Për çka do ta shkarkoja Besim Beqajn?

Postuar në 19 Mars, 2013 07:10

Lëvizja Vetëvendosja, duke e shfrytëzuar injorancën, paditurinë dhe pasigurinë e kësaj qeverie ka shkuar aq larg sa mbi disa procese të domosdoshme për zhvillimin e vendit të vërë pikëpyetje të mëdha.

Për shembull, procesi i privatizimit aktualisht tek opinioni publik radhitet jo më në mesin e arsyeve që e ndihmojnë vendin, por në mesin e arsyeve që e dëmtojnë vendin. Ndoshta reputacion më të keq se sa privatizimi këtu te ne ka vetëm shteti serb.

Pa dyshim, për këtë nuk dëshiroj t’ia vërë fajin vetëm VV – sepse tekefundit ata besojnë, ndoshta, në ideologjinë e tyre.

Këtu, para së gjithash, faji bie mbi shpatullat e gjithë spektrit politik që është marrë me privatizimin e pasurisë shoqërore prej pasluftës. E më konkretisht faji më i madh tash bie mbi partinë time, atë Demokratike të Kosovës, eksponentët e së cilës kur flasin për procesin e privatizimit disi këtë e bëjnë si me turp. Flasin duke mos besuar në këtë proces. Pra, nuk e mbrojnë procesin e privatizimit, por arsyetohen. Shkuan kaq e kaq vjet e secili politikan kur flet për privatizimin në televizor kohën më të madhe e kalon duke u arsyetuar se nuk ka pasur korrupsion. E kjo pashmangshëm, secilin prej nesh, e tundon të besojë se pikërisht paska pasur korrupsion. E sigurisht ka pasur korrupsion...

Në krye të herës, baballarët e ekonomisë së lirë të tregut nuk e kanë shpikur privatizimin për ta pasuruar një shtresë të hollë shoqërore, por për ta përmirësuar cilësisht jetën e një kategorie shumë të madhe të njerëzve.

Pra, të dashur lexues, procesi i privatizimit nuk është një proces djallëzor. Eventualisht, ata që e menaxhojnë këtë proces mund të kenë qëllime djallëzore. Kurse një proces nuk duhet mbytur pse menaxhuesit janë të dobët. Thjesht duhet ndërruar menaxhuesit. Dhe këtu hyn në rol të tij Besim Beqaj, apo kushdo tjetër që është përgjegjës pse procesi i privatizimit është damkosur.

E kotë është tash ta them unë se privatizimi është një proces i mirë dhe i domosdoshëm për të ecur përpara për zhvillimin ekonomik. Në vend se të kërkohet ndërprerja e shitjes se Valës, ju të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile duhet të kërkoni që të bëheni pjesë e procesit, në mënyrë që të maksimalizohet vlera e këtij aseti publik. Ta kontrolloni procesin, e assesi të mos e ndalni.

Së këndejmi, nëse një proces i shitjes a i dhënies me koncesion nuk ka ecur mirë, ose ka pasur korrupsion, kjo nuk do të thotë se tash të tjerat duhet ndalur. Kështu, nëse distribucioni u është dhënë turqve lirë – për ç’gjë pajtohem plotësisht – kjo nuk do të thotë se tash Valën nuk duhet shitur. Përkundrazi, Valën duhet shitur, kurse për krimin eventual që ka mundur të ndodhë te distribucioni duhet arrestuar të gjithë ata që i kanë futur duart në krim.

Më lejoni te jem më konkret: Për shitje të dëmshme – nëse e ka bërë një të tillë – Besim Beqaj dhe Këshilli Ndërministror duhet të mbahen në përgjegjësi juridike. Pra, dikush duhet të ngrejë padi kundër tyre, ose të protestojë ditë e natë derisa të zbardhet dhe ndriçohet ky transaksion. Mirëpo, assesi nuk duhet që për këtë rast Besim Beqaj të shkarkohet. Për këtë rast shkohet në burg, nëse ka bazë. Unë, Besim Beqajn dhe të gjithë të tjerët do t’i shkarkoja për neglizhencë.

Kështu, për shembull, sa më shumë që shtyhet shitja e Valës, aq më e vogël është vlera e saj në treg. Paramendojeni sikur Vala të ishte shitur hënëz përpara se IPKO të fitonte licencën e telefonisë mobile. Vlera operatorit publik atëbotë do të ishte afër 1 miliard euro. Jam i sigurt se vlera e operatorit publik prej asaj kohe e deri në ditën kur do të shitet do të jetë nja dhjetëfish më e vogël. Pra, ky është krim. E gjithashtu krim tepër i rëndë – madje thikë pas shpine për operatorin publik Vala – ka qenë licencimi i MVNO’së – proces ky që nëse shprehemi me gjuhën e mjekësisë ka qenë i barabartë me kancerin. Pra, kjo MVNO, nëse asgjë tjetër e ka zhvlerësuar operatorin publik edhe për nja 30 për qind. E, nëse vazhdohet kështu, e jam i sigurt se kështu do të vazhdohet, atëherë procesi i zhvlerësimit do të shkojë deri në absurd.

Dhe nuk është vetëm procesi i zhvlerësimit të Valës. Besimi Beqaj, apo kushdo që është përgjegjës për ekonominë e vendit, ka dështuar në mënyrë spektakulare edhe në rastin e Kosovës së Re. Ka dështuar edhe në procesin e Trepçës. Ka dështuar për të gjitha ato projekte të pa dhëna me koncesion, të paprivatizuara, apo quajini si të doni.

 

Autori është Deputet i PDK’së në Parlamentin e Kosovës. Qëndrimet e shprehura në këtë kolumne janë personale. EXPRESS

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Çudi se si ky mercenar &nbsp;medial i PDK-së këtë herë e ka lënë pa bërë ndonjë krahasim mes Hitlerit dhe Albin Kurtit. Duhet të jetë ndonjë strategji e re.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.