Tregu i lirë është një përrallë moderne

Postuar në 06 Janar, 2013 05:01
Gilman Bakalli

Për shumë kënd togfjalëshi “tregtar i ndershëm” është thjesht një oksimoron, një figurë letrare pra, e cila rreket të unifikojë brenda vetes dy atribute të papajtueshme me njëri-tjetrin. Personazhi kryesor i romanit “Budenbrokët” i Thomas Mann-it, e di se çfarë është një tregtar i ndershëm, kur e këshillon të birin duke i thënë: “biri im, bëje me dëshirë e pasion tregtinë gjatë ditës, por bëje në atë mënyrë që të flesh rehat natën”! Për Johann Buddenbrook-un marrëdhëniet e mira tregtare janë fenomene sociale dhe afatgjata. Përfitimi i shpejtë nuk vlen. Në themel të tregtisë nuk qëndron paraja, por një tjetër monedhë universale: besimi. Kjo ide nuk është e re. Teologu dhe matematicieni Luca Pacioli – shpikësi i bilancit të dyfishtë – në librin e tij Summa de arithmetica, geometria, proportioni et proportionalità të vitit 1494 shkruan: “nuk ka asgjë më supreme se fjala e tregtarit të mirë, i cili e përforcon betimin e tij duke thënë për nder të tregtarit të vërtetë”. Gjithsesi vetë Pacioli ishte i vetëdijshëm për problematikën e çështjes në fjalë dhe vërente se është më e vështirë të formosh një tregtar të ndershëm se sa një jurist të zgjuar. Realiteti ekonomik në Shqipëri i jep të drejtë Pacioli-t. Jo se nuk gjen tregtarë të ndershëm, por këta janë një specie e rrezikuar të zhduket. Vendin e bilanceve të dyfishta e kanë zënë bilancet e shumëfishta dhe bilancet e manipuluara. Korrupsioni, abuzimet me çmimet në kurriz të cilësisë, papërgjegjshmëria kriminale nuk janë mëdukuri të rralla në ekonomisë sonë. Mos ndoshta është momenti për të rishikuar mitin e “tregut të lirë”. Kur Adam Smith në librin e tij “Mirëqenia e kombeve” flet për tregun e lirë ai ka parasysh Britaninë e Madhe, zanatçinjtë dhe manifakturat, tregtarët e pambukut dhe pronarët e minierave, të cilët nuk duhen penguar e dekurajuar përmes kufizimeve tregtare apo doganore. “Një dorë e padukshme” – shkruan ai – “do ta normalizojë tregun, në mënyrë që gjithsecili ta marrë atë që i takon.” Paralelisht me normat e tregut do të përhapeshin edhe normat sociale. Liria e tregtisë rezulton në liri veprimi. Sidoqoftë problemet e mëdha të realitetit kapitalist nuk njiheshin asokohe. Një ekonomi globale ishte asokohe e papërfytyrueshme për Smith, ashtu siç ishin të paimagjinueshme katastrofat ekologjike, lëvizjet migratore, konfliktet kulturore, sëmundjet nga stresi, spekulimet e bursave etj., etj. Por Smith e kishte kuptuar se tërësisht pa dorën e shtetit nuk mund të funksiononte tregu i lirë. Kush e garanton tregun e lirë? Kush e mbron atë nga armiqtë e tij? Kush mbikëqyr ndershmërinë e aktorëve të tregut? Për të gjitha këto, edhe Smith, mendon se duhet një shtet i fortë. Si filozof i moralit, Smith e dinte se koncepti i tregut të lirë nuk është ndryshe nga koncepti i drejtësisë: të gjithë e inkurajojnë, por pakkush e do realisht. Sepse sapo të jetë ofruar mundësia e parë, gjithsecili do synojë t’i shkelë i pari rregullat e ndershme të tregut të lirë. Pa dorën e shtetit të gjithë aktorët e tregut të lirë do ishin para dilemës së burgosurit: nëse veprojnë racionalisht mbi bazën e interesit të përbashkët afatgjatë, ato do të dështojnë sapo të dalë dikush që t’i shkelë rregullat e lojës me logjikën e përfitimit personal. E vetmja mënyrë për ta shmangur dilemën e të burgosurit është prezenca e shtetit përmes caktimit dhe respektimit të rregullave të qarta të lojës në një treg të lirë. Në kapitalizmin siç e njohim ne sot, tregu i lirë përbën një përjashtim. Forca të ndryshme centrifugale e centripetale, buxhete ekstremisht të diferencuara për reklama, ndikime politike, pikënisje të pabarabarta etj. bëjnë që tregu të mos jetë i lirë, të mos jetë i ndershëm, i pagabueshëm dhe që sjell detyrimisht mirëqenie. Ajo që vlente në kohën e Adam Smith, vlen sot më shumë se kurrë. Siç konstaton me të drejtë Roger de Weck në librin e tij “Nach der Krise. Gibt es einen anderen Kapitalismus? (Pas krizës. A ekziston një kapitalizëm tjetër?): “Një firme të fuqishme nuk i shkon ndërmend t’i nënshtrohet tregut; synimi i saj është ta bëjë tregun të tillë që t’i shërbejë objektivave të saj. Çmimet, kostoja dhe prodhimi nuk përcaktohen nga tregu, por nga planifikimi i firmës”. Liria e tregut dhe mrekullitë e tij janë një përrallë moderne. Ndryshe nga sa besonin ithtarët e neoliberalizmit, shteti nuk është problemi, por zgjidhja. Pa një shtet të fortë, nuk mund të ketë treg të lirë. Një kopësht pa përkujdesje nuk lulëzon, por degjeneron në një rrëmujë shkurresh, ferrishtesh e barërash të këqija. Kopshtarët e ekonomisë shqiptare rezultuan naivë duke idolizuar lirinë e tregut dhe jo vetëm që nuk u kujdesën për ta pastruar kopshtin e ekonomisë sonë nga barërat e këqija, por përkundrazi, inkurajuan anarkinë duke i plehërosur ato. Tregu i lirë nuk rregullohet vetvetiu. Ai nuk funksionon pa një shtet, i cili mbikëqyr dinamikën e zhvillimit të tij. Fundja tregjet e lira nuk kanë lindur vetë, shumica e tyre janë produkt i shteteve. Kush nuk e merr këtë fakt në konsideratë dhe përpiqet ta injorojë rolin e shtetit në rregullimin e tregut ngjason me atë fëmijën e llastuar, i cili sheh vetëm faktin se prindërit po ia ngushtojnë lirinë e veprimit. Ajo çka nuk sheh është fakti tjetër se jeta e tij e bukur nuk do ishte e mundur pa ndërhyrjen e herëpashershme të prindërve të tij.

MAPO

Comments

Submitted by Stefan H (not verified) on

Autori shkruan me pergjegjesi, por ndonse konkluzionet e tij jane te vlefshme, referencat perkatese jane pak si te vjeteruara. Do te ishte me interes te silleshin referencat me te fundme rreth ekonomise se tregut te lire,  dhe jo ato referenca klasike qe i kane rene autorit ne dore (psh, Adam Smith-5 June 1723 OS – 17 July 1790). Referenca e  publicistit Roger de Weck, ndonse bashkekohor, nuk na thote dhe aq shume. Sigurisht, nuk dua te them se duhet ti harrojme ekonomistet e shquar te shekujve te tjere, por sidoqofte ata nuk i japin pergjigje zhvillimeve te sotme.

Submitted by f d (not verified) on

Gjyshja ime thoshte : " Nga parate e bera me mund e djerse gjysmat jane te shejtanit ".

Submitted by j.d. (not verified) on

Jam shumë dakord, dhe kjo mund të vërtetohet më së miri me mënyrën se si lektorët e Fakultetit të Ekonomisë së UT-së e komunikojnë ekulibrin e tregut të bazuar në teori tejet të thejshtëzuar (deri në banalitet) e shumë, shumë larg realitetit.

Submitted by katarakti (not verified) on

Duhet kuptuar se ekzistojne dhe kane ekzistuar edhe me pare disa lloj kapitalizmi. Te gjitha mbeshteten te prona private, por ndryshojne, siç thote edhe autori i shkrimit, nga roli i shtetit ne te. Ne Rusine e Jelcinit psh iu la fushe e lire siperemarrjes private, pa ligje dhe rregulla. Si pasoje Rusia ra poshte e me poshte. Duhej te vinte Putini qe i  vuri fre kapitalizmit grabitqar qe Rusia te ringrihej. Ne Brazil ishte Lula qe forcoi shtetin dhe e futi kapitalizmin "ne vathe". Si pasoje Brazili vazhdon te forcohet çdo dite. Kina eshte shembulli me tipik e nje ekonomie tregu te kontrolluar rreptesisht nga shteti. Rezultatet e saj nuk kane nevoje per koment. Ndryshe eshte ne Europe. Ketu sundojne shumekombeshet dhe kapitalizmi financiar. Shtetet jane vene teresisht ne sherbim te tyre. Pasojat shihen çdo dite. Si perfundim do te thonim qe pa shtet tregu i lire kthehet ne xhungel. Flitet se neTiranen e viteve '90 te shekullit te kaluar qente endacake u zhduken nga qarkullimi. Shteti ishte shkaterruar perfundimisht. Dhe qoftexhinjte ambulante, qe kishin mbire si kerpudhat para sahatit, i benin qoftet qe shisnin  me mish qeni. Pa folur per rakine e bere me nitrat. Kapitalizmi ka nevoje per fre, ndryshe ai kthehet ne perbindesh. Nuk eshte Marksi qe e ka thene kete, por ish presidenti francez, Sharl de Gol.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.