Biblioteka xhepi apo libra në kornizë?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/4821_1_1575.jpg?itok=uyk-qZS6)
Që prej një viti e ca, përdor një pajisje leximi numerike: Amazon Kindle. Jam i kënaqur me të, e kam ngarkuar me gjithfarë tekstesh, shumë prej të cilave edhe i kam blerë, por duke i paguar zakonisht fare lirë.
Përveçse praktik – meqë të lejon të bartësh një bibliotekë të tërë në xhep të palltos – Kindle-i më ka bërë edhe t’u kthehem me lakmi klasikëve: Platonit, Plutarkut, Montaigne-it, Voltaire-it, Montesquieu-së, Schopenhauer-it; por edhe Balzac-ut, Hugo-it dhe autorëve të tjerë aq të dashur të shekullit XIX, të cilët tani mund t’i shkarkoj falas kur dhe si të dua. Prej vitesh nuk isha kënaqur madje mahnitur aq shumë me një roman, sa me Njeriun që qesh të Hugo-it, të cilin përndryshe nuk do ta kisha blerë, as rilexuar.
Nga ana tjetër, në shtëpinë time nuk ka mbetur më vend për libra të rinj; kur të mos dëgjoni prej meje ndonjë ditë, ejani të më kërkoni poshtë ndonjë biblioteke të shembur nga pesha e tepërt. Këtë e them jo se kam vërtet shumë libra, por ngaqë jetoj në një shtëpi të vogël dhe modeste.
Javën që shkoi, kur u ktheva nga Shqipëria, gjysma e valixhes më ish mbushur me libra – këtë herë shqip. Librin shqip ende nuk e gjen dot në format të përshtatshëm për Kindle-in; edhe pse qarkullojnë kopje pak a shumë ilegale në pdf ose në formate të tjera të përshtatshme për tabletat.
Nga Shqipëria solla edhe fjalorë, të cilët më duhen për punët angari që bëj, por edhe për profesionin. Përndryshe, fjalorët që kam në raft, ato të gjuhëve të mëdha europiane, nuk i përdor më – meqë i kam zëvendësuar me edicione të tyret online (si Hoepli, për italishten), ose vegla të tjera leksikografike (si Babylon). Herët a vonë, edhe fjalorët e shqipes do t’i numerizojnë; dhe është gjithnjë shumë më e volitshme ta kërkosh një fjalë në një fjalor kompjuterik, sesa në një libër që rëndon sa një dac i bëshëm.
Për dorëshkrimet e shumta dhe librat që kam në pdf, më është dashur të blej edhe një tabletë, të cilën e përdor krahas Kindle-it dhe kompjuterit vetë. Javash-javash, në shtëpinë time nuk do të ketë më vend as për pajisje elektronike.
Në krahasim me ekranin e laptop-it dhe të tabletës, Kindle është shumë i qetë për syrin, aq i qetë sa edhe faqja e librit, për shkak të teknologjisë pasive që përdor ajo pajisje (e-ink). Gjithsesi, kjo teknologji nuk është dhe aq e përshtatshme, hë për hë, për të riprodhuar imazhin.
Në Tiranë, një shok që ua ka kushtuar jetën e vet botimeve, më pyeti nëse përhapja e pajisjeve të leximit elektronik dhe e tabletave do t’ia rrezikonte të ardhmen librit, si objekt të dëshirës. Më shumë se pyetje, kjo ishte shprehje e një shqetësimi të mirëfilltë; prapa tregtarit, i rrihte zemra amatorit, madje idhulltarit të librit.
E rrezikon vërtet Kindle librin prej letre dhe boje? Pyetja ka kohë që është bërë, së paku që me përhapjen e teknologjive numerike dhe sidomos të Internetit. Ky i fundit rezultoi me pasoja fatale, për shembull, për mediat tradicionale, sidomos të përditshmet; dhe së shpejti gazetat e shtypura do t’i gjejmë veç në muzeumet dhe bibliotekat e mëdha.
Si dashamirës i librit dhe i leximit, unë e kam mirëpritur lexuesin numerik; por nuk besoj se ai mund të rrezikojë ndonjëherë teknologjinë tradicionale të Gutenberg-ut.
Nëse Kindle dhe pajisjet e ngjashme me të rrezikojnë diçka, kjo diçka nuk është libri në vetvete, por libri i prodhuar në masë dhe për masat; libri me letër të keqe, bojë kutërbuese, dhe kopertinë trashanike me reliev, vrima dhe ngjyra papagalli; libri i xhepit, libri i aeroportit, libri që shitet në drug store, libri të cilin, pasi e lexon, e hedh në kosh të plehrave, meqë nuk ke se ku ta mbash në shtëpi (ose në zyrë), as mund t’ia dhurosh kujt, pa shkaktuar përbuzje. Ky kërcënim është për t’u përshëndetur – le të na hiqen sysh këta libra, meqë ashtu ndoshta do të shpëtojmë edhe ndonjë pyll, ose do të mbrojmë ndonjë vijë ujore nga fëlliqja prej fabrikave të letrës.
Përkundrazi, libri send i bukur, i këndshëm për t’u prekur me mollëzat e gishtave dhe për t’u nuhatur dhe për t’u shfletuar, me letër të mirë aromatike dhe shkronjë e tipografi elegante; libri me ilustrime tërheqëse, me fotografi, tabela, grafikë dhe harta, nuk rrezikohet gjë nga pajisjet proletare të leximit numerik.
Në një kuptim, Kindle-i duket sikur ka për mision anësor t’ia kthejë librit sqimën dhe shkëlqimin e dikurshëm; duke ua hequr njerëzve prej xhepit të xhinseve dhe duke e rehabilituar, si ikonë të kulturës, të mendjes dhe të intelektit. Ndoshta në të ardhmen do t’i trajtojmë librat njëlloj siç trajtojmë sot pikturat: si vepra arti, të denja për admirim dhe kujdes. Madje si dyfish të tilla: për çfarë thonë e si e thonë; por edhe si objekte dizajni. Kjo ndoshta do t’i nxiste edhe botuesit që të hiqnin dorë nga shpresa për fitime, nëpërmjet shitjes së letërsisë trash; e fundit, nëse nuk shmanget dot, le të mbetet atëherë brenda kafazeve eterike të elektronikës. Mua më duket deri edhe kuptimplotë që ky lloj seleksioni natyror, mes suporteve materiale të teksteve, po ndodh pikërisht në epokën kur Interneti e ka shumëfishuar, në mënyrë eksponenciale, raportin tonë me fjalën e shkruar.
Comments
z. Vehbiu- jeni në lajthitje

z. Vehbiu- jeni në lajthitje sa i përket krahasimit të kostos së prodhimit të 4000 librave dhe një Kindle. Kindle e dëmton ambientin më shumë se prerja e drunjëve për 4000 libra. New York Times ka pasur një artikull të shkëlqyeshëm për kosotn e materialeve dhe dëmin që ato ia bëjnë ambinetit me rastin e prodhimit të një Kindle apo mjeteve të ngjashme. Kur ti shtosh kësaj dhe ksoton që merr degradimi i elementeve kimike prej të cilave përbëhet Kindle del se dëmi është me qindra vjet derisa të deaktivohen kimikatet etj.

Futja e teknologjise persa i

Futja e teknologjise persa i perket leximit te librave eshte nje risi qe vetem do te rrise numrin e lexuesve. Ata qe jane te dashuruar pas leximit do ta kene shume te lehte te pershtaten me kete metode te re leximi, por besoj edhe te tjeret do te fillojne te lexojne, te ndihmuar nga lehtesia qe nje teknologji e tille te krijon. Ne vende te tjera kjo menyre leximi eshte shume e perhapur, sheh njerez qe lexojne me pajisje te tilla ne trena, aeroplane, plazh, lulishte etj. Per mua eshte thjesht nje mundesi me teper per t'i shtyre njerezit drejt leximit.

Gjithashtu doja te falenderoja z. Vehbiu per nismen qe ka marre per te informuar publikun shqiptar per kete pajisje te teknologjise se larte, per te cilen kam pershtypjen qe informacioni ne Shqiperi eshte i manget. Di qe disa nga firmat qe tregetojne pajisje elektronike kane futur fillimisht ne treg disa lloj ebook reader-ash, por me pas i kane hequr nga qarkullimi, sepse askush nuk interesohej per t'i blere. Besoj se kjo ka ardhur nga mungesa e informacionit. Personat qe e kane informacionin per qarkullimin e ketyre lloj pajisjesh (pergjithesisht kontigjenti i atyre qe lundrojne gjeresisht ne internet) nuk besoj se jane shume te interesuar per te lexuar, ndersa personat qe duan te lexojne mbase nuk e kane marre kete informacion, i cili qarkullon vetem ne internet. Per kete arsye mendoj se ky artikull ka vlera edhe persa i perket karakterit informativ.

Ne kohen e merhumit

Ne kohen e merhumit transmetohej nje skeç nga estrada e Tiranes ku protagonistja (Maxhide Pici) hynte ne nje librari dhe porosiste nje meter libra ngjyre preshi etj etj, ngaqe i shkonin me ngjyren e mureve te sapolyera te apartamentit...Kam pershtypjen qe, ashtu sikunder thote Vehbiu, koha e ketij dimensioni te vanitetit shoqeror po perendon me ndihmen e teknologjise: libri do te jete gjithnje e me shume nje marredhenie individuale me lexuesin e jo nje percaktor j pretendimeve shoqerore

Jam nje perdorues i hershem i

Jam nje perdorues i hershem i librave dixhitale sepse nga ana praktike kane shume aspekte pozitive. Sigurisht ruaj akoma librat e mi te studimeve universitare dhe fjaloret e shfletuar sa e sa here, por tashme mjafton nje klik per te shuar cfaredolloj kurioziteti, psh mjafton nje klik ne www.treccani.it per te pasur nje mori te pafund informacioni te cdo fushe.

Dixhitalizimi dhe venia online e librave te shume bibliotekave neper bote ka krijuar nje mundesi konsultimi per studiuesit ne te kater anet e globit.

Mos te harrojme se ne kete menyre mund te konsultohen adhe ata libra antike qe kane disa qindra vjet, keshtu ata mund te ruhen edhe nga gjemtimet e lexuesve te papergjegjshem.

librat shqip jane ende ne

librat shqip jane ende ne kilometrat e pare persa i perket dixhitalizimit. personalisht do te doja te kisha ne format dixhital disa nga ata libra te perkthyer mire te viteve '60-'90, por qe mundet vetem ti gjesh ne biblioteken kombetare ose ne ata shitesat buze rruges.

Ardian, te sugjeroj t'i

Ardian, te sugjeroj t'i hedhesh nje sy shkrimeve te Umberto Eco-s mbi botimet ne format elektronik, e atehere "javash-javash", ndoshta do te nderrosh mendje!

antroporf, Ne kete rast

antroporf,

Ne kete rast mendoj se do te jeteprof. Eco ai qe do te bindet se evolucioni i te gjitha fushave sjell detyrimisht edhe keto ndryshime ashtu sic ndodhi me kompjuterin i cili ka zene gjeresisht vendin e makinave te shkrimit apo te doreshkrimeve. Natyrisht edhe kur filloi te perdoret kompjuteri per te shkruar u ngriten shume ceshtje pro ose kunder perdorimit te tij.

Ka shume shkrime ne internet qe i japin pergjigje problematikave qe ngre prof. Eco ne lidhje me kindle apo ebook reader-ave te tjere

Si mendoni ju, Eco ose koleget e tij vazhdojne te shkruajne librat e tyre akoma me dore, me makine shkrimi tradicionale apo me kompjuter?

Add new comment