Ai që shan dhe ai që vret

Postuar në 24 Qershor, 2014 05:05
Alqi Koçiko

Kishte një shans të dytë, që rrallëkujt i jepet në jetë. Sali Berisha mori pushtetin për herë të dytë, pas mijëra të vrarëve të 1997-ës, një vendi të shkatërruar dhe miliarda lekëve të vjedhura, kreu një mandat të parë qeverisës me një tendencë të shfaqur qartë për të pastruar emrin e vet dhe rehabilituar rekordin përballë historisë, dhe e mbylli me një mandat të dytë ku pushteti degjeneroi rëndshëm. Në të gjitha drejtimet. Mirëpo dorëheqja nga kreu i partisë që drejtonte prej njëzet e tre vitesh dhe caktimi, qoftë dhe formalisht, i një pasardhësi, krijoi përshtypjen e mbylljes së një cikli politik që gjithsesi, nuk mund të barazohej më thjesht me kujtimin e vitit 1997. Rezultoi se ishte, siç e quajtëm atëherë, një gjysmë-tërheqje dhe mesa duket Berisha nuk ka ndërmend të mbyllë asgjë. Aq më tepër tani që qeveria e koalicionit të majtë ndërmori aksionin që do të përbënte provën e zjarrit për çdo kabinet qeverisës në 15 vitet e fundit: Heqjen e Lazaratit nga harta e drogës.

Në këtë pikë, 69 vjeçari përfundimisht “shkau”. Pikërisht qeveria që ai vetë e pagëzoi si “barone e drogës” ende pa nisur punë, ai kabinet që deri dje dukej sikur i rrotulloheshin fjalët në gojë dhe mekej kur binte fjala për Lazaratin, kishte përgatitur operacionin që sot po përgëzohet anembanë vendit. Tani edhe banorët “më aktivë” të fshatit bastion të PD-së e kanë kuptuar që politika e cila i ka mbrojtur deri më sot, nuk i ndihmon dot më. Dhe Berisha gjen momentin ideal, të indinjohet në parlament sepse kryeministri paska sharë me fjalë turpe një ish mik të medias në një restorant, e s’u ka lënë gjë pa thënë edhe dy femrave që ndodheshin aty. Sepse Berishën nuk e ndal asgjë “para së vërtetës”.

Që incidenti me Adi Krastën ka ndodhur, fare mirë mund të jetë e vërtetë, e po ashtu që njeriu Edi Rama mund të jetë nxehur e ka sharë. Por kjo do ishte një e vërtetë që u hyn në sy disa personave, të pranishmëve dhe protagonistëve. E vërteta e madhe është që Sali Berisha nuk po e përballon dot faktin që Lazarati “i tij” nuk është më, dhe që këtej e tutje, nëse ministri i Brendshëm dhe kryeministri i tij e mbajën fjalën, do të jetë një fshat i të gjithëve, një fshat i banorëve të vet dhe njësoj si të ngjashmit e vet. Dhe përfundimisht nuk di më çfarë të thotë e çfarë të bëjë. Por më e trishtueshme nuk është kjo, por një parti që i vjen akoma pas avazit dhe ndonjë ish ministër defiçent që nuk rresht së surprizuari publikun me asetin më të bollshëm të vetin.

Në qoftë se kjo që po ndodh në Lazarat, e që ndodhi më herët me fshatrat e Kurveleshit, është show politik e mediatik, atëherë kështu qofshin të gjitha shfaqjet qeveritare. Kryesorja është që jemi përballë një realiteti për të cilin kjo qeveri meriton përgëzimet e të gjithëve. Nesër, nëse bën gafa, nëse vjedh, nëse dhunon apo dyshohet për përfshirje në trafiqe e në “zotërim të tregut të drogës”, siç akuzon Berisha, këtu jemi për t’i thënë e shkruar.

Ish kryetari i PD-së kishte dhe një merak tjetër, terrorizimin e banorëve civilë të fshatit nga të shtënat në ajër të policisë. Po, të policisë dhe jo të trafikantëve dhe njerëzve që ata kanë armatosur. Berisha kërkoi që policët të shtijnë në mish dhe jo në ajër, të vrasin dhe jo të dekurajojnë ora-orës kriminelët. Ky njeri ende kërkon gjakderdhje, qoftë dhe të shkelësve të ligjit, dhe kjo jo si zgjidhje e fundit, por si veprim i parë. Në mish dha urdhër për të shtënë ai, edhe kundër katër viktimave krejt paqësore dhe inaktive në protestën e 21 janarit, njëri me duar në xhepa, tjetri kureshtar për së largu, i treti dhjetra metra tej dhe me kurriz nga kryeministria, dhe i katërti në trotuarin përballë. A thua e qetëson pamja e gjakut?

Partia Demokratike sot ka nevojë urgjente ta izolojë, a ta injorojë, apo ta “çaktivizojë” këtë personazh që duket se ka vendosur t’ja bjerrë pikët dhe mbështetësit deri në fund, mjaft që ai ta ketë partinë nën hyqëm. Më saktë, këtë nevojë e ka shoqëria shqiptare, sepse me një opozitë të këtij lloji humbasim të gjithë. Nëse kryeministri që vret, bën të indinjuarin me kryeministrin “që shan” dhe i sugjeron policisë të shtijë në mish mbi një fshat që ai vetë e mëkoi, e ushqeu dhe e la të shndërrohej në kryeqytetin europian të hashashit; nëse ai pra, nuk frenohet nga partia e vet, atëherë ai ka për ta diskretituar PD-në deri në fund. Deri aty sa as Lazarati nuk ka për ta votuar.           

 

Revista Klan nr.875

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Akoma &nbsp;me &nbsp;Berishen &nbsp;do &nbsp;mereni &nbsp;o &nbsp;Alqi? &nbsp;Ai &nbsp;iku &nbsp;dhe &nbsp;skthehet &nbsp;me &nbsp;por, mjere &nbsp;ju &nbsp;qe &nbsp;vazhdoni &nbsp;te &nbsp;merreni &nbsp;me &nbsp;te. Jeni &nbsp;vertet &nbsp;per &nbsp;tju &nbsp;qare &nbsp;hallin.&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.