Dashuria jonë e vonuar me flamurin

Postuar në 31 Dhjetor, 2012 04:19
Eda Derhemi

Është vetëm një ngjarja të cilën shqiptarët, si rrallë herë, do binin dakord ta konsideronin më të rëndësishmen e vitit që po mbyllim: 100-vjetori i pavarësisë. Nuk po e shkruaj me të madhe në këtë rast, sepse nuk po e përdor në kuptimin e festës apo një ngjarjeje ikonike, por në kuptimin e procesit që të bën të pavarur dhe ushtrimit të konditës së të qenit i pavarur në jetën e përditshme. Do doja shumë që, sa herë njerëzit e përdornin këtë fjalë, ta shfrynin nga pompoziteti qesharak që politika jonë (e mbështetur shpesh nga mediat) i dha për një vit rresht, dhe e bëri kala në nëntor. Nëse e kuptojmë në variantin e saj me gërmë të vogël, ndoshta do ndihemi vërtet të pavarur dhe ndoshta këta 100 vjet do dukeshin shumë më kuptimplotë sesa u dëshmuan në paradat dhe dyndjet masive në nëntor, kur shqiptarët zunë me flamur, jo veç dritaret, por edhe sytë e vet. Fund-viti është i rëndësishëm edhe sepse, tamam atëherë, shumë prej nesh e mbajnë pak vrapin dhe i falin disa çaste reflektimit të asaj që ka ndodhur gjatë vitit. Festimet e Pavarësisë meritojnë një reflektim popullor këto ditë, atë reflektim që na shpëtoi pa bërë në nëntor, kur treguam rishtaz se nuk kemi harruar të turremi krenarë, por pa krye mbi supe. Tani kur pritet që shirat e dimrit të shpëlajnë të kuqtë e Pavarësisë, mendoj rishtaz përse u dynd njerëzia për në Vlorë sikur diçka kuptimplote sapo kish ndodhur; përse qendra e Tiranës u nis si nuse naziste dhe më pas u konsumua popullarisht si e zbukuruar dhe atdhetare; përse u ri-përjetua emulacioni socialist i ngritur mbi bosh si në ditët e veta më të këqia, me fletëlavdërime e deklamime susksesi individual e masiv të stisura, pa reagimin kritik të njerëzve. Dhe kjo nuk është një “përse” në kuptimin mohor, apo të qortimit. Është kuptimi origjinal i fjalës, ai që përdoret kur do të marrësh vesh se çfarë ndodh. Vërtet përpiqem të kuptoj çfarë e shkaktoi histerinë kolektive të nëntorit dhe verbërinë e vanitetin e njerëzve që duhet të ishin tashmë të imunizuar.

Nga fundi i nëntorit kur si zakonisht flisja në skype me time më, “pavarësia” ishte në ajër. Mbesa ime që s’i kish bërë ende tre vjet, një mëngjes këndonte “xhamadani vija-vija, është Kosova, është Shqipëria”. Pyeta ku e kish mësuar këngën, dhe më thanë “në kopsht”. Ato muaj mësime të tilla “patriotike” kishin zënë të gjitha programet shkollore dhe ndihej qartë e zëshëm në të gjitha transmetimet telelvizive ku tufa të rinjsh të ekzaltuar bënin shenja shqiponjash me të njëjtin eksitim e krenari që do demonstronin gjeste me gishta të tipit hip-hop apo rap. Politikanët, institucionet, mediat ia kishin dalë jo veç të prodhonin një psikologji masive që e shihte festimin e 100-vjetorit të pavarësisë si ngjarjen më të madhe të këtyre 100 vjetëve, por edhe si një ngjarje ‘cool’ për të gjitha moshat, edhe si një revolucion që për herë të parë i lidhte gjithë shqiptarët në diçka të re që më parë s’e kishin pasur, edhe si një premisë që krijonte mundësinë e përdorimit të justifikuar të termit “Shqipëri etnike” apo “e Madhe”, edhe si një alibi për të sjellë në diskutimin publik diskurse deri tashmë fajtore të tipit “çfarë ishte e jona, mbetet e jona”, edhe si rast për t’u ankuar për padrejtësitë e bëra para 100 vjetësh e më pas, e për t’u justifikuar me to për mungesën e ecjes përpara. Shkurt: gjithë energjitë tona në një moment të tillë nuk ishin drejtuar drejt reflektimit kritik, një epifanie të mundshme dhe ndërtimit të diçkaje të re kur ekzistonte një momentum për të, por ishin një masturbim total dhe pa fryt që jo vetëm nuk rezulton në kënaqësi e çlirim, por të lë të lënduar e gjytyrym për disa javë rresht. Pa e kuptuar shqiptarët po bindnin veten se kjo ish rruga për t’u fuqizuar shpirtërisht dhe rikrijuar identitetin e munguar: po të rrahësh gjoksin, do me thënë që ke një gjoks e që ke edhe arsye për ta rrahur. Gjoksin në fakt rrahën të mëdhenj e të vegjël, të shkolluar e analfabetë. Pak kush u ndal të merret me historinë e vërtetë të asaj që ka ndodhur këta 100 vjet, pak kush ndër ne e konceptoi 100-vjetorin si një vit për t’u njohur me aq figura të fshira, të harruara, të deformuara nga historia, të bëra idhuj perfektë e jo-njerëzorë, për të parë çfarë kemi arritur ne si grup në këta 100 vjet (dhe këtu sigurisht nuk u referohem alibive të përdorura, si futjes në NATO apo rikonsiderimit të figurës së Ahmet Zogut), dhe sidomos çfarë NUK kemi arritur e PËRSE jemi mbrapa dhe ende veçanërisht të varfër e të paditur. Të rinjtë brohoritës e njohin aq pak historinë e vërtetë, e ky vit i duhej dedikuar njohjes. Festimi i pavarësisë do kish qenë pak më i heshtur ashtu, por më i bukur dhe ndërtues, dhe do kish pasur më pak shanse të përdorej si fushatë elektorale nga politika shqiptare me Berishën & Co në krye.

Të nesërmen e ditës kur mbesa ime këndonte bashkë me tim atë këngën e xhamadanit dhe korrigjonte gjyshin e vet krenar për mbesën atdhetare “Po jo ‘Shqipnia”, o gjyshi, po ‘Shqipëria’”, fola prapë me mamin dhe e pashë mbeskën që sillej përsëri nëpër dhomë teksa televizori ishte ndezur. Në një pikë të caktuar e vogla nisi të bërtiste me një kadencë tipike brohoritjeje: FLA-MU-RI, FLA-MU-RI. Pyeta mamin përse. Mami e justifikoi menjëherë: “ah… sapo pa një flamur në televizor, dhe këto ditë sapo sheh flamur, bërtet, duartroket e gëzohet kështu, se i kanë mësuar në kopsht”. Reagimi i mbesës sime të vogël ndaj flamurit pavllovian ato ditë dukej një fakt i trishtueshëm aspak i kufizuar ndër tre-vjeçarë, ashtu si të gjitha absurditetet e tjera formale, që nga veshjet me flamur të nudove njerëzore dhe ndërtesave, deri tek rritjet e mustaqeve, rrugëtimet më këmbë drejt Vlorës, rendjet me flamuj kuq e zi nëpër qytetet e mëdha të botës, eksitimi gëzues por pa kuptim i njerëzve, dyndjet masive turravrap për në Vlorë, prolifikimi i qytetarëve të shquar (të vdekur e të gjallë) dhe nderimi fals i tyre, ngjirrja e politikanëve, dhe megafoni propagandistik mediatik që ishte në krye të zhurmës ashtu si ia donte puna. Shqiptarët dëshmuan një rast klasik e tipik të situatës “Shumë zhurmë për asgjë”.

Të kuptohemi: unë nuk kam asgjë kundër festimit. Gjithashtu, vlerësoj dhe respektoj pavarësinë e çdo grupi që dëshiron të jetë i pavarur. Nuk ka dyshim që festa e pavarësisë për çdo vend është kuptimplote: është dëshmi lufte këmbëngulëse, është edhe fat e kombinim rrethanash të volitshme në kohën e duhur. Ajo celebron të shkuarën, njerëz largpamës e të përkushtuar që kanë punuar fort e kanë bërë sakrifica për të pasur një botë më të mirë për gjithë grupin të cilit i përkasin. Celebron edhe të ardhmen dhe u kujton pjesëtarëve më të rinj të grupit se pavarësia është e vyer dhe duhet punë për ta mbajtur dhe sidomos për t’i dhënë kuptim. Që të ndiesh në mënyrë të prekshme vlerën e të qenit të pavarur, mund të bësh një krahasim të thjeshtë me një tjetër grup etnik që mëton të jetë i pavarur politikisht, por në fakt jeton në varësinë e strukturave shtetërore kontrolluar nga një tjetër grup etnik, struktura ku nuk përfaqësohet demokratikisht ose edhe shtypet. Si shembull mund të marrim kurdët në Turqi (dhe jo vetëm atje) ose palestinezët e nëpërkëmbur në vendin e vet. Ose edhe më qartë shfaqet vlera e pavarësisë kur kujtojmë kosovarët dhe gjendjen e tyre deri para pak vjetësh. Në rastin e pavarësisë së Kosovës në shkurtin e 2008-ës, pas një periudhe të gjatë keqtrajtimi e abuzimi, shtrëngimesh e lëshimesh, vrasjesh e lëndimesh, entuziazmi dhe festimi i çmendur i kosovarëve dhe gjithë shqiptarëve pati kuptim të padiskutueshëm. Por një lloj feste e tillë sot, edhe për Kosovën do ishte boshe. Ka vetëm katër vjet Kosova, është e re, e megjithatë vlera që u ka dhënë këtyre katër vjetëve dhe kultura shtetërore ka qenë e mbrapshtë e duhet parë në mënyrë shumë kritike. Aq më shumë do parë kështu 100-vjetëshi i shqiptarëve: jemi një shtet që ka pasur e ka një thes me probleme dhe ndonjë arritje, dhe jo e kundërta. Do kuptoja edhe mbajtjen e flamurit shqiptar në shtëpitë e Kosovës për hir të historisë së këtyre 100 vjetëve kur flamuri u keqtrajtua simbolikisht nga institucionet e kontrolluara prej Serbisë; madje edhe në këto katër vjet, kur, në një farë mënyre, flamuri iu mohua kosovarëve për së dyti. Po ashtu do shihja me simpati lirinë për mbajtjen e flamurit nga shqiptarët e Maqedonisë për të njëjtën arsye: ai flamur bëhet shprehje e një lirie dhe barazie qytetare të munguar dhe të aspiruar. E kuptoj edhe nëpër shtëpitë e qytezës siqiliane Piana degli Albanesi ku i tregohet botës dhe turistëve, po ashtu simbolikisht, se kanë të bëjnë me një popullsi që mban me dashuri multietnicitetin e vet, që është pak më e ndryshme se ajo përreth, se ka një gjuhë dhe një histori pak të ndryshme, e pse jo, edhe si komoditet kulturor. Por rilindja e flamurit në nëntor si akt privat ndër ballkonet e apartamenteve shqiptare nuk mund të ishte veçse një hap mbrapa, kryesisht sepse është një akt i zhveshur nga çdo lloj kuptimi progresiv dhe dëshmon ose budallallepsjen nacionaliste, ose mungesën e vlerave të tjera të qenësishme krenari-dhënëse brenda grupit. Mbetet të shqyrtohet disi kjo çështja e krenarisë: a iu rikthyen shqiptarët flamurit (dhe gjithe diskurseve qe lidhen me të) që të dëshmonin se kanë krenari kombëtare? Po krenari kombëtare për cilat arritje, dhe kujt i drejtohej kjo paradë e kjo lloj dëshmie? Armikut të jashtëm? Nëse duam t’u tregojmë fqinjëve dhe botës se nuk jemi “racë e keqe” siç kujtojnë ata, nuk ua mbushim mendjen me shkundje flamurësh, por me vepra e suksese. Dhe festimet e 100-vjetorit mund të kishin shërbyer pikërisht për të propozuar një kulturë ndërtuese dhe krijimin e një grupi koheziv të respektuar nga brenda e nga jashtë grupit. Kjo dashuria e vonuar me flamurin është vetëm në shërbim të dritëshkurtëve, dhe ndjenja pozitive që mund t’u japë flamuri në vetvete brezave të rinj të shqiptarëve, nuk ka jetë, në mos pastë potenciale fashistizuese. Dashuritë me flamurin në vetvete janë pa vlerë jo vetëm për shqiptarët, por për këdo; janë pa vlerë edhe për amerikanët aq të mësuar me flamurin tek porta, dhe ndoshta me shumë më shumë arsye për t’u krenuar e vetë-lëvduar sesa ne.

Mënyra se si u përdor dhe u festua pavarësia e shqiptarëve në nëtor tregoi se këta 100 vjet nuk kanë mjaftuar për të na bërë vërtet të pavarur, se lehtësisht na fusin trutë e gomarit, se ende rendim të maskojmë mangësitë e problemet tona me ekzaltime masive të tipit komunist, dhe dalim vullnetarë aktivë të vetëmashtrimit. Ne zemë sytë dhe, si struci, mendojmë se nuk na sheh dot kush. Parë nga perspektiva e këtij fundviti, mënyra se si festuam 100 vjetët e pavarësisë sonë qe qesharake dhe e dëshpëruar.  Dëshmuam rishtaz fazën fëmijënore të aftësisë sonë për të qenë realistë, kritikë dhe refektues. Dhe e gjitha kjo nuk zhbëhet apo bëhet e pavërtetë vetëm sepse disa zëra kontrollues në media pretendojnë të kundërtën. Henri Çili përfundon se nacionalizmi, ndryshe nga si “është krijuar ideja”, na u forcoka çdo ditë, dhe prova për këtë është mënyra se si shqiptarët festuan 100-vjetorin. Ose se është cool të jesh nacionalist, në të kundërt me sa “është krijuar ideja se është trendy të jesh kundër festimeve të pavarësisë”. Logjika e Çilit edhe kësaj radhe është e çalë: reagimi i shqiptarëve për 100 vjetorin e pavarësisë nuk vërteton asgjë; dhe, edhe sikur të ishte provë për përgjithësimet e Çilit, nuk do të thoshte aspak që reagimi popullor në vetvete, shërben edhe si përligjje e të qenit akt i drejtë. Është gjynah që publiku të blerë këtë manipulim logjik shitur si kurë progresive për dekonstruktimin e kulturave dominuese. Kjo bëhet në shumë prej copave të ciklit “Është krijuar ideja…”. Në fakt, shkrime të tilla u japin mbështetje e fuqi pikërisht grupeve që dominojnë politikën shqiptare, e, më shumë se kujtdo, Sali Berishës. Ky i fundit po e luan me shumë sukses kartën e bashkimit të gjithë shqiptarëve, dhe vërtet mund të ngelet në fuqi edhe për shumë vjet akoma po e lanë ta luajë pa ndërhyrje. Dhe cili politikan do guxonte t’i kundërvihej direkt në këtë manovrën e tij patriotike? Vetëm mediat mund t’ia zhvlerësojnë këtë kartë-çelës që do ta përdorë rishtaz kundër nesh. Por jo duke thënë se pavarësia s’ka vlerë, ose se s’duhet festuar, dhe as se shqiptarët s’duhet të bashkohen, por duke i analizuar me realizëm dhe duke përdorur një logjikë historike e kritike që i zhvesh këto koncepte nga vlerat e tyre të mbishtuara dhe i bën të kapshme, operative, reale për njerëzit. Në këtë mënyrë koncepte të tilla do humbisnin aftësinë e vet manipuluese.

Publikuar tek Peizazhet e Fjales

Comments

Submitted by a. (not verified) on

OK-ej analiza.

Politikanet tane kur e ndjejne larg apo lekundje pushteti na bejne te "...dalim vullnetare aktiv te vetemashtrimit ", sic thote autorja.

Dhe pavaresine e shprehim vetem ne pervjetor me parada individuale e kolektive ne nentor.

Dhe besimin fetar e shprehim vetem ne dite te shenuara duke bere kurban e ndezur qirinj.

Dhe 'familjen' e respektojme e forcojme duke ndruar bashkeshort menjehere pas zgjedhjeve.

Dhe ...gjithe ditet e tjera rrufitim me telekontroll ne dore opiumin e pushtetit dale nga goja e Berishes dhe papagajve te tij...dhe pastaj vullnetare...

Ejani te dalim ne ajer te paster...

Submitted by Anonim (not verified) on

shume dobet eda.ne qofte se konsideron sali berishen atdhetar ,eshte per te ardhur keq.ai eshte armiku me i madh i frymes kombetare qe po zgjohet te shqiptaret.

pas 20 vjetesh sorrollatje me ''integrim'',shqiptaret pasi pane edhe si jane shtetet e zhvilluara te perendimit(mbi bazen shtet-komb),po fillojne te mendojne se shqiperine do ta bejne shqiptaret.  dhe aty nuk ka vend per esat toptanin e sotem -sali berisha.

Submitted by RP (not verified) on

Flamuri e ka humbur konceptin fillestar.Ne antikitet"kapja" e flamujve ishte trofe e llogaritur si nr i te vrareve,pengjeve,etj.Kjo shqiponja me dy krere qe neve na pelqen ta quajme si shpikje unike dhe ekskluzive te shqipove ka rrenje te thella ne popuj te tjere lindore dhe perendimore, dhe atje ka edhe domethenie.Edhe Gjermania e ka pasur dikur flamurin me shqiponje,edhe Austria,por ne shekullin qe sapo kaluam ka adoptuar nje flamur me vetem ngjyra.Perveç folklorizem dhe aheng tipik arixhinjsh ky 100 vjetori i sali berishes nuk mund te ishte ndryshe.Kam idene se Skenderbeu ka pasur kontakte me qarqe okulte dhe prej andej rrjedh ngjyra e zeze e shqiponjes dhe dy kokat.J.Cocteau,gran maester i prioratit te Sionit ka shkruar nje drame te shkurter"shqiponja e zeze me dy koke".Po ashtu,albigjezet dhe kataret kishi kontakte me asketet kalabreze,tek te cilet Skenderbeu kishte akontakte dhe strehoi familjen dhe mjaft fisnike.Edhe vdekja e Skenderbeut koincidon me 17 janarin,festen e katareve,kur mund te mos kete vdekut tamam ate date.Ika,se s'kam kohe!

Submitted by Dritan (not verified) on

Shqiponja me dy koke nuk eshte simbol Shqiptar.

Dashuria jone per flamurin eshte fallco. Flamuri eshte gjeja e fundit per te cilen me shkon ne mendje. Se gjeja e pare eshte te jesh qytetar i denje.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.