Revolucion Jo Zgjedhje?

Zgjedhje të manipuluara 5 muaj para zgjedhjeve të radhës, pretendojnë njerëz dhe palë në pjesë të ndryshme të spektrit politik apo social nëShqipëri. A është edhe ky një manipulim, prezumimi i fajit ende pa ndodhur akti? Apo është diçka tjetër? Pse zgjedhjet, edhe në vëzhgimet ndërkombëtare, mbesin një thembër Akili? A do të ketë shpëtuar demokracia kur t’i shpëtojmë këtij etiketimi apo perceptimi për zgjedhjet?
Imagjinoni një traget të madh pasagjerësh duke lundruar nëpër Mesdhe. Në kuvertën e tragetit ka disa shezllongje. Herë pas here janë të gjitha të zëna, ndonjëherë, me pak fat, arrin ta kapësh ndonjë shezllong të lirë. Për javë të tëra i njëjti skenar përsëritet në të njëjtën formë. Derisa një ditë gjithçka ndryshon. Diku në një qytet-port në traget ngjitet një grup i madh, njerëz që e njohin njëri-tjetrin. Ato zaptojnë të gjitha shezllongjet dhe, sa herë që ndonjërit prej tyre i duhet të largohet nga kuverta, shokët ia ruajnë vendin duke vendosur një peshqir. Disa pasagjerë nervozohen për situatën e krijuar. Anëtarët e grupit-klan reagojnë ndaj këtij zemërimi në forma të ndryshme: disa, duke ia kthyer me të njëjtën monedhë, kurse disa të tjerë, duke iu ofruar të pakënaqurve një marrëveshje. Sipas kësaj marrëveshjeje, disa nga të përjashtuarit nga përdorimi i shezllongjeve mund të ndihmojnë në monitorimin e shezllongjeve. Si shpërblim, atyre u lejohet t’i përdorin shezllongjet kur këto nuk janë në përdorim nga anëtarët e grupit-klan. Disa nga të përjashtuarit e pranojnë këtë marrëveshje. Ndërsa pak më parë kishim një grup me të drejta të barabarta sa i takon përdorimit të shezllongjeve, tani në kuvertë kemi tri grupe: pronarët e shezllongjeve, shërbëtorët e tyre me përfitime minimale, dhe të përjashtuarit nga përdorimi i shezllongjeve. Si mund të zhbllokohet kjo situatë? Shoqëritë demokratike kanë zgjedhur zgjedhjet elektorale si mënyra më ekonomike (revolucionet kushtojnë) për t’i ndërruar pronarët e shezllongjeve, por sot, pas dy dekadash, ato duken të pavlera. Kaq i madh është mosbesimi i përgjithshëm tek ato! Kaq shumë është abuzuar me ato! Dilema është deprimuese: kur shqiptarët nuk votojnë, u thuhet se kjo është arsyeja pse kanë qeverinë që meritojnë; kur votojnë, rezultati i tyre deformohet! Si i bëhet?
Paradoksalisht janë vetë partitë ato që kanë shërbyer si motori kryesor në amplifikimin e mosbesimit. Mbjellja e mosbesimit në popull ka rezultuar si strategjia më efikase, përmes së cilës njëra palë politike është përpjekur të zhvlerësojë dhe të bllokojë çdo aksion politik, çdo reformë të palës tjetër. Përveç kësaj, duke mos toleruar asnjë referendum popullor, asnjë zgjedhje direkte në postet e larta shtetërore, asnjë zgjedhje direkte të deputetëve (pasi dihet që këto zgjidhen paraprakisht nga kryetari), partitë e kanë larguar me vetëdije të plotë qytetarin nga politika. Partitë politike shqiptare sot nuk janë më grupime politike, të cilat punojnë mbi bazën e një programi për reformimin e shoqërisë, por janë kthyer në parti fushatash që punojnë pareshtur për të fituar në zgjedhjet e radhës. Në këtë pikë, partitë shqiptare po bëhen gjithnjë e më njësoj. Zhargoni, përmes të cilit ato përpiqen të diferencohen nga njëra-tjetra, është bërë tejet vulgar dhe banal dhe nuk i shërben më ruajtjes së identitetit të partisë, por thjesht përforcimit të skemës mik-armik.
Klima e përgjithshme e mosbesimit nuk i prish edhe aq shumë punë partive. Nga ky mosbesim dëmin e madh e pëson sistemi demokratik. Ky mosbesim ndaj zgjedhjeve elektorale e ka futur në krizë të gjithë demokracinë shqiptare. Jo se shqiptarët nuk besojnë më tek demokracia si i vetmi sistem për të ndërruar pronarët e shezllongjeve. Jo se shqiptarët nuk besojnë më se zgjedhjet mbeten e vetmja lojë për të ndërruar ajrin e ndenjur në dhomën e demokracisë. Problemi është më serioz se kaq: shqiptarët nuk besojnë më se zgjedhjet janë një lojë të cilën ia vlen ta luash. Nuk besojnë se me votën e tyre ato mund edhe ta ndryshojnë atë që qeveris, dhe, më keq akoma, ata e kanë humbur besimin se me votën e tyre mund të ndryshojnë veprimet e qeverisë në të ardhmen. Sepse pas çdo zgjedhjeje ato kanë parë se ndryshimi i shumëpremtuar nuk ka ardhur. Pronarët e shezllongjeve, pavarësisht ndërrimit të tyre, kanë mbetur paradoksalisht po ata. Shërbëtorët me përfitimet e tyre minimale mbeten thuajse po ata. Sjellja e tyre, po ajo. E vetmja gjë që rritet është numri i të përjashtuarve nga përdorimi i shezllongjeve dhe mosbesimi se situata mund të ndryshojë përmes zgjedhjeve.
Ngaqë nuk beson, ngaqë ndjehet gjithnjë e më pak i përfaqësuar, populli shkon gjithnjë e më pak para kutive të votimit, duke e rritur kësisoj partinë e abstenuesve. Partitë dalin gjithnjë e më pak për ta takuar “popullin”. Në rastin më të mirë ato merren me variantin e kondensuar të popullit nëpër sondazhe demografësh, ose me atë variantin akoma më të kondensuar të popullit që kullot nëpër lëndinat virtuale duke gromësitur herë pas here me ndonjë “like”. Teatri politik është zhvendosur tashmë nëpër rrjetet sociale, të cilat po luajnë funksionin e rrjetave për të peshkuar njerëz, të cilët jo se i bashkon ndonjë bindje e caktuar politike, por thjesht ideja se një “like” i tyre është “plumb për armikun”. Në këtë getoizim të politikës nëpër dhomat virtuale, e pa klorofil të rrjetave sociale bëhet gjithnjë e më e vështirë të kuptosh njerëz që mendojnë ndryshe. Rrjetat sociale kthehen në vendin ideal, ku palët politike ushqejnë dhe kultivojnë mosbesimin e ndërsjellë ndaj njëra-tjetrës.
Revolucioni mund ta përmbyste këtë rend, por revolucioni kërkon besim të fortë dhe njerëz të bashkuar, jo të izoluar si eremitë nëpër rrjetat virtuale. Në kushtet e mosbesimit, të vetmet revolucione që mbijetojnë, janë revolucionet e facebook-ut dhe të twitter-it. Janë të lirë dhe sterilë. Jo rastësisht partitë janë dashuruar me këto dy rrjete sociale. Kush më bukur se facebook-u apo twitter-i mund ta ushqente iluzionin se kaq e aq milionë “like” apo kaq e aq milionë “followers” mjaftojnë për të lëvizur fizikisht pronarët e shërbëtorët e tyre nga shezllongjet? Kush në mënyrë më perfekte se teknologjia moderne dixhitale me ato qindrat e kanaleve televizive mund ta përmbushte ëndrrën e klasave sunduese politike për të paqtuar e përkundur përmes zbavitjes ushtritë e të papunëve dhe të pakënaqurve? Fundja, a nuk është ëndrra e çdo partie, ëndrra e çdo pronari shezllongjesh që njerëzit, të kthyer në eremitë modernë apo të kapur në rrjeta sociale të kenë gjithnjë e më pak arsye për të dalë nga shtëpia?
MAPO
Comments
Njerezit kane per te dale nga

Njerezit kane per te dale nga shtepia,por kur tu kete vajtur thika ne kocke.

bukur profe, po s'e mora

bukur profe, po s'e mora vesh, ku e vendos presjen tek titulli ti, tek revolucioni apo para zgjedhjeve? :)

une e vendos presjen tek

une e vendos presjen tek revolucioni, z. bakalli, sepse realisht mendoj qe me sali berishen ska zgjedhje. duhet revolucion, po a ka burre nene qe del ne rruge me sali berishen kryemnisiter. ai te vret!

z. bakalli, ju si deputet, si

z. bakalli, ju si deputet, si ish-deputet, nuk besoj se jeni per revolucion, apo? ne fakt, duke ju njohur nga larg, me shume me dukeni si revolucionar se si deputet. imazhi i rebelit ju shkon me teper se si deputetit. gjithsesi, dilema eshte e forte...

me pelqen kjo ideja e

me pelqen kjo ideja e konsiderimit te rrjeteve sociale si rrjeta sociale, ku njerezin rrine te kapur si peshqit ne rrjete. imagjinoj peshkatarin Berisha sa i ngazellyer eshte nga cdo pesh ne rrjeten e tij virtuale facebook. hahaha. ku te ka vajt mendja, prof!

me pelqen kjo ideja e

me pelqen kjo ideja e konsiderimit te rrjeteve sociale si rrjeta sociale, ku njerezin rrine te kapur si peshqit ne rrjete. imagjinoj peshkatarin Berisha sa i ngazellyer eshte nga cdo pesh ne rrjeten e tij virtuale facebook. hahaha. ku te ka vajt mendja, prof!

je pak i zymte e apokaliptik,

je pak i zymte e apokaliptik, zoteri. veshtire se i heq nje presje asaj qe thua, por prapeseprape duhet pak drite ne artikull.

i sakte dhe metaforik si

i sakte dhe metaforik si perhere, z bakalli!

Urime Gilman. E ke shkru

Urime Gilman. E ke shkru shumë bukur. Ideja është e bukur, si Komunizmi, Fashismi, Nacionalizmi, Islami, Krishtërimi, Budizmi etj. Por duhet ta dimë se nuk kemi gjetur më mirë se ky sistem, Demokracia. Revolucioni don një kokë të besueshme. Po ta marrësh ti këtë rol do të thonë këlyshi Salës, ashtu si i thonë Salës këlush komunist. Mbetet që ti të zgjedhësh një grup me të keqen më të vogël. E unë atëherë do të të vij pas.

Add new comment