Paspiramida

Postuar në 14 Gusht, 2011 05:54
Ardian Vehbiu

Për ndërtesat e arkitekturës moderniste kanë thënë se nuk i mbijetojnë dot destinimit të tyre, në kuptimin që ka një lidhje të pazgjidhshme, pothuajse fatale, mes funksionit të tyre të paramenduar dhe ekzistencës së tyre në qytet. Një burg i ndërtuar sipas preceptit modernist, nuk përshtatet dot në spital; as një supermarket në hotel ose galeri artesh.

Tani, nëse kjo vlen edhe për Piramidën tonë në Tiranë, objekt i kaq e kaq debatesh dhe instrumentimesh politike, varet nga shumë faktorë – duke filluar që nga natyra moderniste e ndërtesës, e cila mund të diskutohet gjatë. Por që Piramida e ka humbur funksionalitetin e vet fillestar, të qenët muzé ose mauzoleum i Enver Hoxhës, për këtë të gjithë biem dakord. Sikurse biem dakord që kjo ndërtesë publike nuk u është përshtatur dot kushteve të reja, duke mbetur më shumë e zbrazët në vite, sesa e mbushur – me njerëz, veprimtari dhe ide.

Do të më thonë se braktisja është hapi i parë drejt kapjes abuzive; një model shfrytëzimi të cilin, për fat të keq, e ndesh anembanë Shqipërisë dhe jo vetëm në manipulimin e hapësirës publike. Si të thuash, një objekt lihet më parë qëllimisht pas dore, pastaj thuhet se ai nuk po mbijeton dot, për një arsye të brendshme, strukturore ose ideologjike çfarëdo, prandaj duhet prishur. Synimi, në këtë rast, ka qenë që në krye trualli mbi të cilin ngrihet objekti. Por kjo është teori komploti, nuk e përdorim dot si argument; vetëm mund ta marrim në vështrim si një sugjerim për të reflektuar.

Ka një ironi në faktin që Piramida, e cila për shumëkënd përfaqëson varrin e lavdishëm të Diktatorit, të ketë përfunduar sot në varrin e vetvetes, ose të dëshirës së saj për t’u përdorur. Historia e saj pas 1990-ës është histori dështimesh të njëpasnjëshme, të cilat kanë logjikën e tyre, sado perverse. Kjo logjikë prek edhe vullnetin e atyre që duan ta ruajnë tani me çdo kusht, si landmark të kryeqytetit, ose për hir të vlerave të saj estetike, arkitektonike, urbane, humane; ose edhe vetëm për t’iu kundërvënë voluntarizmit të hareshëm të proponentëve të shkatërrimit.

Nuk jam nga ata që duan ta ruajnë Piramidën me çdo kusht, edhe pse më duket e paarsyeshme prishja e saj; përndryshe dhe tek e fundit, edhe ajo mbi gërmadha është ngritur, në një zonë të kryeqytetit nga më të dashurat, më të lakmuarat, dhe megjithatë më fatkeqet – dje dhe sot. Të thuash se ka një mallkim në ajër, që nuk e lë Bulevardin të rritë një qytet rreth vetes, por vetëm i lejon harlisje të megalomanisë politike dhe strip-malls të autoritarizmit fashistoid provincial, i cili na vjen kaq natyrshëm.

Në debatet rreth Piramidës kam pritur që specialistët urbanistë të ndalen edhe në çfarë lidhet drejtpërdrejt me fatin e truallit të liruar prej aktit shkatërrimtar; ose për ndërtesën e re të Parlamentit. Nuk më duket se është folur aq sa duhet, edhe pse besoj që shumë nga ata që i janë kundërvënë haptazi prishjes e kanë bërë këtë më tepër ngaqë nuk i ka ngrohur perspektiva, ose përfytyrimi i ndërtesës që do të vijë dhe i rolit të kësaj ndërtese në gjeometritë dhe skenografitë kryeqytetase. Dhe këtu nuk e kam fjalën për prestigjin e ulët të Parlamentit të tanishëm të Republikës, i cili kurrsesi nuk po arrin ta imponojë veten në rolin që i jep Kushtetuta (çështje për t’u rrahur gjetiu); po për llojin e ndërtesës vetë dhe të institucionit që do të strehohet atje.

Bulevardi i Madh është i shtruar (i shkruar) me institucione të tilla: Ministritë, Kryeministria, selia e Presidentit të Republikës, Pallati i Kongreseve, ish-Hotel “Dajti” tashmë edhe ai në rrugë drejt “institucionalizmit’, Parlamenti ekzistues në selinë e ish Komitetit Qendror të PPSh-së... Të gjitha këto ndërtesa funksionojnë, në thelb, si mure ose skarpata kanali; meqë publiku nuk mund të depërtojë aty, as t’ua përdorë hapësirat lirisht; por vetëm t’ua shohë ballinat, teksa lëviz – me këmbë ose me makinë – në korridorin mes tyre. Në këtë pjesë kaq qendrore të Tiranës, qyteti tërhiqet pothuajse krejt, për t’ia lënë vendin kryeqytetit; sikurse tërhiqet hapësira publike për t’ia lënë vendin hapësirës politike të ndalueme për qytetarin.

Natyrisht, këta qytetarë do të kërkonin dhe shijonin diçka tjetër, të ndryshme nga Parlamenti, i cili nuk pritet t’i shtojë gjë eksperiencës së qytetit nga banorët e vet; përveç ballinës detyrimisht “europiane” dhe një luksi vezullues për syrin. Me përkufizim, Parlamenti i ri do t’i mbajë dyert të mbyllura për të gjithë ata që do të donin ta përvetësonin, sado përkohësisht, atë hapësirë; ta përvetësonin në kuptimin që ta përdornin për vete, si qytetarë; dhe sidomos për të komunikuar me njëri-tjetrin, përsëri si qytetarë.

Një qendër kulturore-tregtare multifunksionale dhe shumëkatëshe, sado banale dhe meskine dhe borgjeze në vetvete, do të kishte luajtur, përkundrazi, një rol të kundërt; duke i ftuar qytetarët në brendësinë e vet, për të vizituar dhe konsumuar tregtoret, libraritë, restorantet; ndoshta edhe kinematë, teatrot ose galeritë e artit. Ata tiranas sot që ankohen për prishjen e Piramidës, duke përmendur mallshëm përdorimin që i kanë bërë hapësirës rreth saj për të kaluar kohën, qoftë edhe thjesht për të vrarë kohën, me siguri do t’ia kuptonin vlerën një projekti, sado hipotetik, i cili të synonte gjallërimin e kësaj hapësire nëpërmjet amplifikimit të përdorimit të saj nga qytetarët; jo zhdukjen e saj, nëpërmjet institucionalizimit.

Parlamenti është institucion i lartë i Republikës, por kjo karakteristikë e tij, sado thelbësore, nuk kërkon gjë që ndërtesa përkatëse të ngrihet pikërisht e doemos në një truall që, përndryshe i ka mundësitë të shndërrohet në një katalizator të ri-urbanizimit të Tiranës politike, ish-totalitare; e cila ende rreket të gjejë identitetin e saj përtej kafeve, bareve dhe night-clubeve të bllokut. Shumë tiranas e ndiejnë këtë edhe kur nuk e nyjëtojnë dot, dhe protesta e tyre kundër prishjes së një karkase bosh si Piramida, tashmë pjesë e pranuar e peizazhit urban, është në fakt protestë kundër abuzimit të pushtetit me hapësirën e Tiranës qytet dhe kryeqytet. Parlamenti i ri, sado mirë të jetë projektuar si ndërtesë, nuk do t’ua blatojë dot hapësirat e veta, por vetëm ballinën në dy përmasa; ndërkohë Bulevardi i Madh, si edhe dje në totalitarizëm, do të mbetet brenda rolit të tij prej korridori të rrethuar, në të dy anët, me mure të shurdhëta, dritare me kangjella hekuri dhe roje të armatosura, çka është edhe mënyra më e sigurt për ta ndarë kryeqytetin nga qyteti dhe për t’i bërë qytetarët t’i shohin institucionet politike si projeksione të pushtetit, jo si burimet e tij.

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Burgu i krimineleve te luftes ne Spandau ne Gjemani jo u shemb po dhe masa/materiali (i nderteses keshtjelle 1878 - 1898 pra njezet vjet ndertim,- mendojeni se cfare keshtjelle dhe shikojenine internet bukurine e saj.) u pulverizua, u be pluhur dhe u derdh ne det. Ej ju ulerinj ne vesh nuk u la as cope tulle, as nje shenje dhe pse?! se ishte strofka e fundit ku nazistet kryen denimin. Nuk u la se nuk donin qe te kthehej ne ikone te se keqes. Nuk u la po u be pluhur se ja ngushtuan hapsiren se keqes. Ja vlej ta theksoj qe burgun nuk e kishin ndertuar nazistet dhe ishte nje keshtjelle shume e bukur dhe prap e shemben. Jo e shemben po e bene pluhur dhe pluhurin e hodhen ne det. Piramiden jo vetem si simbol po eshte e shemtuar si arkitekture e ka projektuar vajza e diktatorit dhe eshte veper monumentale e ngritur per diktatorin dhe jo vetem do shembur po do pulvorizuar, do bere pluhur. Burgu ne gjermani u shemb ne vitin 1987 mbas vdekjes se te burgosurit te fundit Rudolf Hess. U shemb me motivacionin qe te mos kthehen ne ikone te se keqes dhe te keqperdorej per qellime propogandistike.
"Das Gebäude wurde 1987 abgerissen, um zu verhindern, dass das Gefängnis nach dem Tod seines letzten Häftlings, Rudolf Heß, von Neonazis zu Propagandazwecken missbraucht werden könnte. Um die vollständige Vernichtung zu gewährleisten, wurde das Gelände in einen Parkplatz umgewandelt sowie die Abbruchmasse pulverisiert und in der Nordsee verklappt." Behuni njerez o derra komuniste....Mjaft me me retorike jargezuese..

Submitted by and (not verified) on

Vetem se ti harron dicka me duket, qe njerezve te moshes time as nuk u shkon mendja te "simbolet e te keqes" (qe jane me shumice rrotull nesh gjithsesi). Vendimi per ta prishur piramiden eshte negativ ne shume plane por me i dukshmi dhe i prekshmi eshte qe "vepra" te tilla nuk behen ne kohe lekundjesh te tilla ekonomike. Infrastruktura i ben balle cdo goditje ekonomike pasi fundja, edhe sikur te zhvleresohet gjithcka, perseri ato tullat e betoni mbeten. Po ti duket je i fryre nga perrallat ne siperore te kryeministrit dhe te duket se ketu ne vazhdojme muhabetet e shofereve kafeneve.

Submitted by Anonim (not verified) on

And komunisti. And me gen te manipuluar qe trashgon komunizmin: eshte kohe tjeter, Ju ka ngelur ora ne kohen e diktatorit, nuk eshte koha qe te drejtohuni me Ti, ne komunikim si Kryeministri yne. Mosha e Juaj eshte mosha e ndare ne llogore dhe nuk pranon krimet e bera. Nuk i pranon yt tate nuk i pranoni dhe ju Qe te mos e zgjas se nuk e meriton rrespektim tim Ti je i biri t´jatit dhe qe une kam shume deshire te merrem po nuk kam kohe. And qe patriotizmin e sheh te tatuazhi i shqiponjes qe ke bere ne bithe. Per viktimat se viktime je dhe ti, nuk thuhet asnje fjale nga shkerdhata "intelektuale" qe e kane fytyren si Morr, Morr te kuq te komunizmit qe e tradhetojne veten ne shkrimet e tyre ku diktatorit i thone ne kohe te Komandantit plot nostalgji. Ato mor trongell dhe neprmjet teje te gjithe trangujve te tjere Pseudo e bla bla bla qe e mbajne per veper dhe, ketu eshte triku, te vepra mor Toc. Te vepra qe per mua nga urrejtja eshte nje mut. Nje piramide Muti. And - eshte nje veper monumetale e ndertuar per diktatorin. Me kupton or derr eshte nje ndertese monumentale- monumentale shko gjeja kuptimin fjales monumentale cdo te thote. Toc trushplare. Eshte dedikim per diktatorin. shoqeria jone ka ardhur deri ne kete derexhe se ne nuk dime te ndahemi me te keqen. Akoma udhihiqemi nga Sali berisha Komunisti. Vertet nuk kam kohe dhe nuk mund te shkruaj se behem i keq nga qe nuik pajtohem me trashgimtaret komuniste. Koha ecen dhe evulon dhe ritmin nuk ndal nje piramide me shemtuara ndertese ne shqiperi. para piramides duhet te hedhin nje Mal me bunkere si vepren me te bukur te popartit shqiptar dhe ne te te shkruhen te gjithe viktmat e diktatures.

Submitted by and (not verified) on

Dmth te paskan degjeneruar komunistat dhe tani ke ndonje inat intim te pashprehshem ne ndonje forme koherente. E kuptoj. Si ty ka plot dhe eshte fatkeqsi. Por bjeri rrotull, nga Rruga e Elbasanit heres tjeter kur te te duhet te kalosh aty.

Submitted by Arra Gunge (not verified) on

Ta shkulim cibanin "piramide" dhe te mbjellim "Topallkullen",njelloj s'i te nderrojme seksin...Dhe pastaj...Nje postbllok tek "Ura e Lanes dhe nje tek shatervani i "Nene Terezes",ne perspektiv shohim zgjerrimin nga lindja.Ta emertojme jo "Bllokqen" por "Blloku i Nemun" ose "Demostan".Le te gjejme nje emer safi qe t'i shkoje (propozimi eshte nga nje njeri i zakonshem dhe jo nga te vetquajturit intelektual).Shtohet dhe turizmi kulturor keshtu.Ushtaret e gardes ne te dy anet gatitu.Gatitu dhe armet.Kuriopziteti shtohet.Fantazia shfrenohet.Populli krenohet.Nuk i thone pak:Eshte pjella e re postkomuniste,dhe historia ka nevoje per te ne te ardhmen.Tjeter.Kertij segmenti t'ja heqim emrin "shetitore" dhe t'ja veme "shteterore",per mbiemer i veme mbiemrin e ndokujt prej prijesave te sotem.Nuk eshte mire?!Nje propozim eshte...Past6aj shohim dhe mundesine e ndonje shtatoreje mmigjeniane tek shatervani...Eh keto kohe " moderne"...Dhe ky eshte nje perparim i dukshem demokratik qe me si9guri te gjithe ambasadoret do te mbeten para mikrofonave duke mburrur drejtim tone spektakolar...Buuum...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.