A do ta rrisë më tej PS-ja koalicionin parazgjedhor?

Postuar në 06 Shkurt, 2013 07:38
Eduard Zaloshnja

Në zgjedhjet e 2009-ës, PS-ja mori 10120 vota më shumë se PD-ja, por koalicioni i saj me vetëm 5 parti mori pothuaj 24000 vota më pak se koalicioni prej 16 partish i PD-së (Parantezë e gjatë: Këto diferenca janë llogaritur në bazë të shifrave zyrtare të KQZ-së. Se sa kanë qenë në realitet ato, e dinë vetëm komisionerët e qendrave të votimit dhe të numërimit. Ne dimë që, në një rast në Dajç të Lezhës, komisioni i qendrës së votimit kishte regjistruar si pjesëmarrës në votim njerëz që nuk ishin fare në Shqipëri ditën e votimit dhe, për këtë, gjykata i dënoi komisionerët.)

10 vagonët që iu shtuan trenit paraelektoral të PD-së në 2009-ën i dhanë atij plot 48 mijë vota. Dhe pa ato vota, ai nuk do të kishte patur një avantazh prej 24 mijë votash, por një disavantazh prej po aq votash. Nga ana tjetër, treni paraelektoral i PS-së, që mbeti me 5 vagonë, si në 2005-ën, e rriti goxha peshën e vet, por nuk arriti t’ia kalonte trenit 16-vagonësh të PD-së.

Duke i analizuar këto shifra dhe duke ditur që, nga KQZ-ja iku Ristani dhe erdhi Lleshi, Edi Rama duket se e ka kuptuar që duhet ta zgjasë trenin e tij paraelektoral me sa më shumë parti. Dhe në një mbledhje të para disa kohëve, a mblodhi rreth tryezës për koalicion paraelektoral 30 parti nga të gjitha ngjyrat e spektrit politik. Por nga partitë që po i shtohen koalicionit origjinal, të gjitha janë parti të patestuara në zgjedhje parlamentare, përveç PSV-91 e Petro Koçit, e cila mori rreth 6.5 mijë vota në 2009-ën dhe Partisë për Ligj dhe Drejtësi e Ngjelës dhe Zogajt, e cila mori rreth 5 mijë vota.

Me pak fjalë, trenit paraelektoral të Ramës mund t’i duhen edhe vagonë të tjerë, por më të mëdhej, që të përballet me trenin e gjatë të Berishës, i cili furnizohet, përveç të tjerave, edhe nga fondet e qeverisë, punësimet në administratë dhe nga favoret që u bën bizneseve pranë tij.

Në një intervistë dhënë gazetës DITA, Edi Ramës i ishte bërë një pyetje e drejtpërdrejtë nëse koailicionit opozitar do t’i bashkohet edhe AK-ja dhe FRD-ja, dy partitë e reja që nuk janë provuar në zgjedhje, por që ka të dhëna nga sondazhet se mund të kenë peshë të ndjeshme elektorale. Ai praktikisht e përjashtoi koalicionin me FRD-në duke thënë: “Bamir Topi ka një projekt divergjent me tonin. Ai synon të shpëtojë të djathtën nga një shkatërrim që do ketë pasoja dhjetëvjeçare. Ne duam të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e djathtë. Momentalisht konvergojmë vetëm në nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme dhe në këtë pikë mund dhe duhet të bashkëpunojmë.” Por Edi Rama nuk tha asnjë fjalë për AK-në…

Dhe AK-ja përbën një të panjohur shumë të rëndësishme për ekuacionin elektoral të qershorit. Dhe ja përse.

Sondazhet e publikuara deri më sot japin kuota që variojnë nga 9-15% për AK-në, por nuk janë publikuar nga kompani që kanë kohë në tregun e sondazheve. Ndërkohë, nga dy sondazhe private që kam zhvilluar në qytetin e Tiranës në shkurt dhe nëntor të vitit të kaluar (rezultatet e të cilave, kuptohet, nuk mund t’i bëj publike), vihej re se AK-ja ishte e vetmja parti që merrte shumë vota nga zgjedhës që nuk kishin votuar në dy zgjedhjet paraardhëse – ndarja e përkrahësve të saj ishte pothuaj e përpjesshme mes votuesve që s’kishin votuar në dy zgjedhjet paraardhëse, votuesve të zhgënjyer nga partitë e djathta (ose, më saktë, që e quajnë veten të tilla) dhe votuesve të zhgënjyer nga partitë e majta (ose, më saktë, që e quajnë veten të tilla).

Pikërisht ky fakt është tregues për peshën që mund t’i shtojë AK-ja trenit opozitar, për t’iu kundërvënë “Aleancës së Tradhëtarëve”, siç quan kuqeziu Kreshnik koalicionin qeverisës. Por futja e AK-së në koalicionin qeverisës do të ketë edhe një kusht, të panegociueshëm sipas Spahiut, të cilin Edi Rama do të duhet ta kapërdijë –  AK-ja kërkon që ligji mbi partitë të ndryshohet, për të kufizuar kohën që një kryetar mund të rrijë në krye të partisë. Dhe pastaj, asnjë kryetar partie nuk mund të rrijë në krye të saj më shumë se 8 vjet nga futja në fuqi e një ligji të tillë.

A do ta pranojë Edi Rama këtë kusht të AK-së?

(Intervista e Ramës nw gazetwn DITA: http://gazetadita.al/edi-rama-zgjidhet-zevendespresident-i-internacionales-socialiste/ )

 

Comments

Submitted by respublica (not verified) on

SEPSE vihej re qe AK-ja ishte e vetmja parti që merrte shumë vota nga zgjedhës që nuk kishin votuar në dy zgjedhjet paraardhëse – ndarja e përkrahësve të saj ishte pothuaj e përpjesshme mes votuesve që s’kishin votuar në dy zgjedhjet paraardhëse, votuesve të zhgënjyer nga partitë e djathta (ose, më saktë, që e quajnë veten të tilla) dhe votuesve të zhgënjyer nga partitë e majta (ose, më saktë, që e quajnë veten të tilla).

Submitted by illi (not verified) on

<p>Jo vetem ate kusht, qe eshte mese normal per nje shoqeri demokratike, por PS duhet te pajtohet edhe me kerkesen tjeter te AKZ, per cuarjen para drejtesise te Berishes dhe cdo lloj qeveritari a nepunsi tjeter , qe me veprimet apo mosverpimet e tyre i kane shkaktuar deme demokracise, ekonomise, drejtesise, ushtrise, rendit, shkolles dhe kultures shqiptare.</p>

Submitted by I3VI5 (not verified) on

<p>Ate kusht nuk e pranon dot PS-ja sepse pervec te korruptuarve te PD-s (dmth pjesa me e madhe e partise), &quot;para drejtesise&quot; do shkonte dhe mbi gjysma e PS-s. :D</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.