Bastet e Ruçit dhe Metës

Postuar në 16 Prill, 2013 07:35
Eduard Zaloshnja

Kur u kërkoi socialistëve që ta zgjidhnin në krye të tyre, Edi Rama bëri dy premtime të mëdha. Së pari, premtoi se do t’i jepte fund përçarjes së të majtës, që e kishte çuar në opozitë, dhe së dyti, premtoi se do ta risillte atë në pushtet pas 4 vjetësh – përndryshe, do të jepte dorëheqjen. Por socialistët e Kongresit të PS-së të shtatorit 2005 nuk ia dhanë votën platformës së Ramës. Ish-rebeli antikomunist dhe antikonformist mori më pak se gjysmën e votave të “kongresmenëve” socialistë.

Dhe në atë moment, në lojë u fut Gramoz Ruçi, njeriu që në të gjitha betejat e brendëshme të PS-së, kishte treguar deri atëherë se kishte qenë faktori përcaktues për ta anuar balancën e pushtetit brenda partisë në favor të konkurenit që ai kishte përkrahur. Gjatë mbrëmjes dhe natës pas dështimit në Kongres të platformës Rama, Ruçi loboi fort për Ramën dhe arriti t’ua kthejë mendjen një pjese të mirë të “kongresmenëve” socialistë.

Dhe për këtë, Ruçi pagoi një çmim të madh politik: E konsideroi si një dështim personal rënien e platformës Rama, të cilën e kishte prezantuar në kongres në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së së mbetur pa kryetar. Dhe ai dha dorëheqjen nga posti i vet, ndërkohë që Rama u zgjodh kryetar, me garancinë e dhënë nga Ruçi se ky bast i guximshëm i tij do të inkasohej pas 4 vjetësh.

Në 2007-ën, u duk se gjysma e bastit të Ruçit po inkasohej – LSI-ja u fut në koalicionin e PS-së dhe opozita e bashkuar arriti një fitore spektakolare në zgjedhjet bashkiake të qyteteve të mëdha, e sidomos në Tiranë. Rruga e rikthimit të së majtës së bashkuar në pushtetin qendror dukej e shtruar.

Por këtu futet në skenë Kastriot Islami, një politikan i rëndësishëm i PS-së qysh nga themelimi i saj. Duke analizuar rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme dhe sondazhet/anketimet e brenshme të partisë, Islami llogariti se PS-ja mund t’i fitonte zgjedhjet parlamentare pa patur nevojën e LSI-së së rikthyer në koalicionin opozitar – mjaftonte, sipas tij, që të sajohej sistemi i duhur elektoral dhe PS-ja do të merrte 72-75 mandate kuvendore.

Vendimin që mori Rama rreth koalicionit dhe sistemit elektoral, bazuar në këshillat e Islamit, Ruçi nuk e sfidoi – këmborën që ia kishte varur në qafë në 2005-ën, ia la ta tundëte deri në fund. Dhe Rama, në fakt, arriti një rezultat fenomenal elektoral në 2009-ën – koalicioni i udhëhequr prej tij mori 124 mijë vota më shumë se ç’kishte marrë kur udhëhiqej nga Nano. Por sidoqoftë, pa votat e 83 mijë “zemrave të majta” që shkuan tek koalicioni i udhëhequr nga Ilir Meta, nuk e arriti dot shifrën magjike të 71 mandateve kuvendore.

Ishte faji i manipulimeve të Saliut, e jo i ndarjes se “zemrave të majta”, shpiegoi Rama dhe Ruçi e pranoi këtë shpiegim. Dhe jo vetëm e pranoi, por e mbështeti fort Ramën në luftën e tij për ruajtjen e pushtetit brenda partisë dhe kundër Saliut që nuk pranonte të hapte kutitë e votimit.

Sidoqoftë, s’duhet harruar se ndëjtja e Ramës në krye të PS-së dhe diskreditimi i manipulimeve të Berishës nuk ka qenë qëllim në vetvete për Ruçin – basti i tij personal i 2005-sës duhet inkasuar... Një fitore e Ramës në 23 qershor, megjithëse me 4 vjet vonesë, do t’u tregonte të gjithë socialistëve se Ruçi di të zgjedhë se kë të mbështesë brenda PS-së. Ndërsa një humbje e Ramës do të shkaktonte një rënie ndoshta të pariparueshme të krebilitetit të Ruçit në sytë e shumicës së socialistëve.

Dhe këtu futet në skenë Ilir Meta, i cili, për arsye të ndryshme nga të Ruçit, ka vënë edhe ai së fundmi një bast publik për fitoren e Ramës në 23 qershor.

Në 4 zgjedhjet e fundit (parlamentare apo lokale), pozicionimi i Metës në garë ka qenë faktori më kryesor për të përcaktuar se cili do të zinte postin e kryeministrit dhe të kryebashkiakut të Tiranës (një analizë të detajuar që merret me këtë fakt mund ta lexoni në http://www.respublica.al/opinion/2013/04/06/kajsiu-dhe-pyetja-pa-meten-me-meten ).

Duke qenë i vetëdijshëm për këtë fakt, Rama kapërceu Rubikonin dhe e riftoi Metën në koalicionin prej të cilit e kishte përzënë në 2008-ën. Ndërsa Meta u kthye në koalicion, duke vënë bastin publik se do ta rivërtetojë për herë të 5-të hipotezën se pozicionimi i tij në garë është faktori më kryesor për përcaktimin e fitores së njërit kamp apo tjetrit. Dhe në qoftë se ia del ta fitojë bastin, ai mund t’i hapë rrugën vetes për t’iu afruar jo pak “zemrave të majta” që janë plagosur keqazi prej tij, sidomos pas humbjes së Tiranës. Ndërsa në qoftë se e humbet bastin, mund të rrezikojë  damkosjen përfundimtare si Hamza Kastrioti  par excellence i së majtës…

Comments

Submitted by Ano (not verified) on

Nuk e di pse nuk po don te kuptoje ky Zaloshnja se rezultatet e 2009s nuk pine uje...Me 2009 LSI ishte per BERISHA IK dhe mori vota yte majta per te kete sllogan. Kurse me 2013 LSI nuk mund ti marri keto vota sepse e majti Salen 4 vjet ne pushtet dhe eshte po aq pergjegjse sa edhe PD per keqqeverisje.

Submitted by arvanites (not verified) on

Rama nuk i ka humbur zgjedhjet ne 2009 dhe as ne 2011. Sali Berisha perseri do i vjedhi zgjedhjet e 2013 (proces i filluar tashme). Edi Rama ka per detyre tu tregoje nderkombetarve me prova te qarta "Vjedhjen e Zgjedhjeve" dhe me pas mbetemi ne dore te tyre.  Eshte mendim i gabuar etiketimi i Rames si humbes sepse vidhen zgjedhjet, humbes ne kete rast eshte populli shqiptar qe nuk ngrihet ne protesta per te larguar vjedhesin.

Submitted by Vlora (not verified) on

Une e kuptoj qe ti Zaloshnja paguhesh te kurosh imazhin e Rames, por duhet te kesh kurajen te thuash se kete here Rama ishte i sigurt ne fitoren e PS edhe pa Meten, tani ai eshte thjesht nje kosto e shtuar

Submitted by Anonim (not verified) on

Me vjen keq por me duhet te them se ose kjo eshte nje analize e ceket dhe feminore mbi politikat e strategjite opozites ose ju duke qene me prane ketij ambjenti politik, po na tregoni se sa inatçore, feminore dhe rrjedhimisht mjerane jane keo dinamika ndermjet ketyre forcave (njerezve) qe po kerkojne votat tona.

Submitted by Bard (not verified) on

Ajo qe ngjau mbreme ne parlament ishte edhe nje prove tjeter qe duke rekrutuar maskarenj ne radhet e partise, i ke drejtuar armen e mbushur vetes. Si ka mundesi qe sa here behet fjale per pozicione kyçe keto parti propozojne o te korruptuar, o te shkarkuar per shkelje ne detyre, o te denuar me forme te prere nga gjykatat "per ndershmeri" te tepruar? A ka njerez te tjere te paperlyer ne historira korrupsioni, qe mund te ishin propozuar sa per te mos i lene shteg Berishes te beje te tilla dredhira proceduriale per t'i marre opozites garancine e zgjedhjeve? Kuptohet, Berisha do e kish shkarkuar njesoj, se ai e kishte ndare mendjen, por te tjera jane pasojat kur e shkarkon pa shkak dhe duke shkelur çdo norme juridike e morale, dhe te tjera jane kur anetari e KQZ rezulton nje person i shkarkuar nga detyra per nje mije e nje shkaqe.

Ka ardhur koha qe partite t'i vene gishtin kokes e te perzgjedhin mire njerezit qe i perfaqesojne neper pozicione kyçe, jo ne baze te kritereve te qenlehjes e militantizmit partiak, por ne baze te integritetit personal dhe meritokracise. Ndryshe do te gjendet gjithnje nje Berishe qe t'ua rrezoje torren pa bere rrokaden me pare.

Submitted by Albi (not verified) on

Vallaj e kuptoj tentativen per ti rregullu figuren Rames, po te na e nxirrni dhe Rucin tani si ndonje politikan qe merr persiper pergjegesi?!!! Epo kjo nuk ka b*** ku te rrije thote populli.

Nje dru me kater klase shkolle, kryetar koperative e komunisti i fundit i betura, i pergojuar nga wikileakset per lidhje me boten e krimit, me nje djale monster qe eshte misherimi i te "fortit" shqiptar, Zaloja do me e nxjerr si te rendesishem. U pika qe s'ju bie e nuk e shifni ne ca bataku ju ka fut Rama.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.