Ajo që nisi në vitin 1991

Postuar në 20 Gusht, 2011 04:08
Arbër Zaimi

 

Shqiptarët në 1991 u ngritën kundër një shteti ku shumica sfilitej në punë ndershmërisht, e pak, fare pak gëzonin privilegje prej sërës e pozitës (pushtetit). Ata u revoltuan kundër një shteti që përdorte biopolitikën (biografinë, burgun, moralin “puritan-religjioz”) për të marrë peng lirinë e tjetrit dhe të qytetit.

Kundër një regjimi antipopullor që ngrihej mbi shfrytëzimin dhe vjeljen e punës dhe vuajtjeve të mijërave, të cilin shpresonin se nuk do ta gjenin në Europë, në atë Europën e bukur që transmetohej përmes reklamave të “RAI-t”. Të papolitizuar e të varfëruar moralisht po mbi të gjitha materialisht, siç ishin, shqiptarët e revoltuar në 1991 menduan se shpëtimin do ta gjenin te konsumi e të shkëlqimi i zotërimit (të sendit a të njeriut).

Kjo gjendje e bëri reagimin e tyre të manovrueshëm lehtësisht, duke i nxjerrë masivisht jashtë vendi, e duke i paraqitur atyre që mbetën lirinë për të konsumuar gjithçka, sende, banesa, partnerë, seks, vetvete, shoqëri e atdhe.

Me një fjalë i dhanë problemit të diktaturës një zgjidhje brenda kufijve të asaj çka mund ta quajmë “lifestyle”, me gjuhën “e zhdërvjellët dhe aspak të drunjtë” të konsumerizmit.

Për njëzet vjet rresht populli është ushqyer me këtë lloj “zgjidhjesh”, pa e trajtuar kurrë locus-in e diktaturës, që siç thamë më sipër pati një natyrë të pushtetit dhe shfrytëzimit ekonomik. U ndryshua gjithçka, me kusht që gjithçka në thelb të mbetej e njëjtë, që milionat të shfrytëzoheshin e të shtypeshin e që fare pak të vijonin të ishin “bllokmenë” modernë, të cilët zotërojnë politikën dhe ekonominë.

E vërtetë, “Blloku” sot është kthyer në një lloj “vatre të kulturës” së regjimit të sotëm popullor (konsumerizmit), mirëpo “bllokmenët” kanë ngritur “blloqe” të reja ku të mund të jetojnë, nëpër vilat luksoze në “gated neighborhoods” në rrethina të Tiranës. Të pushtetshmit janë sërish të paarritshëm, jetojnë në atë luks e bollëk që shumica e shqiptarëve që punojnë as nuk do t’i ëndërrojnë sa të jenë gjallë.

Po aq prezent është ndëshkimi, që sot nuk është më burgu po është harresa, imponimi ideologjistik e propagandistik i mosvëmendjes për individë e komunitete të tëra që, edhe pse “të lirë” jetojnë nëpër burgje mbytëse – kulturalisht, ekonomikisht, komunitarisht e intelektualisht.

Të tilla burgje e kampe përqendrimi janë të shpeshta jashtë unazës së Tiranës, kuptohet jo pranë bregdetit apo pranë zonave “me perspektivë turistike” se ato si në këtë kohë, si në atë kohë, shërbenin që të çlodhej gjithë vitin paria, e një herë në vit tulla që mbante muret e regjimit. Sot tullës i vjen radha pak më rrallë, gjithsesi.

Blloqe të tilla e burgje të tilla do të ishin ato që duhet të shemben, po të qe se me të vërtetë na dhemb prania e diktaturës në të tashmen tonë. Pra le të shemben komunitetet e gardhuara të pasanikëve dhe enturazhit të tyre në Kodrat e Tiranës, në Petrelë, në Lundër, në Linzë, në Mullet, në Gji të Lalzit.

Të shemben daçat e 0,5% që sundon, garazhet ku parkohen makina e motoçikleta që kushtojnë vetëm njëra aq sa kushton gjithë jeta e shkollimi i 100 fëmijëve që shesin cigare në vend se të shkojnë në shkollë, të shemben molet ku ankorohen jahtet që nuk i prek moratoriumi.

Natyrisht të shemben dhe muret e kampeve të përqendrimit, ato ku njerëzit punojnë në kushte çnjerëzore për të prodhuar pasuri masive e për të mbetur të varfër, si në Bulqizë a në Ballsh. Po të shemben edhe burgjet rreth qyteteve ku janë dyndur fshatarët e shpronësuar që tash rriten të keqformuar në një shoqëri indiferente, lagjet periferike ku lulëzon pesimizmi e ku ëndrrat e të rinjve gjithnjë e më shumë i ngjyros veç droga apo të tjera varësi patologjike.

Absolutisht që duhet të shemben qelitë e varfërisë ekstreme të ish-të përndjekurve, të pensionistëve, të ish-ushtarakëve, të grave e burrave që punojnë në industri a në fasonë, që qepin këpucë e këmisha, që mbyllin konservat e peshkut a të vajit e që punojnë 14 orë për 200 dollarë.

Të shemben kazinotë e pijetoret e kthyera në “dopolavoro”, të shemben universitetet ku çmësohet e ku zhbëhet kultura (interesant është që sistemi arsimor “i hapur” po i jep brezit të ri shansin të përjetojnë dëshirën për t’u arratisur nga ky vend, bash siç ua jepte kultura e mbyllur prindërve të tyre), të shemben çmendinat fluide ku janë mbyllur endacakët, të pastrehët, romët, të droguarit, lypsarët, kurvat, bythqirët.

Mbi ta, pra mbi të shtypurit e mbi të përjashtuarit është ngritur diktatura. Jo mbi ndërtesat imponente të piramidave apo të komplekseve parlamentare. Këto të fundit janë thjesht konfirmim i arrogancës së pushtetit, sa për të thënë që “këtu jam zot unë, e për ty s’më kërcet!!!”.

*****

Hallin e kam se bash ata që këlthasin për prishjen e piramidës nuk duan të zhbëjnë diktaturën, përkundrazi. Duke prishur simbolet e duke çrrënjosur memorien kolektive, ata thjesht duan t’i shpëtojnë krahasimit të tyre me diktaturën. Ata duan që populli ta harrojë që dikur Shqipëria ka patur një diktaturë aq të egër e aq shtypëse sa që bëri popullin të merrte në dorë fatin e vet e ta hidhte poshtë.

Duan që populli ta harrojë të kaluarën e vet të mjerë, që të mos ketë me çfarë ta krahasojë të tashmen e vet po ashtu të mjerë. Duan që të harrohet arsyeja pse nisën kryengritjet, që të harrohet edhe fakti që ato kryengritje kurrë nuk shkuan deri në fund… por u mbyllën me përdorim masiv të sedativëve.

Po të qe se këta pushtetarë do të kishin vërtet si synim luftën kundër diktaturës, ata do të dinin nga ta fillonin. Do ta fillonin nga populli, nga komunitetet, nga njerëzit, nga ata që diktatura kurrë nuk i mori parasysh. Para disa ditësh në Tiranë vdiq një ish-i përndjekur. Vdiq në burg, prej një sëmundje të pakuruar të zemrës.

Ishte arrestuar për shitje droge. Burri 60 vjeç, 17 prej të cilave i kishte kaluar në burg se shante regjimin, ishte katandisur në endacak, mblidhte kanaçe e shiste hashash. Rasti i tij denoncon qëndrimin e pushtetit ndaj diktaturës. Pushteti vijon të mos kujdeset për askënd që del jashtë klientelës së tij.

Ndokush mund të thotë, me keqperceptimin e përgjithshëm, që ish të përndjekurit janë klientelë e PD-së, sepse votojnë përgjithësisht djathtas. Mirëpo këtu qëndron një gabim – klientelat, ryshfeti si sistem është i dështuar, sepse nuk shpërndan dot të ardhura.

Duke menduar se njëra forcë do të mbështesë për efekt reciprociteti njërën shtresë, janë gënjyer të përndjekurit, shumë prej të cilëve kanë vdekur tashmë në varfëri, pa e parë ndihmën e shtetit as kur ka qenë në pushtet partia “e tyre”. Të njëjtën gjë mund të themi për ish-ushtarakët, fjala vjen, që konsiderojnë si “të tyren” partinë tjetër. Edhe ata nuk ia kanë parë hairin pushtetit të partisë “së tyre”.

Të mbështeturit e këtyre partive, në këtë formë që paraqiten, është e gabuar jo vetëm në sensin e një morali shoqëror që nuk është gati t’i japë çdo gjëje një vlerë këmbimi e ta nxjerrë në treg, por është gabim edhe në një perspektivë pragmatike, këto parti janë parti të pakicës që kurrë nuk do të mund të kënaqin ekonomikisht e materialisht përveçse ajkën e klientelës së tyre.

Personalisht mendoj që asgjë nuk i pengon këto parti të reformohen e të ndryshojnë, mirëpo nuk jam optimist për sa kohë ende nuk e kam dëgjuar një mendim reformator të artikulohet prej së brendmi tyre. Për këtë arsye shpresoj më shumë tek një politikë që lind për së jashtmi. Jo se kjo është e lehtë. Do të duhej të trazoheshin ujërat pa të shihnim se ç’del…

E gjithsesi pavarësisht organizimeve partiake, mbetem i mendimit se shpëtimi vjen vetëm nëse populli, kësaj radhe i organizuar e i politizuar të çojë në fund atë që nisi në 1991. Të shkatërrojë piramidën që nuk shkatërroi dot atëherë, piramidën e shtypjes, piramidën e mospjesëmarrjes që ka mbajtur në fron lloj-lloj palaçosh për një kohëzgjatje rekord. 

Marrë nga Shekulli

Comments

Submitted by pf (not verified) on

Arber. Ky shkrimi calon nga kater kembet, dy veshet dhe tre dhemballe.

Nje mik i panjohur qe te do te miren. ;)

Submitted by zhoze fushe (not verified) on

Mire shkruan por kush do ta dije se shkruan si i thone .....gri kot.

Submitted by katarakti (not verified) on

Shkrimi i Arber Zajmit me kujtoi kohen kur ulurinim kunder "privilegjeve" te Bllokut. I kryeprivilegjuari, Enver Hoxha, edhe kur ishte gjalle, edhe kur vdiq, i la femijet e tij pa nje dyshke ne xhep. Ne uleritem kunder pabarezise komuniste duke kerkuar "barazine" kapitaliste. Sot ne kemi Shkelzenin, Argiten, Meten, Bashen, Fahriun e kompani qe jane pasuruar "ndershmerisht" dhe me "djersen e ballit". Qe kane vila ne qytet dhe bregdet, por edhe jashte vendit. Qe kane milione ne leke dhe ne dollare. Nje fare Xhon Mekgoi, me duket se e quanin, na e mbushi mendjen atehere se kishte pare arka me flori qe regjimi komunist po i depozitonte ne Zvicer. Po ku eshte sot ky fare trimi te na thote se sa miliarda kane dale nga Shqiperia nga bllokmenet e rinj dhe gjenden ne bankat e huaja?! Ke shkelur ne toke te minuar me kete shkrim, o Arber Zaimi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.