Gjykata si nën diktaturë

Pasi gjykata shpalli të pafajshëm gardistët e akuzuar për vrasjen e 4 protestuesve të 21 janarit, nuk vonoi dhe Kryeministri Berisha u pa në një konferencë të sajdisur shtypi, për të folur për “çështjen kapitale” të bujqësisë. U parakuptua se kish dalë për të bërë alibinë e drejtësisë “së pavarur” të kapur nga ai vetë. Prandaj nuk u habitëm aspak, që pyetjes së gazetarëve për çështjen kapitale të ditës, vendimin absurd të gjykatës, Berisha iu përgjigj: Nuk do më shikoni kurrë të komentoj vendimet e gjykatave! Prononcimi dinak i Kryeministrit është dyfish i gënjeshtërt. Si për të djeshmen, ashtu dhe për të sotmen. Sepse sa qe në opozitë, Berisha jo vetëm ka refuzuar, edhe ka mallkuar publikisht vendimet e gjykatave. Por edhe për sot, kur dihet se nuk ekziston pavarësia e gjyqësorit nga qeveria. Dhe ç’nevojë ka Berisha të komentojë një vendim gjykate që nuk është gjë tjetër veçse zbatim i vullnetit të kryeministrit? Kjo vetëm do ta dëmtonte rrenën e “pavarësisë” së një gjyqësori në sinkron të plotë me qeverinë. Berisha qe i pari që, pasi konsumoi pa sukses shpifjet për grusht shteti, formuloi versionin e vrasjes së protestuesve “pa dashje”, me “rikoshetë”. Gjykata tha se vrasjet janë bërë me rikoshetë. Berisha dhe deputetët e tij i shpallën të akuzuarit për vrasje heronj që mbrojtën institucionet. Gjykata sapo shpalli se të akuzuarit për vrasje kanë bërë vetëm detyrën. Edhe gjykatësit e diktaturës nuk i zbatonin me kaq zell e përpikëri direktivat e PPSH. Vendimi i djeshëm është një tjetër provë si Berisha i dikton vendimet e gjykatave. Dhe nuk i komenton sepse janë të varura e jo të pavarura prej tij.
***
Taktika nuk është e panjohur. Askush nga shqiptarët nuk e ka parë diktatorin Enver Hoxha të komentojë vendimet e gjykatave që çonin në plumb opozitarët e pushtetit. Por a mos do të thotë kjo se gjykatat ishin të pavarura nën komunizëm, se ishin të pavarura nga Enveri?! Dhe shqiptarët nuk duhet të harrojnë se thelbi i diktaturës është “e drejta” për të vrarë opozitarët, protestuesit me ligj. Duke bashkuar në një aliazh politik qeverinë me “drejtësinë”, autokrati Berisha po e shtyn Shqipërinë drejt diktaturës. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte në logjikën e një diktature, jo të një demokracie. Në Shqipëri gjykatat po keqpërdoren për të vrarë drejtësinë, lirinë, jetën, pronën dhe demokracinë! Autokrati Kryeministër i ka lidhur gjykatat dhe ndërkaq, kërkon t’i shesë sikur janë të paprekshme. Prandaj nuk i komenton vendimet e gjykatave. Por është SHBA, që ndryshe nga ky “demokrat”, i komenton. Verdikti i djeshëm, thuhet në një deklaratë të ambasadës së SHBA, “ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”.
***
Ik more anej! – iu drejtua me arrogancë folësja e Kuvendit Topalli, deputetit socialist Tahiri që protestonte për abuzimin e pushtetit me gjykatat. Por kjo rrugaçëri parlamentare, është shumë më pak e rrezikshme për demokracinë se sugjerimi që Topalli i bëri opozitës. Kur flet gjykata, ju duhet të heshtni! – iu gërmush e nervozuar opozitarëve në sallë. Le t’ia thotë tani të njëjtën gjë ambasadorit Arvizu! Edhe Berisha. Sipas Topallit, Berishës, Bregut e K° opozita duhet të heshtë ndaj padrejtësive, ndaj mosndëshkimit të vrasjeve të protestuesve më 21 janar, ndaj mosndëshkimit të korrupsionit të përgjakshëm të Gërdecit, ndaj vjedhjes së zgjedhjeve në 2009 apo maj 2011. Pse? Sipas tyre, për të respektuar pavarësinë e institucioneve dhe ndarjen e pushteteve! Sa qesharakë bëhen këta strucë të një autokratizmi që ka kapur të gjitha pushtetet. Sipas kësaj logjike (që vetëm logjikë nuk është), heshtja e shqiptarëve për vendimet e gjykatave apo institucioneve “të pavarura” nën diktaturën komuniste, na paska qenë respekt për institucionet. Por të gjithë e dinë që nuk ishte fare ashtu. Heshtja e shqiptarëve ishte produkt i terrorit, frikë për të denoncuar, për të protestuar kundër një padrejtësie, kundër një diktature të maskuar me ligj, me gjykata, me institucione, me Kushtetutë! Në diktaturë, heshtja është frikë. Në demokraci heshtja është pranim. Por Shqipëria, për faj të liderëve si Berisha, nuk është ende demokraci. Sikundër kanë dëshmuar edhe monitorime ndërkombëtare, Shqipëria është një demokraci hibride, pleksur me elementë të tiranisë dhe padrejtësisë. Prandaj të heshtësh dhe të mos protestosh kundër vendimeve të manipuluara të gjykatave, është të pranosh padrejtësinë. Pranoni si drejtësi vendimet e padrejta të gjykatave të kapura nga unë! – bërtet Berisha. Pranoni rezultatin e zgjedhjeve që po përgatitemi t’i vjedhim! – ia mban ison Bregu. Tashmë është i qartë skenari i Berishës e K°, për të përdorur shtetin e kapur si kurth ligjor për t’i imponuar opozitës vrasjet e protestuesve si “drejtësi” dhe manipulimin e zgjedhjeve si “demokraci”. Asnjë popull, asnjë opozitë që do vërtet lirinë dhe demokracinë, nuk do ta pranonte një dhunim të tillë! Kurthit “ligjor” të pushtetit dhe gjykatave të kapura prej tij, opozita duhet t’i kundërvërë forcën e demokracisë dhe liridashjes!
***
Berisha dhe Topalli besojnë se mjafton të bërtasin se gjykatat janë të pavarura dhe shqiptarët, si dhe ndërkombëtarët, do ta gëlltisin një mashtrim të tillë. Fatkeqësisht për ta, drejtësia e pavarur dallohet prej një sërë tiparesh dhe rezultatesh nga drejtësia e kapur prej qeverisë. Kur drejtësia është e kapur, nuk kemi ndëshkim të korrupsionit në nivele të larta qeveritare. Kemi krijim të kulturës së pandëshkueshmërisë që, siç edhe kanë konstatuar raportet e ndërkombëtarëve, është tipike për Shqipërinë. Ndërsa aty ku drejtësia është vërtet e pavarur nga qeveria, është e pamundur që ndonjë kryeministër, president, kryetar Parlamenti, ministër të mos përfundojë në bankën e akuzës për korrupsion si në Itali, Francë, Gjermani apo edhe Kroaci. Nuk është një rastësi që në Shqipëri nuk ka as edhe një rast të tillë. Një bilanc që denoncon më mirë se çdo elokuencë, kapjen e gjykatave dhe pafuqinë e tyre para korrupsionit qeveritar. Vendimi i djeshëm i gjykatës është një provë më shumë e rrënimit të drejtësisë por edhe të shtetit demokratik në Shqipëri. Sepse në ballin e Kushtetutës së këtij shteti, të kësaj Republike shkruhet: Jeta e personit mbrohet me ligj! Pushteti vrau. Gjykata nuk ndëshkoi vrasësit. Me vendimin e saj, gjykata na tha se është e drejtë të vrasësh protestues paqësorë. Gjykata nuk mbrojti jetën sikundër sovrani e detyron me Kushtetutë! Qeveria dhe gjykatat e saj vranë vullnetin e sovranit për jetën. Prandaj shqiptarët dhe opozita duhet të ngrihen në mbrojtje të jetës.
SHQIP
Comments
Nuk komenton vendimet e
<p> Nuk komenton vendimet e gjykatave, ky kriminel. Po kur sistemi i drejtesise mori vendim te vihej ne levizje per kete ceshtje cfare tha ai. Perse nuk, ja kujtoni zoti Stefani "<strong>Lavire bulevardi". </strong>Ky ishte me shume se nje koment ndaj vendimeve ndaj te gjyqesorit.</p><p> Duhet ta theksoni me fort llogjiken tuaj. Berisha dhe te tijte te mos e hedhin ne eter shprehjen:"Kur flasin gjykatat te tjeret duhet te heshtin". Por t'i thone drejteperdrejte ambsadorit amerikan dhe vete departamentit te shtetit- Zotni ambasador, SHBA, MOS LLAPNI KUR FLASIN GJYKATAT SHQIPTARE...</p>
Add new comment