Spektakël tragjik

Pak ditë më parë u zhvillua një demonstrim policor, në kuadrin e 100-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit shqiptar, ku morën pjesë dhe krerët më të lartë të shtetit, ku dhe vetë institucionit me rol parësor në zbatimin e ligjit iu dha dekorata më e lartë mirënjohëse e shtetit tonë, "Urdhëri i Flamurit Kombëtar." Me përjashtim të përbërjes së tribunës kryesore dhe vendit të zhvillimit, ceremonia ishte tejet e ngjashme me ceremoninë e zhvilluar një dekadë më parë. Programi ishte i njëjtë: rreshtim përfaqësues i forcave policore, ndonjë parakalim i kufizuar, situatë shpëtim pengu, zbritje me litar nga helikopteri i forcave speciale, demonstrim i aftësive të grupit të arteve marciale, sprapsje e turmave të dhunshme si dhe ndër të tjera dhe ndalimi dhe arrestimi i një drejtuesi të dyshimtë automjeti. Programi ishte tërësisht i njejtë, por gjithsesi të shkakton gjithnjë emocione një organizim i tillë, Policia tregoi serish, si 10 vjet më parë, ekzekutim të detyrave të saj me përgatitje të lartë profesionale dhe njëkohësisht duke ofruar dhe spektakël. Por a është spektakli i vetmi përbërës ekskluziv i këtyre eventeve festive? Apo dhe vetë ato demonstrime të ekzekutuara me mjeshtëri janë pjesë ekskluzive e "ofertës" speciale me raste përvjetorësh? Duke u nisur nga disa shembuj tragjikë dhe jo shumë të largët në kohë mund të pohohet, me keqardhje, se demonstrimet praktike të policisë në raste përvjetorësh janë tërësisht pjesë e spektaklit dhe aspak pjesë e punës së përditshme apo të përkohshme të efektivëve të policisë.
Le të marrim rastin e ndalimit dhe arrestimit të individëve të dyshuar e që lëvizin me automjete në rrugët e vendit. Pak vjet më parë ekzekutimi i katër efektivëve të policisë në Durrës, pikëlloi gjithë opinionin publik. Rrethanat e asaj ngjarjeje janë tepër të dyshimta dhe aktualisht nën hetim, por çfarë dihet publikisht është se katër efektivë policie mbetën të vrarë në një përpjekje për të ndaluar një makinë të drejtuar nga tre individë, të cilët ishin të armatosur me armë afërsisht të të njëjtit lloj dhe fuqi zjarri. Është e dhimbshme të trajtohet në këtë mënyrë por duke analizuar operacionin në planet numerike dhe cilësore rezulton se jo vetëm cilësisht forcat policore nuk ishin të suksesshme por as epërsia numerike nuk u dha atyre asnjë shans të realizonin detyrën e tyre, paçka se kishin në favor dhe elementin surprizë. Gjykimi bëhet akoma më i zymtë po të mendosh edhe që efektivët e rënë në detyrë në këtë ngjarje ishin pjestarë të njësive speciale për goditjen e krimit.
Një tjetër disfatë e këtij lloji u përsërit pak muaj më parë, jo shumë larg bregdetit durrsak, në Shijak. Tragjikisht humb jetën drejtuesi më i lartë i policisë në qytet. Sipas raportimeve të mediave, policia ishte vënë në veprim dhe ishte organizuar në operacion për bllokimin e automjeteve me dokumentacion të parregullt. Edhe në këtë rast, elementi surprizë ishte në favor të forcave policore. Edhe në këtë rast raporti numerik anonte pozitivisht në anën e policisë. Shefi i komisariatit të Shijakut, i shoqëruar nga dy efektivë policie mbetet i vrarë në një përballje, në rrethana tërësisht të zakonshme, me dy individë, nga të cilët vetëm njëri ishte i armatosur.
Por le të rikthehemi në 100-vjetorin e policisë. Në ceremoni me siguri shumë prej kuadrove policorë kanë rikujtuar kolegët dhe miqtë e tyre të rënë në detyrë, por askush nuk do e mendonte se vetëm pak orë pas përfundimit të demonstrimit spektakolar të fundit, sipas programit "100-vjeçar", do të përjetonin një deja-vu.
Jo shumë larg kryeqytetit, në fshatrat e Matit zhvillohej një operacion policor për parandalimin e një trafiku armatimi dhe ndalimin e trafikantëve. Edhe në këtë operacion policia kishte avantazhin e informacionit, dhe rrjedhimisht dhe avantazhin numerik. Tragjikisht, edhe në këtë rast mbetet i plagosur dhe në rrezik për jetën njëri nga drejtuesit më të lartë policorë të zonës. Pesë trafikantët, pavarësisht se "buzëqumësht", duke qenë se moshat e tyre varionin nga më i vogli 15 vjeç deri tek më i madhi 22 vjeçar; duart i kishin të përcëlluara me barut, ndoshta po aq sa dhe aktorët e rasteve të mësipërme. Sipas raportimeve mediatike, objekt i trafikimit do të ishin rreth 26 arka me fishekë. Shpesh herë mediat në Shqipëri janë të pasakta në terminologjitë e përdoruara, sidomos në rastet e kronikës, prandaj dhe po marrim dy kufijtë, atë minimal dhe atë maksimal, për t'iu referuar kësaj ngarkese kriminale. Në furgonin e përdorur nga pesë të Viktor Bout-ët shqiptarë, duhet të gjendeshin nga 20 mijë deri në 40 mijë fishekë luftarakë. Kush merr erë nga këto punë, kupton se kjo sasi fishekësh shërben për të furnizuar me lehtësi një njësi të mesme ushtarake me municion gadishmërie, le të themi një kompani të zgjeruar, ose një batalion të reduktuar. Tani, pse u futem këtyre llogarive? Para se t'i kthej përgjigje kësaj pyetjeje duhet të shpreh shqetësimin maksimal për destinacionin e këtyre municioneve. Sasia e tyre duhej të kishte bërë të mundur "zbarkimin" e çdo force të mundshme ligjzbatuese në Mat, e jo vetëm uljen e helikopterit të shëndetësisë për të tërhequr trupin e përgjakur të komisarit të pafat.
Le të rikthehemi tek çështja jonë. Duke qenë se forcat policore ishin në dijeni të trafikut që pritej të zhvillohej duhej të paktën të kishte marrë masa për të neutralizuar me precizionin më të lartë trafikantët, e sidomos ata që mund të shfaqnin vullnetin për të rezistuar ndaj saj. Edhe kësaj here, pavarësisht epërsisë numerike dhe informative, policia jonë mori një fitore të dhimbshme, për të mos thënë dështoi dhimbshëm.
Ka shumë raste të tjera që në po të njëjtat rrethana ose në rrethana të ngjashme efektivë të policisë kanë humbur jetën, por duhet pranuar se elementi i përbashkët i këtyre ngjarjeve qëndron në mospërfilljen e atyre elementëve të sigurisë të cilët po të njëtët efektivë tregojnë se dinë t’i zbatojnë aq mirë në raste paradash, në raste festive. Për spektakël!
Rastet tragjike të mësipërme, sigurisht mund të analizohen nga publiku vetëm nëpërmjet raportimit të mediave, dhe për pasojë analiza s'mund të jetë tërësisht e saktë. Por ka disa raste kur publiku mund të shohë drejtpërdrejt shpërfilljen e elementëve të sigurisë nga ana e forcave policore. Përpiquni të rikujtoni raste të ndalimit të automjeteve nga të ashtuquajtura "post-blloqe." Me siguri ju ka bërë përshtypje "veshja e ngjeshja" e disa prej forcave policore, që zakonisht qëndrojnë në periferi të zonë-ndalimit, dhe më së shumti shikojnë vëngër drejtuesit e automjeteve, duke mbajtur krahëqafë armë automatike. Pamja e egër e këtyre të parëve zbutet nga prania e dy grupeve të tjera. Grupi i parë ka të bëjë me efektivët që vijnë e ju kontrollojnë dokumentet e makinës tek xhami i derës së parë. Grupi i dytë është grupi i "shefave". Shefat janë ata që zakonisht qëndrojnë në veshje civile, të shpërqëndruar, në mes të vend-ndalimit, e për dreq saktësisht mu në mes të vijës imagjinare të zjarrit midis drejtuesit agresiv të automjetit të ndaluar dhe policit "special" me shikim të vëngërt. Serish për ata që marrin erë nga këto punë, pra "policët e paradave", një gjë e tillë është tërësisht tragjikisht qesharake. Në rast shkëmbimi zjarri, në rastin "më të mirë" i dyshuari largohet me shpejtësi dhe askush nga pjestarët e post-bllokut nuk ka mundësi të reagojë me zjarr, në kohën e duhur. Në rastin më të keq objekt i zjarrit të drejtuesit të automjetit të ndaluar mund të bëhet ose polici i "dokumentave" ose ekipi i "shefave" dhe ndërkohë "speciali" duhet të bëjë përpjekje të mëdha që në rast se do vendosë të reagojë, duhet edhe të shmangë vetë "shefat", pa përmendur këtu praninë e automjeteve të tjera të ndaluara, që zakonisht qëndrojnë në distanca tejet të ngushta midis njëra-tjetrës. Nga ana teoriko-praktike një organizim i tillë nuk gjendet në asnjë manual policie në botë, dhe sigurisht as në ato shqiptare. Ky deformim vjen si pasojë e nënvleftësimit të elementëve të sigurisë operacionale. Jo vetëm shkelje, por edhe tragjike!
Në kryerjen e akteve kriminale, autorët, përmbushin automatikisht tre kushte: kanë një motiv, kanë mjetet, si dhe së fundimi kanë dhe mundësitë për kryerjen e krimit. Në kushtet e shoqërisë shqiptare, që karakterizohet nga shifra të larta aktiviteti kriminal dy nga elementët e mësipërm janë tejet të vështira për t'u kontrolluar nga forcat policore. Ato nuk mund të kenë nën kontroll motivin që e shtyjnë një individ në Shqipëri të kryejë një krim, pasi individi ka gjithnjë epërsi informacioni mbi veprimet e tij. Duke e lidhur me rastet e mësipërme, asnjëri prej 4 policëve të mbetur të vrarë nuk priste që përpara fjalëve kundërshtuese, nga makina e rrethuar do të dilnin plumba.
Po kështu, forcat policore kanë vështirësi të mëdha në kontrollin e mjeteve të përdorura nga elementë kriminalë. Eksperienca shumëvjeçare në një vend ku ligji më tepër nuk zbatohet sesa zbatohet u jep përparësi kriminelëve të zotërojnë mjete të shumta në dobi të aktivitetit kriminal. Merrni rastin e dhjetra mijëra municioneve në duar të adoleshentëve trafikantë matjanë.
Së fundmi, elementi i vetëm i cili mund të manipulohet pozitivisht nga forcat policore shqiptare është mundshmëria e kryerjes së krimit nga kriminelët. Të gjithë elementët e sigurisë operacionale të forcave policore kudo ku veprojnë shërbejnë pikërisht për të reduktuar mundësinë e kriminelëve për të kryer krime, paçka se mund të kenë arsye dhe mjete në dispozicion. Le të marrim rastin e postëblloqeve policore në rrugët e vendit. Nëse forcat policore kujdesen të paktën të pajisin dhe vetë policin "e dokumentave" me veshje speciale mbrojtëse, të vendosin pengesa fizike që pengojnë lëvizje të shpejta të automjeteve të ndaluara, të zgjedhin vende të ndriçuara mirë ose të sigurojnë ndriçim alternativ përgjatë kontrolleve, të sigurojnë ruajtjen e hapsirave vepruese dhe sidomos të zhvendosin në një pozicion më pak vetëvrasës "shefat", mundësia e dëmtimit të tyre nga ana e kriminelëve të mundshëm do reduktohej ndejshëm. Vërejtje të tilla mund të bëhen edhe gjatë operacioneve policore që kanë përfunduar në mënyrë tragjike në vitet apo ditët e fundit. Vërejtje të tilla së pari duhet ti bëjnë ata që qëndrojnë në ballë të paradave dhe rreshtimeve!
Comments
nje nga analizat me objektive

nje nga analizat me objektive dhe me reale qe kam lexuar dekadat e fundit per policine e shtetit (kalk i polizia di stato).

policia e shtetit, ashtu si shumica e institucioneve te shtetit shqiptar eshte nje institucion JO SERJOZ.

1. policet jane te patrajnuar ose te trajnuar pjeserisht. kur them te patrajnuar, nenkuptoj se jane thjesht persona qe kane veshur UNIFORME (uniforme groteske, kopje te cilesise se ulet te atyre italiane) dhe u eshte dhene arme (e cila eshte e rrezikshme per ta edhe per ata qe i rrethojne).

2. jane fizikisht te PAKUALIFIKUAR. nje polic shqiptar eshte zakonisht mbipeshe, me nje bark xxl (pasoje e konsumimit te tepert te birres), dhe ka aftesi te kufizuara per spring, vetembrojtje dhe neutralizim personi.

3. nuk kane mjete apo pajisje moderne (dhe kjo jo per faj te tyre). policia e shtetit perdor ende pistoleta KINEZE (kopje te pistoletes sovjetike tt-33) qe ishin moderne para 70 vjetesh, atehere qe Hitleri e Stalini ishin ende gjalle. snuk flas fare per kalibrin e tyre qe nuk sherben fare per situata qe perballen police (te cilat kerkojne nje kaliber 9mm). perdorin arme luftarake (si kopje te AK-47 "kallashit") i cili eshte krejt i papershtashem per mjedise urbane. fisheku 7,62mm i "kallashit" ka nje energji jashtetokesore dhe nje aftesi shpuese qe mund te hedhi poshte nje mur prej tulle sikur te ishte prej kartoni. kjo e shton rrezikshmerine per hallexhinjte e pafajshem qe ndodhen ne afersine e nje shkembimi zjarri. radiot e policise, ca motorola te ndryshkura, nga ato qe amerikanet i hidhnin ne det pas luftes se vietnamit jo thjesht qe nuk rrezistojne sulmeve zhurmuese por mund te shkaktojne edhe viktima nga bartesit pasi bataria e tyre shperthen nen nje presion te caktuar.

4. policet shqiptare nuk e kane idene e ndertimit te nje postblloku, sidomos naten. pa uniforma me shenja fosforizuese, pa elektrike apo drita kemike dore, ndonjehere edhe pa shenjen e "stop"-it te ndalojne naten sekonda para se te shkelesh frenat. kush e di sa police te shkrete do kene perfunduar poshte rrotave nga gjeste te tilla vetevrasese. postblloku naten menjanohet ne sekonda nese perdoret nje fjale e vecante "SHEF" dhe nje leter e permasame te vogla me numrin 1000, gravuren e gjergjit (dhe firmen e guvernatorit te bankes shqiptare).

etj

Add new comment