Respekt për dorëheqjen

Postuar në 18 Prill, 2013 11:38
Ardian Vehbiu

Pas nënkryetarit Denar Biba, edhe një anëtare e KQZ-së, Albana Shtylla, njoftohet se ka dhënë dorëheqjen. Arsyeja është e njëjtë: cenim i pavarësisë së institucionit.  Janë akte, veçanërisht i pari, i z. Biba, që meritojnë respekt të jashtëzakonshëm. E theksoj këtë, ngaqë dorëheqja e nënkryetarit ofroi një model dhe një precedent, se si duhet të sillet një zyrtar i lartë, përballë arrogancës të shtetit dhe partitokracisë.  Model të cilin, pa vonesë dhe admirueshëm, shohim ta ketë përqafuar edhe kolegia e Bibës, Shtylla.  Këtu ka vlerë të përmendim edhe se dorëheqja, e të dyve, nuk u bë për arsye personale ose dështimi profesional; por për arsye parimore. 

Në thelb, Denar Biba dhe Albana Shtylla vendosën të largohen nga KQZ-ja meqë u ndien të cenuar në pavarësinë e tyre.  Edhe pse të vjen keq që figura me integritet të tillë nuk do të mbikëqyrin më zgjedhjet e tanishme, pse do të zëvendësohen, kushedi, me kolegë më të bindur ndaj diktateve partiake dhe më tolerues ndaj arrogancës, këtë herë, të legjislativit; akti i këtyre duket emblematik, dhe mishëron vullnetin e asaj pjese më të mirë të shoqërisë shqiptare, e cila nuk mund të pajtohet me aritmetikat banale të demokracisë à l’albanaise.  S’na mbetet veç të shpresojmë për efektin ngjitës të dorëheqjes, dhe të dëgjojmë nesër për zyrtarë të tjerë, formalisht të pavarur, që t’u thonë vaffanculo agallarëve të partive në Tiranë. 

Është për t’u përshëndetur edhe që këto akte vijnë nga njerëz si Biba dhe Shtylla, juristë të përgatitur, të cilët janë në gjendje t’i artikulojnë mirë arsyet.  Veçanërisht Biba, duke deklaruar që “misioni i parë dhe i fundit i [parlamentit] nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura”, ia dha një shuplakë të mirë partitokracisë dhe pazareve që bëjnë partitë mes tyre, për ta ndarë mes tyre, si të ishte plaçkë, lirinë e institucioneve dhe të pushteteve, përndryshe të garantuar me Kushtetutë. 

Këto dorëheqje janë vota e bardhë që kushedi do t’ua bëjnë të pamundur bajraktarëve të politikës të vazhdojnë të sundojnë siç kanë bërë deri më sot, ose kinse në mënyrë “demokratike.” -

Peizazhe të Fjalës

Comments

Submitted by Beni (not verified) on

<p>Ore c&#39;fare respekti?? Te gjithe e dime shume mire se keta te shkrete jane nen urdherat e liderit te PS dhe perkunder moralit(qe PS nuk ka dhe qe lideri PS vete nuk e njef doreheqjen) keta njerez dhane doreheqjen per arsye bllokimi te KQZ te urdheruar nga kryekomandanti.</p><p>Pse na fyeni kot me keto artikuj?! Vertet mendoni se jemi kaq naive sa te hajme sapunin per djath?!</p>

Submitted by Saimir (not verified) on

Institucione te pavarura dhe jo institucione te balancuara. E thene shume kthjellet. Por eshte disi foshnjore te sillesh si i qyteteruar me nje katundar. E merr per dobesi dhe te jep dajak. Prandaj me te qyteteruarin si i tille, me katundarin si katundar, dhe me malokun si malok.

Submitted by Beni (not verified) on

Jam dakort deri ne nje fare pike te arsyetimit tuaj, por doja te te pyesja, a nuk mendon se qe Shqiperia dhe shqipetaret te ndryshojne kjo menyre sjelljeje duhet te zhduket? Pse te besh rolin e te fortit ose pse te luftosh sy me sy e dhembe me dhembe kur thjesht mund te sjellesh ndermend fjalen e urte "qente le te lehin, karvani ecen para".. Sipas meje ata qe sillen ne menyren qe juve pershkruani jane te dobetit...

Submitted by Saimir (not verified) on

Ne se e ke fjalen per ate te kryeministrise, ai jo vetem qe leh por edhe vret, pasi ka dhene prova. Katundari merr vesht kur i flet e i sillesh si katundar. Gangsterit pergjigju si i tille, se po ju solle bute e bute, ai se len karvanin me ec, por grabit gjithcka e ne fund vret edhe rrugetaret po ja tha mendja.

Sa per Shqipnine, ajo ka kalu edhe dite ma te veshtira, e sot jemi me mire se sa kemi qene, por mund te jemi shume mire, por nuk po lane horrat e dale nga PPSH qe kane zaptu te gjithe krahet e politikes e qeverisjes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.