rezi (not verified) on

<p>Nje perfytyrim i bukur satirik. Nje cope letrare mjaft fine me ca paralele te lexueshme. Gjithmone me kane pelqyer tregimet tuaj zoti Faruk, Dhe ky ben pjese ne grumbullin e tyre ku ruhet nje stil i vecante, i pervecem. Pergezime!</p>

Submitted by me mire anonim (not verified) on

<p>E kam lexuar me pare kete proze te shkurter...<br />E shkruar diku andej nga &#39;96-&#39;98, ne mos gaboj ne librin &quot;Nudo Zyrtare&quot;, apo ne ndonje tjeter liber, te po te njejtit Autor, po me proze te shkurter.&nbsp;Jeta, politike dhe jo politike ne Shqiperi eshte e njejta, sic e konstaton vet lexuesi...<br />Nuk them dot se Autori ka qene profetik, por mund padyshim te them se Autori e shfrytezon teper teper mire letersine... per te na dhene filozofine shoqerore qe pershkon realitetin shqiptar post-diktatorial.<br />Dua te them, proza e shkurter e Autorit do te duhej te kishte rene me shume ne vemendje...tek lexuesi, meqe nje Cmim Kombetar, libri perkates, ku gjendet edhe tregimi i mesiperm, e ka marre - dhe &nbsp;me te drejte.<br /><br />&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.