Anglia në BE, historia e një dashurie të paçelur

Postuar në 26 Janar, 2013 07:20
Elton Xhanari

Kanë kaluar plot 40 vite që kur Britania e Madhe u pranua si anëtare me të drejta të plota në europën e bashkuar që atëhere quhej  Komuniteti Ekonomik Europian. Ishte një dasëm e detyruar e cila erdhi vetëm pas dështimit të organizatës EFTA (zonë e tregtisë së lirë midis Anglisë, Suedisë, Norvegjisë Danimarkës, Austrisë dhe Portugalisë) e krijuar pikërisht nga Anglia në konkurrencë të hapur me projektin e bashkimit kontinental.

Këto katër dekada martese nuk kanë qënë të lumtura dhe plot harmoni. Ndoshta kjo është arsyeja përse kryeministri britanik David Cameron shpalli të mërkurën etapat e një divorci të paralajmëruar. Nësë partia konservatore do rifitojë zgjedhjet e ardhshme të 2015-tës, Cameron do i kërkojë Brukselit një rishikim të marrdhënieve dypalëshe. Vetëm pas këtyre negociatave, në 2017, populli anglez do thirret për një referendum mbi qëndrimin në Bashkimin Europian. “Do jetë një biletë vetëm vajtjeje”, u shpreh Cameron, “duhet marrë një vendim me mendje të ftohtë, sepse mund të dalim nga BE-ja, por nuk mund të ikim nga kontinenti Europian, me të cilin na lidhin fije të ndërlikuara ekonomike dhe juridike”.

Çfarë kërkojnë saktësisht anglezët nga BE-ja? Atë që kanë kërkuar gjithmonë: më pak politikë dhe më shumë treg. Hapësira e përbashkët europiane është perceptuar nga nenshtetasit e mbretëreshës si një shans ekonomik ku do mund të eksportoheshin prodhimet e industrive të tyre. Intergrimi i mëtejshëm politik, për të mos thënë shfaqja në horizont e një super-shteti federal, ka prodhuar frikë të tejskajshme në ishull. Britania e Madhe është aktualisht jashtë monedhës Euro, jashtë zonës Schengen, jashtë bashkimit inter-bankar, jashtë traktatit fiskal. Anglezët nuk duan që vendime thelbësore që prekin nerva të gjalla të jetës së përditshme të merren në Bruksel nga një organizatë ndërkombëtare që ata e ndiejnë të largët dhe pjesërisht të huaj. Si pasojë, 56% e tyre (sipas një sondazhi të organizuar nga gazeta Observer), janë pro daljes nga bashkësia europiane.

Rreziqet gjeo-politike të shkëputjes së Londrës nga pjesa tjetër e kontinentit janë të dukshme. Vetëm pak javë më parë, administrata Obama u shpreh se “për Britaninë e Madhe do ishte më e udhës të mbronte influencën e saj mbi Europën e Bashkuar. Përndryshe rrezikon të dëmtojë marrdhëniet me Washington-in.” Nëse Amerika, me të cilën Anglia ka pasur relata të privilegjuara që nga epoka e Churchill-it, do zgjidhte si bashkëbisedues parësor Brukselin, atëhere ishulli britanik do zvogëlohej akoma më shumë në arenën ndërkombëtare.

Thelbi qëndron tek perceptimi që anglezët kanë të Europës. Për ta BE-ja është një instrument ekonomik, ose më shkoqur një mundësi për të bërë para, dhe jo një qëllim në vetvete. Ndërkohë që shtetet e tjera të Unionit kërkojnë një integrim akoma më të ngushtë për të spostuar dhe zgjidhur problemet e veta në një nivel më të lartë, Britania e Madhe ka kundërshtuar sistematikisht çdo hap të mëtejshëm drejt bashkimit.

Me tërheqje të vogla, siç është stili tipik british, filli që mban lidhur ishullin me kontinentin po këputet. Ndoshta ka të drejtë kryeministri Cameron për të pyetur njëherë e mirë qytetarët nësë duan që martesa me BE-në të vazhdojë tej lojrave të dyfishta. Sepse nuk është më e tolerueshme që Britania e Madhe të konsiderojë BE-në si një supermarket ku merr prodhimet që më shumë i leverdisin por duke mos paguar kostot relative në emër të “fleksibilitetit” dhe “respektit për veçoritë e shteteve”.

Përgjatë 40 vitesh antarësim, angelzët kanë qëndruar tek pragu i derës, as brenda dhe as jashtë. Kanë studiuar më së miri rregullat e shtëpisë europiane dhe i kanë shijuar maksimalisht frytet ekonomike. Tanimë, si një çift i lodhur nga keqkuptimet dhe zënkat e vazhdueshme, Brukseli dhe Londra duhet të ringjallin një dashuri që ndoshta kurrë s’ka çelur tamam, ose në të kundërt të marri secili rrugën e vet.

PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona

Comments

Submitted by Pirro (not verified) on

Anglia ne BE aderoi vetem per hater te SHBA-se qe kerkonte ashtu te mbante nen kontroll boshtin e rrezikshem Gjermani-France - qe ishte dhe berthama e ketij bashkimi.

Sot po ashtu, eshte SHBA-ja qe nepermjet presidentit Obama(para dy ditesh nese s'gaboj), i perseriti Anglise se vendi i saj per SHBA-ne, qendron ne BE. Nese Anglia nje dite do te dilte nga Bashkimi Europian, pasojat per Bashkimin do te ishin te pakta dhe afatshkurta, ndersa per vete Angline, katastrofike dhe afatgjate. Te mendosh pastaj qe Skocia neser dhe Uellsi nje dite jo fort te larget, do t'i bashkoheshin BE-se, per Angline izolimi do te ishte edhe me i madh.

Bile BE-ja ne kete menyre do te hiqte qafe nje vend qe po perfiton me shume se ç'kontribuon, per mos te folur per problemet e shumta politike, normative & financiare qe po i nxjerr ky shtet tekanjoz.

Eshte e kote te vazhdosh te bashkejetosh me nje shtet qe nuk te do, per mendimin tim "divorci" do te ishte zgjidhja me e mire! Pastaj le te bashkohej populli i tharanuqes Elisabet me SHBA-ne, se edhe me te, heret a vone, fijet e lidhjeve rracore, gjuhesore, kulturore e ekonomike, do te tendoseshin e keputeshin shpejt!

Submitted by Stefan H (not verified) on

Sshkrimi i blogut do qe me intres ne se do na paraqiste dhe literaturen per shkrimin e artikullit.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.