A do të ketë “Fillimi i ri” i Lulit, fundin e projektit të tramit?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/8923_projekti-tramit.jpg?itok=Vgk8HENo)
Ka disa paralele të çuditshme mes projektit për “Tramin e Tiranës” dhe projektit “Fillimi i Ri” për ringritjen e PD.
Paralelja e parë është në rëndësinë që duhet të kishin të dy këto projekte. Duhet pranuar që të dy projektet përbëjnë qartazi interes publik për të gjithë. Fatkeqësisht, me sa duket, ky interes publik mposhtet nga interesi individual i Lulit.
Trami është një projekt afatgjatë për qytetin, ndërkohë që interesat e Lulit me Tiranën kanë qenë afatshkurtra. Ndaj nuk tregoi asnjëherë një vëmendje reale ndaj një sipërmarrjeje të tillë, por u mjaftua t’i vilte vetëm ‘reklamën’ kësaj ideje.
Nga ana tjetër interesi i demokratëve për të ringritur PD-në, me sa duket po mposhtet nga interesi i Lulit për të sunduar PD-në. Procesi, qartazi nuk ka ngjallur besimin e demokratëve, dhe në vend të sinergjisë që duhet të gjeneronte ka krijuar veçse lodhje dhe përçarje.
Paralelja e dytë është në faktin se të dy projektet nisën me vëmendje, mbështetje dhe pritshmëri të mëdha, por degraduan dhe po degradojnë në një banalitet. Trami u pa si një infrastrukturë që do e ngrinte edhe Tiranën në një rend më europian, larg kaosit që e karakterizon. Ndërkohë “Fillimi i Ri” shihej si një infrastrukturë që do ngrinte PD-në në një rend më europian. Kjo justifikonte vëmendjen që iu dha këtyre dy projekteve.
Skicimi i projektit të Tramit nisi nga nevoja reale për të adresuar problematika madhore me të cilat përballet ‘metropoli’ i Tiranës. Ai duhej të disiplinonte pak edhe kaosin e urbanizimit frenetik, duke përfshirë dhe zonat rreth e rrotull Tiranës të urbanizuara në 20 vitet e fundit. Fatkeqësisht, Kryetari e pa projektin, dritëshkurtësisht, vetëm si një mundësi për të ‘marrë ndonjë financim’ ndaj dhe e degradoi më tej në një banalitet promocional të orës së vizatimit të lirë.
Ndërkohë, “Fillimi i Ri” nisi si një nevojë reale për të shëruar plagët dhe korrigjuar shkaqet e 23 qershorit, si një nevojë reale për një ringritje të PD-së. Fatkeqësisht, projekti në vend të shërimit ofroi vetëm fashitjen në sipërfaqe të plagëve, për më tepër, me mjete popullore dhe diletante. Teza politike e projektit për një bashkim të madh të së djathtës shqiptare, degradoi në një përçarje deludente të strukturës së bazës së partisë, duke gjeneruar konflikte banale mbi sinoret e influencave të palëve. Belbëzimi kërcënues i Kryetarit për dënimin e përçarësve, përveçse i pavlerë (pasi shkaqet e përçarjes Kryetari duhet t’i shohë fillimisht te vetja), në fakt është veç certifikimi i këtij fenomeni shkatërrues për PD-në.
Së fundi, fatkeqësisht jo nga rëndësia, paralelja e tretë që shoqëron këto dy projekte është fakti që Kryetari është i vetëm kur beson që ai mbajti fjalën e dhënë për këto dy projekte. Nga njëra ana të konsiderosh Tramin e Tiranës një premtim të mbajtur është banalisht qesharake. Nga ana tjetër është dramatike po të mendosh se sa poshtë ka rënë konsiderata ndaj ‘fjalës së dhënë’.
Ndaj, pothuaj vetvetiu shtrohet, jo pa shqetësim, pyetja; A do ketë dhe “Fillimi i Ri” fundin ‘e vjetër’? A do pësojë edhe ai fundin e ‘fjalës së dhënë, por asnjëherë të mbajtur”?
Shqip
Comments
si eshte puna o muli? nga
si eshte puna o muli? nga bashkpuntori i tij i ngushte.... ju ktheve kunder Lulit?! konflikti ka fillu qe me planin urbanistik te tiranes para 1viti e gjys....... dihet ajo
Hahahahahah, sa te trashe
<p>Hahahahahah, sa te trashe qe jemi si popull, ketu po behen rruget me pagese dhe se thote asnjeri nje fjale dhe keta merren me lulin apo Berishen akoma. Ore zoterinj , iken ata po keta qe jane cfare po bejne apo po presim qe te paguajme edhe per ajrin. </p>
Add new comment