Policia: armiku ynë, viktima jonë!

Postuar në 28 Janar, 2013 09:56
Gilman Bakalli

Para tri ditësh vdiq në krye të detyrës një polic shqiptar. U qëllua me armë nga një adoleshent. Pardje, fytyra e një gjyqtareje u përcëllua nga acidi i një të riu. Vitin që shkoi, një pacient vrau një mjek. Para ca vitesh, dikush vrau një deputet. Para ca kohësh, një nxënës i drejtoi armën mësuesit. Pardje, dje, sot, gjithnjë e më shpesh, gazetat raportojnë për fëmijë që ngrenë dorën apo armën kundër prindit. Ka diçka që nuk shkon në raportin e shqiptarëve me autoritetin. Shteti hesht dhe bën homazhet për autoritetin e radhës.

Shoqëria shqiptare mesa duket e ka humbur aftësinë për ta pranuar dhe përpunuar simbolikisht autoritetin. Dikur, para viteve ’90, figura e policit, gjyqtarit, mësuesit e prindit rrethohej nga aura e një tensioni dialektik që lëvizte midis ndjenjës së frikës e respektit dhe ndjesisë së sigurisë. Asokohe, nga ky tension, shoqëria shqiptare çlirohej simbolikisht nëpërmjet barcoletave, përmes të cilave individi kompensonte dhe shkarkonte tallshëm pafuqinë e tij ndaj autoritetit. Humori ndaj një autoriteti ama, tregonte se ky autoritet qe pranuar. Sot nuk ka më barcoleta për policin, mësuesin apo mjekun e paaftë. Sot, policin, mjekun, mësuesin dhe prindin i kemi zhveshur nga çdo element autoriteti dhe i kemi shndërruar në një armik, të cilin sikur s’po na mjafton më ta ndëshkojmë me barcoleta. Një armik që nuk e meriton më talljen tonë therëse apo humorin acid shkodran, por plumbin, acidin, grushtin. Dhe kështu, polici shqiptar, mjeku, gjyqtari, mësuesi, armiqtë tanë, bëhen gjithnjë e më shpesh viktimat tona.

Disa analistë me prirje e poza antropologe thonë se shqiptarët janë gjaknxehtë dhe agresivë, se në këtë periudhë tranzicioni ata, pra ne, jemi bërë akoma më gjaknxehtë e agresivë. Po kush e tha se dhuna është përherë manifestim i agresionit me mjete ekstreme? Kush është agresiv nuk është domosdoshmërisht edhe i dhunshëm. Shumë njerëz e shkarkojnë brenda vetes agresionin dhe kthehen në depresivë, dhe, si të tillë, në kandidatë perfekt për vetëvrasje. Disa të tjerë, agresionin e shkarkojnë verbalisht me vërejtje cinike, me thashetheme të liga, me sharje nga foltore publike etj. Shkurt, faji nuk duhet kërkuar në ADN-në e shqiptarit. Për të vrarë një polic, një gjyqtar nuk është aspak e nevojshme ta urresh atë apo të mos e respektosh autoritetin e tij. Më shumë se agresioni, janë frika dhe pasiguria që mund të shkaktojnë dhunë pa pas qenë agresiv asnjëherë. Mjafton të kesh frikë, mjafton një jetë e varfër, e pasigurt, e pashpresë dhe mund të kryesh krimet nga më makabre. Nuk është agresioni që shkakton dhunën, por është dhuna masive, si pasojë e pasigurisë masive, ajo që mbjell agresion anembanë, në çdo skutë psikologjike të shoqërisë.

Sidoqoftë, nëse duam të gjejmë rrënjët e dhunës në rritje të shqiptarëve ndaj autoritetit në përgjithësi dhe specifikisht atij policor nuk duhet të humbim kohë duke kërkuar në “hardware-in” biologjik të shqiptarëve, por në “software-in” e tij kulturor. Le të mos rrëmojmë në pushtetin e gjeneve të “shqiptarit”, por në mungesën e theksuar të atij pushteti qendror, i cili, si një arbitër i rreptë e i pakorruptueshëm, do të duhej të mbante rregullin social. Mungesa e kësaj instance të besueshme rregullatore ka bërë që grupimet e ndryshme sociale të qëndrojnë sot përballë njëra tjetrës me një antagonizëm të theksuar armiqësor (kujtoni pak modelin antagonist që përcjell skena e përditshme e policisë rrugore të fshehur pas shkurreve të rrugës me gropa për të kapur “armikun” që e nget makinën, apo të atij gjyqtarit, i cili para se t’ia zgjidhë problemin qytetarit e rrënon atë financiarisht). Se çfarë ndodh kur në marrëdhëniet midis palëve mungon besimi i ndërsjellë dhe garancia e një autoriteti qendror e tregon një nga eksperimentet psikosociale (me emrin “Dilema e ujkut”) të ideuar dhe zbatuar nga Douglas Hofstadter, një version modern i asaj që në teoritë e lojës quhet “dilema e të burgosurit”. 20 persona vendosen në qeli të izoluara njëra prej tjetrës dhe mbajnë gishtin mbi një buton. Secili ka një detyrë të thjeshtë: gjatë 10 minutave nuk duhet ta shtypë butonin që ka përpara. Nëse e bën këtë, ai fiton 100 dollarë. Ai, që gjatë 10 minutave tregohet i paduruar dhe e aktivizon butonin, shpërblehet me 100 dollarë, duke i lënë të gjithë të tjerët duarbosh. Nëse të gjithë do të ishin të zgjuar, askush nuk do ta shtypte butonin dhe do të fuste në xhep 100 dollarë. Mirëpo dikush mendon se është më i zgjuar dhe parashikon mundësinë që njëri nga pjesëmarrësit të jetë aq budalla sa të shtypë butonin. Në këtë rast do të ishte më e favorshme t`i dalësh para rrezikut dhe ta shtypësh i pari butonin. Dikush që është akoma më i zgjuar,mund të parashikojë se edhe të zgjuarit e tjerë mendojnë në të njëjtën mënyrë, prandaj do bënte mirë që edhe ai të tregohej më i shpejtë dhe ta shtypte butonin. Siç shihet pra, logjika e pastër të çon në mënyrë të pashmangshme në një katastrofë kolektive. Në këtë rast një monitorues i drejtë e i paanshëm do të siguronte respektimin e rregullave të lojës dhe të ndëshkonte mashtruesin në fjalë.

Një shtet i dobët mbjell frikë, pasiguri dhe mosbesim, të cilat sjellin dhunë në rritje dhe agresion. Kushte të tilla inkurajojnë një egoizëm të shfrenuar “ujqërish të vetmuar”, të cilët janë në garë kush ta kafshojë tjetrin i pari. Prandaj në një vend si Shqipëria, ku nuk ekziston një demokraci me hierarki të qarta, por një anarki primitive, në një vend si Shqipëria, pra, ku shteti nuk mbron dot askënd, çdo individ pretendon të ketë pushtetin e tij dhe ta mbrojë atë me çdo mjet. Mjerë ai autoritet që guxon të vërë në diskutim pushtetet e atomizuara të shoqërisë shqiptare. Policët janë të parët që guxojnë ta bëjnë këtë dhe kthehen të parët në armiqtë tanë e më pas në viktimat tona. Prandaj të jesh polic në Shqipëri është profesioni më i rrezikshëm. Prandaj edhe të jesh mësues, edhe të jesh mjek, edhe infermier, edhe prind, edhe deputet në kushte të tilla bëhet jo vetëm e vështirë, por edhe e rrezikshme. Prandaj po bëhet përherë e më e vështirë dhe e rrezikshme të jetosh në Shqipëri, sepse fundi i një shoqërie demokratike vjen atëherë kur autoriteti shndërrohet në një armik. Dhe me armikun s’ka humor. Ka plumb.

Mapo

Comments

Submitted by matiani (not verified) on

Nje kendveshtrim i vecante dhe shume interesant.

Po zgjidhja?

Me se pari zgjidhjen duhet ta gjej politika, por une dyshoj edhe tek aftesite e opozistes. Dyshimin ma rrisin deklaratat qe behen se fundi. Ato nuk jane bindese. Duken te pamundura te realizohen per 300 dite.

Submitted by miri (not verified) on

e drejte matian. ka nje profil interesant ky bakalli ne artikujt e tij. edhe une rri e mendoj se kush mund ta kryeje monitoruesin, ose kush mund ta permiresoje ate "software-in" kulturor qe permend artikullshkruesi. me duket situate pa zgjidhje! duhet bere si ne amerike. te armatoset gjithe populli!

Submitted by Besiani (not verified) on

Ndersa une mendoj krejt ndryshe nga "miri": ketij populli t'i hiqen dhe thikat metalike te bukes, te perdorim thika druri ose siç ndodh tani-t'i presin qe ne furre.

Submitted by Niko Maloku (not verified) on

Faleminderit Gilman. Eshte njeri nga shkrimet tuaja me me vlere. Problemi eshte se, ne disa drejtime ne kemi bere regres dhe askush nuk guxon ta pohoje dhe, aq me pak te inicoje masat qe duhen marre.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.