Po ju u besoni koinçidencave?

Postuar në 15 Gusht, 2011 05:16
Umberto Eco

Dikush ka shkruar që armiqtë e Berlusconi-t ishin (dhe janë) dy, komunistët dhe magjistratët; në zgjedhjet e fundit vendore fituan një (ish) komunist dhe një (ish) magjistrat. Disa të tjerë kanë vënë re se më 1991, referendumi për sistemin zgjedhor pati sukses të madh, ndonëse Craxi, në cilësinë e Kryeministrit, u bëri thirrje italianëve të mos shkonin në kutitë e votimit, por të iknin në plazh; zaten këtu nisi theqafja e tij politike. Mund të vazhdojmë më tej: Berlusconi erdhi në pushtet për herë të parë në mars 1994 dhe në nëntor lumenjtë Po, Tanaro e shumë degë të tyre dolën nga shtrati, duke përmbytur krahinat e Kuneos, Astit dhe Aleksandrisë. Berlusconi u rikthye në pushtet në maj 2008 dhe brenda vitit ra tërmet në Akuila.

Të gjitha janë përkime zbavitëse, por që nuk vlejnë një grosh (përveç paraleles Berlusconi-Craxi). Që kur s'mbahet mend, loja e përkimeve josh paranojakë dhe komplotaxhinj, por me përkimet, e sidomos me datat, mund të luash si të të dojë qejfi.

Një lumë përkimesh është vërejtur lidhur me sulmin ndaj kullave binjake dhe, disa vjet më parë, në librin “Shkenca dhe Paranormalja”, Paolo Attivissimo përmend një seri spekulimesh numerologjike të bëra për 11 shtatorin. Po citoj vetëm disa prej tyre: New York City ka 11 shkronja, Afghanistan ka 11 shkronja, emri Ramsim Yuseb, terroristi që kishte kërcënuar se do t’i shkatërronte kullat, përmban 11 shkronja, emri George W. Bush ka 11 shkronja, dy kullat binjake formojnë numrin 11, New York-u është shteti i njëmbëdhjetë, avioni i parë që u përplas me kullat e kishte numrin e fluturimit 11, ky fluturim transportonte 92 udhëtarë dhe 9+2 bëjnë 11, avioni me numër fluturimi 77, i cili u përplas edhe ai tek kullat, transportonte 65 udhëtarë dhe 6+5 bëjnë 11, data 9/11 është e njëjtë me numrin amerikan të emergjencës 911, shuma e shifrave të të cilit jep 11. Numri i përgjithshëm i viktimave në të gjithë avionët e rrëmbyer ishte 254, shuma e shifrave të tij jep 11, 11 shtatori është dita e 254-t e kalendarit vjetor dhe shuma e shifrave të këtij numri është 11.

Për fat të keq, New York-u bëhet me 11 shkronja po t’i shtohet pas fjala City, Afghanistan-i ka 11 shkronja, por terroristët nuk vinin prej andej, por nga Arabia Saudite, Egjipti dhe Emiratet Arabe, Ramsin Yuseb ka vërtet 11 shkronja, por po të mos transliterohet Yuseb, por Yussef, truku nuk funksionon më, George W. Bush bëhet me 11 shkronja vetëm po të shkruhet edhe "middle initial"-i, kullat të krijojne përfytyrimin e numrit 11, por edhe të numrit 2 në shifra romake, fluturimi 77 nuk goditi ndonjërën nga kullat, por vetëm Pentagonin dhe nuk mbartte 65, por 59 udhëtarë, numri i përgjithshëm i viktimave nuk ishte 254, por 265, e kështu me rradhë.

Doni përkime të tjera që qarkullojnë në Internet? Lincoln-i u zgjodh në Kongres më 1846, Kennedy u zgjodh më 1946, Lincoln-i u zgjodh President më 1860, Kennedy më 1960. Të dyja gratë e tyre e kanë humbur nga një fëmijë teksa banonin në Shtëpinë e Bardhë. Të dy u qëlluan në kokë nga një jugor dhe, në të dy rastet, ka qenë e premte. Sekretari i Lincoln-it quhej Kennedy dhe sekretari i Kennedy-it quhej Lincoln. Pasuesi i Lincoln-it qe Jonhson-i (i lindur më 1808), ndërsa Lyndon Johnson-i, pasuesi i Kennedy-t, ishte lindur më 1908.

John Wilkes Booth-i, vrasësi i Lincoln-it, qe lindur më 1839, kurse Lee Harvey Oswald-i më 1939. Lincoln-i u qëllua në Ford Theater. Kennedy u qëllua brenda një veture të markës Lincoln, e prodhuar nga firma Ford. Lincoln-i u qëllua në teatër dhe vrasësi shkoi e u fsheh në një magazinë. Vrasësi i Kennedy-t qëlloi nga një magazinë dhe shkoi u fsheh në një teatër. Si Booth-i, ashtu edhe Oswald-i u vranë para se t’u bëhej gjyqi.  

Dhe qershiza (pakëz vulgare) mbi tortë që, gjithsesi, shkon mirë vetëm në anglisht: një javë para se të vritej, Lincoln-i pati qenë “in” Monroe, Maryland. Një javë para se të vritej, Kennedy pati qenë “in” Monroe, Marilyn.

I vetmi përfundim antikomplotaxhi (dhe i arsyeshëm) është se Berlusconi nuk ka përgjegjësi që u zgjodhën Pisapia dhe De Magistris. Por, ndoshta edhe ka.

Përktheu: Henrik Ligori

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Pa dyshim qe shkrimi eshte argetues, por, nese Eco e ka shkruar me qellim qe te dekurajoje paranojat dhe konspiracionet e shtresave tru-thjeshta, ky shkrim ben ne fakt te kunderten. Madje, nga menyra se si eshte ndertuar, une kam dyshimet e mia per pozicionin e vete Ecos ne raport me kete teme.

Perkthim i bere ne nje shqipe mjaft te natyrshme.

Submitted by Pjerin Kodra (not verified) on

Le te jete Eco, a kushdo tjeter qofte, vetem parashtrimi, jo besimi i koinçidencave te tilla eshte vulagr.
Themi se jetojme ne shekullin e XXI, por shpesh mendojme se ne mesjete.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.