Paradoksi i fundvitit - çmimet ngrihen, blerjet e konsumatorëve s’bien...

Shumë shqiptarë, për rritjen e çmimeve gjatë fundvitit, ua veshin fajin vetëm atyre që, në të folurën e përditshme, njihen me emrin monopole në tregjet e shumicës. Ndërsa disa ekonomistë e artikulojnë më teknikisht këtë akuzë, duke arsyetuar se në tregun me shumicë të produkteve që shiten në Shqipëri ekzistojnë duopole, oligopole ose kartele, të cilët janë të aftë të kontrollojnë tregun sipas interesave të tyre.
Pra, ekzistencës së monopolizimit të tregjeve, duke qënë ndoshta shkaku kryesor i nivelit të lartë të çmimeve gjatë vitit në Shqipëri, krahasimisht me vendet fqinjë, i vihet faji edhe për fenomenin e rritjes së përkohëshme të çmimeve në fund të vitit. Duke mos dalluar dot kështu se monopolizimi i tregjeve mund të përbëjë një mekanizëm që e lehtson këtë fenomen, por jo një kusht të domosdoshëm e të mjaftueshëm për ekzistencën e tij.
Për të ilustruar se monopolizimi i tregjeve me shumicë nuk është kusht i domosdoshëm për rritjen e çmimeve në fund të vitit, mund të sillet shembulli i gjelave të detit. Rritja e çmimit të tyre nuk mund të shpiegohet dot me strukturën monopoliste të tregut për këtë produkt – prodhimi i gjelave të detit nuk është i përqëndruar në një ose dy ferma të mëdha, përkundrazi, është i shpërndarë në mijra mini-ferma.
Gjithashtu, edhe rritja e çmimit të miellit për tërhollje nuk mund të shpiegohet me strukturën monopoliste të tregut; në Shqipëri ka rreth 40 fabrika mielli e mbi 10 importues të tij. Dhe kur ekzistojnë 40 prodhues që plotësojnë 70% të nevojave për një produkt, si dhe 10 importues të tij, nuk mund të thuhet se tregu i atij produkti është i monopolizuar.
Në fakt, është kërkesa e madhe për miellin për tërhollje (për bakllava e byrekë) që u krijon mundësinë prodhuesve dhe importuesve të tij ta rrisin çmimin në prag të festave e, njëkohësisht, të shesin më shumë. Ndërkohë, ata nuk mund të bëjnë të njëjtën gjë me miellin për bukë masive. Pse? Për arsyen e thjeshtë se kërkesa për këtë lloj mielli nuk rritet në prag të festave.
Shembujt e mësipërm demonstrojnë se monopolizimi nuk është kusht i domosdoshëm i rritjes së çmimeve dhe i vëllimit të shitjeve në fund të vitit. Por a është i mjaftueshëm kur ai ekziston?
Për të ilustruar se monopolizimi nuk është kusht i mjaftueshem i rritjes së çmimeve dhe i vëllimit të shitjeve në fund të vitit, mund të sillet shembulli hipotetik i një tregtari monopolist të një sendi luksi si diamantët. Në qoftë se ai e ngre çmimin e tyre 30%, njerëzit nuk do të turren për të blerë diamantet e tij. Ndërsa mijëra fermerët e vegjël që rrisin gjela deti, e ngrenë çmimin ndoshta edhe 30% në prag të festave, dhe të gjithë turren t'i blejnë gjelat e detit.
Pse? Sepse mishi i gjelit të detit, nga një produkt luksi për shumicën e shqiptarëve gjatë vitit, kthehet në një produkt të domosdoshëm para festave. Dhe kërkesa për produktet e domosdoshme është inelastike. Kjo do të thotë se konsumatorët nuk e ulin konsumin e produktit, në përgjigje të rritjes së çmimit të tij (bëhet fjalë për rritje të nivelit 30%, e jo 3000%).
Përmbledhtazi, mund të thuhet se në themel të rritjes së çmimeve dhe shitjeve në fund të vitit, është inelasticiteti i përkohëshëm i kërkesës për produktet që konsumohen tradicionalisht në festat e fundvitit. Ky inelasticitet është i përkohëshëm, sepse gjatë vitit kërkesa për këto produkte është mëse elastike.
Në qoftë se ofruesit e tyre do ta rritnin në mënyrë joracionale çmimin gjatë vitit, konsumatorët e thjeshtë do t'i përgjigjeshin rritjes me uljen e konsumit të këtyre produkteve. Si rrjedhim, prodhuesit do të detyroheshin ta rikthenin çmimin në nivelin normal, në mënyrë që produktet mos t'u mbeteshin pa shitur. Ndërsa për festat e fundvitit, edhe konsumatorët më të varfër mundohen ta blejnë një gjel dhe ta blejnë apo të bëjnë një bakllava, pavarsisht se çmimet rriten ndjeshëm. Dhe pasi festat kalojnë, ata i rikthehen konsumit normal, e si rrjedhim, edhe çmimet kthehen eventualisht në nivelin normal.
Në mënyrë më teknike, fenomeni i rritjes së çmimeve dhe shitjeve në fund të vitit mund të shpiegohet me ndryshimin e kurbës së kërkesës.
Për tregjet konkurruese të përmendura më sipër, por edhe për të tjera si ai i arrëve, mollëve, portokalleve, etj. (një pjesë e mirë e këtyre tregjeve furnizohen nga fermerët e vegjël vendas në dhjetor), kurba e ofertës nuk ndryshon për dy javë. Ndryshime të kurbës së ofertës për një periudhë kaq të shkurtër mund të ndodhin vetëm si rezultat i ndonjë bllokimi në sistemin e furnizimit (p.sh., larg qoftë, nga një bllokim i përkohshëm i rrugëve).
Ajo që ndryshon në fund të vitit në këto tregje është vetëm kurba e kërkesës, e cila zhvendoset djathtas (si rezutat i futjes në treg të shumë konsumatorëve) dhe, ç’është më e rëndësishme, bëhet inelastike (ngaqë produktet tradicionalë të festave konsiderohen përkohësisht si të domosdoshme nga shumica e konsumatorëve të varfër). Në këtë mënyrë pika e takimit të kurbës së kërkesës dhe ofertës realizohet në një nivel më të lartë. Pra, si sasia e produkteve të shitura, edhe çmimet e tyre janë më të mëdha se sa gjatë vitit.
Në tregje të monopolizuara të shumicës, si për shembull, të sheqerit apo të lodrave për fëmijë, historia, në pamje, duket e ndryshme, por në thelb, është e njëjtë. Edhe pse oferta në këto tregje është plotësisht në dorë të oligarkëve që i zotërojnë ato, nuk është në kontrollin e tyre që edhe t’i ngrenë çmimet sa të duan, edhe të rrisin njëkohësisht sasinë e shitjeve.
Në qoftë se kurba e kërkesës nuk do të ndryshonte në fund të vitit, çmimit më të lartë të vendosur nga oligarkët do t’i përgjigjej një sasi shitjesh më e vogël. Ndërsa, në realitet, kurba e kërkesës zhvendoset djathtas dhe bëhet shumë më inelstike në fund të dhjetorit. Në këtë mënyrë transaksionet realizohen në një pikë ekulibri ku, si sasia e produkteve të shitura nga oligarkët, edhe çmimet e tyre janë më të mëdha se sa gjatë vitit.
Pas argumenteve teknikë rreth ndryshimit të pjerrësisë dhe zhvendosjeve të kurbave të kërkesës e ofertës, vlen të mbyllet ky shkrim me një koncentrat të fabulës që ata tregojnë: Monopolizimi i tregjeve nuk ndryshon për dy javë; është kërkesa e konsumatorëve ajo që ndryshon në dy javët e fundit të vitit. Prandaj, cilido që beson se oligarkët po i marrin frymën ekonomisë tonë, ka të drejtë t’i fajësojë ata gjatë 350 ditëve të para të vitit, por jo në 15 ditët e fundit.
Në ditët e fundvitit, konsumatorët nuk bëjnë keq të shohin pak edhe nga vetja...
Comments
Driteshkurtësi

Driteshkurtësi blegtorale!

Nese ju keni 100 gjela deti, çmimi ne treg eshte 7 $, ju e rritni, te themi, 33% çmimin e tyre dhe shisni vetem 10, atehere ju inkasoni 100 $.

Nese ju e mbani çmimin fiks dhe shisni 20 gjela, ju inkasoni 140 $. Nese ju e ulni çmimin në 5 $ dhe mund te shisni deri 50 gjela, ju inkasoni 250 $.

Nuk po llogaris faktin se gjithe sa mbetet, nuk dihet se ku do te konsumohet, por, sigurisht, nese ju mbeten 50 gjela, dilni i fituar ne raport me 90 gjela, si ne rastin e parë.

Bashkesite qe dallohen per nivel te ulet formimi, dallon gjithashtu edhe per arsyetim drejtvizor, nje lidhje e thjeshte shkak-pasoje. Vetem zhvillimi perparues mundeson analiza qe konsiderojne me shume se nje mundesi. Keshtu, lidhjet shkaksore pasurohen me elemente te tjera qe rritin ekonomine e mendimit, pra dhe eficensen e veprimit konkret.

Keni të drejtë jemi një

Keni të drejtë jemi një shoqëri që na pëlqenë hamullia sepse kokat drejtuse ju interesonë të mendojmë kështu se po të viheshin tatimet ashtu siç duhet dhe të bëhej kontrelli i drejtë nuk do ndollte kjo që ndollë në vëndet me shoqëri të zhvilluar kan krijuar levat e nevojshëme si të fuksionojnë si shoqëria dhe bashkë me të ekonomia jo se këtejë çdo që vete vajë por përpiqen që çdo gjë të shkojë mirë dhe kur gjejnë shelje dhe abuzime dënohen sipas ligjeve dhe është për të ardhur keqë një gjë e tillë tek ne nuk ndollë i shikojë përditë çmimet dhe të gjitha janë të shtrënjta të zarzavatet varojnë nga 0,90e deri 1,30e lere pastaj frutat të pa aritshme dhe rastisa të dëgjojë nënëkryetarin e bshkisë të tiranës më delenxhi njer nuk bënë nëna që thoshte se tregu i Tiranës fuksionon normalisht dhe kur shikaja mënyrën se si dilte para kamërave si kaposhi në majë të kotecit e pra duhet që të ndërtojmë një shoqëri të mirë në mbrojtje të konsumatorit që mos ta paguajmë një kofshë kaposhi si kur të jetë një qëngjë

Add new comment